Sot është ditëlindja e Adem Demaçit – simbolit të rezistencës së Kosovës ndaj regjimit brutal të Jugosllavisë. Ai kish lindë më 26 shkurt të vitit 1936 në Podujevë. Vdiq para gati shtatë viteve.
Demaçi quhej “Mandela i Ballkanit” sepse i vuajti 28 vjet burg shkaku i veprimtarisë politike kundërshtuese ndaj diktatorit Josip Broz Tito. Në vitin 1991, Parlamenti Evropian e kishte shpërbly Demaçin me Çmimin Sakharov.
Nejse, s’duam të njehim këtu krejt arritjet e tij – sepse do të na e merrte krejt ditën.
Meqë diskutimet për Gjykatën Speciale s’po ndalen që s’po ndalëm, deshëm t’i kushtonim rëndësi mendimeve të tij për këtë çështje.
Ai aty fliste me Zërin e Amerikës në lidhje me formimin e Gjykatës Speciale.
Me të folmen e zakontë autentike që e veçonte prej folësve tjerë publikë, Demaçi shpreh një kundërshtim mjaft interesant.
“Krejt kësaj, diqysh, nuk po i vjen era bash mirë! Mu po m’duket që miqtë tanë – siç po iu thom këtyne të Evropës (Evropa nana jonë, Evropa nana jonë e madhe), edhe miqtë tanë tradicionalë amerikanë sikur diqysh nuk pe kuptojnë këtë popullin tonë. Po, nuk pe kuptojnë që kjo po krijon te ky populli jonë do farë sikletesh që ata prej atyne zyreve t’tyne nuk mujnë m’i pa as nuk mujnë mi ni. ” – shprehej z. Demaçi.
Ai konteston edhe gjetjet e Dick Martyt, senatorit zviceran që ishte bërë sebep i votimit në Kuvendin e Kosovës të ligjit që themelonte Specialen.
“Ato fjalët e Dick Martyt që i foli në Parlament, ajo është një çudi e madhe. Kah i erdhën atij ato informata? Ato informata po i vijnë edhe i ka prej Serbisë.” – shprehej Demaçi.
I përballur nga gazetari me argumentin se në këtë luftë do të gjykoheshin individët, ai përgjigjej.
“Ushtria Çlirimtare formohet prej individëve. Nëqoftëse ti i dënon – një gjeneral, dy gjenerala, tre gjenerala, e kur bahen pesë a gjashtë, shtatë a tetë anej knej – atëherë po del se… e meta e njerëzve t’thjeshtë është me i përgjithësu senet. Thojnë qe, ton jon shqiptarët. A kur ka bo gjenerali qishtu, tanë bajnë. Kështuqi, nuk osht kjo rrugë e shpëtimit të Serbisë. Nuk shpëtohet Serbia duke ia bërë qefin. E duke u munduar Serbia t’i fajësojë shqiptarët. Duhet ta përjetojë Serbia fajin e vet.”
Fjalët që i thotë më me zell – e që dorën në zemër, na përmalluan pak – ai i thotë këto fjalë:
“Ky farë gjyqi. Krejt qato faje i takojnë Serbisë. Krejt Serbia i ka bo qato t’zeza. Edhe ma shumë se qato t’zeza… Ky gjyq ish dashtë t’formohet për Serbinë!”
Duke folë mbi presionin ndërkombëtar, Demaçi shpreh nervozë ndaj pushtetit ndërkombëtarë por edhe ndaj pushtetit të atëhershëm (kryeministër ishte Hashim Thaçi).
Dëgjojeni të plotë intervistën: