E diel, 20 Prill, 2025

Kosovës po i prishet truri. Punë e madhe!

MendjeKosovës po i prishet truri. Punë e madhe!

“Ballkani prodhon më shumë histori sesa që mundet me konsumu,”thotë një fjali monumentale e Winston Churchillit, ish-kryeministër i Britanisë.

Nëse e kufizojmë këtë fjali veç në copën tonë të Ballkanit (Kosovë) dhe 25 vitet e fundit të tranzicionit, atëherë ajo formulohet kësisoji:“Kosova prodhon më shumë lajme portalesh sesa që mundet me konsumu,”

Rrethana e të parëve tanë që përshkruhet me aq kollajllëk prej Churchillit është e shkuar-e-harruar tashmë. Fabrikat e prodhimit të historisë i kemi prishë! Jemi zbutë prej politikave të imponuara nga BE-ja. Dikush mund të thotë “mirë që ndodhi kështu”, tjetërkush që “hej, ne veç trojet tona i kemi mbrojtë”. Etj. Por, s’po i rrekemi këtij diskutimi. E vërteta është që s’po prodhojmë më histori çdo të dytën ditë.

E megjithatë, lajmet e portaleve janë aq të shumta sa ta nxisin idenë se ndoshta ende jemi ata ballkanasit e asaj thënies së Churchillit. Por jo! Ato janë thjesht iluzioni optik që na duhet për me jetu rehat me veten.

Dikush mund të thotë që portalet bëjnë tituj senzacionalë sepse duan të gjenerojnë klikime e shikime e përmes tyre para. Ne besojmë që e bëjnë sepse i thërret historia. E bëjnë sepse ndryjnë në vete atëfarë lozën e të parëve për krijim të historisë. Nëse jo, çka bëjnë gjithë ata kosovarë që lexojnë aq shumë lajme në ditë?! Ose ata që rrinë para televizorëve duke i përcjell tri-katër palë lajme në ditë?! Është zakon që vjen indirekt prej stërgjyshërve të cilëve lajmi për Luftën e II Botërore iu vinte mes llafesh tjera për bagëti e bujqësi. Qe një shembull nga një llaf mes dy fshatarëve shqiptarë në vitin 1940:

“A i keni gati arat për sivjet?” – Filani.

“Gati bre gati. Po, na kanë lodhë na kanë terë. By the way, po flitet që ka nis Lufta e Dynjasë.” – Fisteku.

“Vallahi, le të nis po punët e arave s’na i kryen kurrkush.” – Filani.

“Po, po. Edhe ashtu, na jemi mësu. Bile po thonë që kjo asht Lufta e Dytë e Dynjasë.”  – Fisteku.

“E dyta? E ku kem na kur ndodhi e para, jashtë dynjasë a?” – Filani.”

Tash, kosovarët modernë kërkojnë lajmin për Luftën e III Botërore edhe nëpër artikuj showbizi. Qe 25 vjet. Qe çerekshekulli.

E kohët e fundit – meqë kemi konsumu për çerekshekulli lajme triviale – ka nis e po na manifestohet një farë efekti psikologjik kolektiv. Po na prishet truri.

“Brain rot” (prishja/kalbja e trurit)  u shpall fjala e vitit 2024 prej Oxfordit. Hairi e ndaftë! Ajo definohet si “përkeqësimi i gjendjes intelektuale apo mentale të një personi, që shihet të jetë si rezultat i mbikonsumimit të materialeve që konsiderohen triviale apo josfiduese.” Pra, një prishje truri që vjen kur han tepër shumë kontent të cilësisë së dobët.

“E çka lidhet Oksfordi me neve, allahile?” – mund të pyes ndonjë cinik. Në mënyrë jocinike mund t’ia kthejmë cinikut me kundërpyetje: “A dini ndonjë vend tjetër në botë ku cilësia e kontentit online është më e dobët ndërsa konsumi i saj aq i madh se në vendin tonë?!”

Qysh po na manifestohet prishja e trurit?! Qe do shembuj:

“Kosova mundet ma mirë!” – është sllogani i një partie të opozitës. Duket si fjali e thënë prej dikujt që është nën kërcënimin e tytës së armës nga dikush që i thotë i ke pesë sekonda kohë për me formulu një kritikë ndaj pushtetit.

“Cep më cep!” – është sllogani i partisë në pushtet. Duket si fjali e thënë prej dikujt që është nën kërcënimin e tytës së armës nga dikush që i thotë i ke katër sekonda kohë për me formulu një fjali për lavdërim për veten.

S’po hymë te tjerat.

Një prishje tjetër e trurit na shpërfaqet edhe në aktivitetin politik. Më të zëshëm, më kreativë e më të vërtetë duken profilet e rrejshme të Fejsbukut që e kanë mbipopullu debatin publik se sa simpatizantët e vërtetë, e bile edhe se sa politikanët e vërtetë. Mos të flasim për njerëzit e vërtetë të Kosovës, të cilët s’e dimë as qysh duken.

Tjetër* do të funksionojë si një hapësirë ‘tretëse’ për hapësirën publike. Pra, do të ndihmojmë që konsumi i lajmeve të bëhet përmes një farë tretjeje më të shëndetshme!

E kështu me radhë. Kosova mundet ‘ma’ mirë! E të tjera!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: