E diel, 19 Tetor, 2025

Krijimet ekstreme dhe turbulluese të László Krasznahorkai, fituesit të Nobelit 2025

KulturëKrijimet ekstreme dhe turbulluese të László Krasznahorkai, fituesit të Nobelit 2025

Shkrimtari László Krasznahorkai ka fituar çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2025. Ne po iu sjellim të përkthyer me shkurtime këtë artikull të botuar nga The New Yorker të shkruar nga James Wood. 

——————————————–

“Realitet që ekzaminohet deri në pikën e marrëzisë.” Qysh do të dukej kjo në shkrimet bashkohëse? Mund të duket diqysh si në fiksionin e László Krasznahorkait – shkrimtarit hungarez të zorshëm, të veçantë, obsesiv e vizionar me plot e pëplot vepra, por që vetëm dy iu përkthyen në anglisht.

Fjalitë e tij të palodhshme por lodhëse – një e vetme mundet me e përfundu një kapitull të tërë – duken të pafundme, dhe na shfaqen pa ndarje mes paragrafësh.

Shpesh është e vështirë të kuptohet se çka mendojnë personazhet e Krasznahorkait sepse bota e tij trillore tundet kah një zbulim i madh që s’vjen që s’vjen. Te “Lufta dhe Lufta,” Gyorgy Korin, arkivist e historian lokal nga një qytezë hungareze, është në çmendje e sipër. Përgjatë krejt novelës, ai rri “te dera e një perceptimi vendimtar,” por kurrnjëherë s’kallëzon se çka është ai perceptim.

Qe një citim i gjatë nga ky libër:

“sepse s’i vinte të kthehej në banesën e zbrazët për ditëlindje, dhe përnjëmend veç kur ndodhi, veç kur e kapi, perëndi e lume, ai s’po merrte vesh asgjë, që ishte me kuptu diçka të tmerrshme, tha ai, sidomos në mënyrën qysh i ndodhi me krejt atë banalitet, vulgaritet, dhe në një shkallë aq qesharake sa të sëmurte, ama kjo ishte poenta, tha ai, mënyra qysh ai, në moshën katërdhjetë-e-katër-vjeçare, e kishte marrë vesh se çfarë budallai i dukej vetes, sa boshe, sa kokëtrashë kishte qenë në të kuptuarit e botës këto katëdhjetë-e-katër vjet,, sepse, siç e kuptoi ndanë lumit, jo që s’e kishte kuptu botën, por s’kishte kuptu kurrgjë për kurrgjë hiç, dhe më e keqja ishte se për katëdhjetë-e-katër vjet ai kishte mendu se e kishte kuptu, e në realitet s’kishte qenë ashtu; dhe kjo në fakt ishte gjëja më e keqe atë natë ditëlindjeje kur u ul ndanë lumit, më e keqja sepse fakti që tash po e merrte vesh që s’e kishte kuptu nuk nënkuptonte se po e kuptonte, sepse me qenë i vetëdijshëm për mungesën e njohjes s’Ishte në vetëvete ndonjë formë e re e njohjes që do ta zëvendësonte të mëparshmen, por e tillë që e shfaqte veten si një enigmë tmerruese në momentin që mendoi për botën, siç mendoi i tërbuar atë natë, duke e torturuar veten për me kuptu dhe duke dështu, sepse enigma dukej gjithnjë e më komplekse dhe ai nisi me mendu qysh kjo botë-enigmë që donte me kuptu, që po e torturonte veten duke provu me kuptu, ishte në fakt një enigmë për veten dhe botën njëkohësisht, që ata ishin në realitet një gjë e vetme, e ky ishte konkluzioni ku kishte mbërri deri tash, por s’ishte dorëzu ende, kur pas nja dy ditësh, ai vërejti se kishte diçka që s’shkonte me kokën e tij.”

Ky pasazh na i shfaq shumë prej cilësive të Ksasznahorkait: vazhdimësinë e palodhshme të sintaksës; mënyrën qysh i shtrihej mendja personazhit Korin dhe më pas i kthehej mbrapsht, si një akrep i marrë që provon me thumbu veten; vendosja e përsësosur komike e frazës së fundit. Proza e ka një farë përzierje vetëkorrigjuese, sikur diçka përnjëmend po ndodhte, e megjithatë, këto korrigjime kurrë s’rezultojnë në përgjigjen korrekte.

Te “Lufta dhe Lufta” – epigrafi i së cilës është “Parajsa është e trishtë” – Korini e gjen një dorëshkrim në arkivën ku punonte. E mori tekstin, që dukej se datonte nga vitet 1940 – në një kuti me etiketën “Letra familjare pa ndonjë rëndësi të veçantë.” Ky tekst është një narracion fiksional për katër burra, të quajtur Kasser, Falke, Bengazza dhe Toot, që i kanë disa aventura, prej Krete në Koln e në veri të Anglisë, dhe në periudha të ndryshme historike. Korini trulloset prej bukurisë së këtij dorëshkrimi të panjohur; momenti kur e kap nga kutia, “jeta i ndryshon përgjithmonë”. Veçse në gjendje jostabile, ai vendos që dorëshkrimi ka një përgjigje religjioze apo vizionare për “enigmën” e jetës së tij. Ai është i sigurt se përnjëmend teksti flet për “Kopshtin e Edenit” dhe vendos që me shku në atë që e sheh si “qendrën e botës, në një vend ku gjërat përnjëmend ka vlerë, ku gjërat ndodhin, në një vend si Roma e dikurshme, antike, ku vendimet merren dhe ngjarjet ngjajnë, për me gjetë atë vend dhe me lënë pas gjithçka,”  Ai vendos që ky vend është Nju Jorku. Aty do ta publikojë dorëshkrimin duke e postuar në Internet. Dhe, mendon ai, atëherë jetës së tij do t’i vijë fundi.

László Krasznahorkai ka lindur në Gyula, në juglindje të Hungarisë, më 1954. Ai ka jetuar edhe në Gjermani edhe në Amerikë, por emri i tij është më i njohur në Evropë. Ai njihet më së shumti për bashkëpunimin që ka pasur me regjistorin Bela Tarr, i cili veprat e tij i ka bërë filma.

Te Krasznahorkai shpesh s’ia kemi idenë se çka i motivon trillet e tij. Ta lexosh atë është sikur të shohosh një grup njerëzish të mbledhur në rreth në një shesh, duke i ngrohur duart pranë zjarrit, vetëm për ta kuptuar, derisa i afrohemi, se nuk ka zjarr, dhe se janë mbledhur rreth kurrgjëje hiç.

Te “Lufta dhe Lufta”, Korini udhëton për Nju York, strehohet me një përkthyes hungarez, z. Sarvary, e merr një kompiuter dhe fillon të shtypë tekstin e këtij dorëshkrimi jashtëzakonisht të rëndësishëm. Por, dëshpërimi i lidhjes së tij me tekstin barazvlerësohet me pamundësinë e tij që ta përshkruajë rëndësinë e vërtetë të tij:

“Qysh në tri fjalitë e para ai u bind se po lexonte diçka të jashtëzakonshme, diçka aq larg të zakonshmes, e informoi Korini z. Sarvary, sa do të mund të thoshte bile edhe se, kjo vepër që ndodhej në posedimin e tij, ishte vepër e një gjenialiteti kozmik që dridhte themelet e gjithçkaje, dhe duke e menduar këtë gjë, ai vazhdoi të lexonte e rilexonte fjalitë deri në mëngjes, dhe sapo doli dielli u bë natë prapë, rreth orës gjashtë në mbrëmje, dhe ai e dinte, absolutisht e dinte, që duhej të bënte diçka në lidhje për krejt ato mendime të pafundme që i formoheshin në krye, mendime që kishin të bënin me vendime të mëdha për jetë a vdekje, për të mos kthyer dorëshkrimin në arkivë por që të sigurohej në pavdekshmërinë e tij në një vend të duhur…. se ai duhej ta bënte këtë dije bazën e jetës që i kishte mbetur, dhe z. Sarvary duhej ta kuptonte që kjo duhej të kuptohej në sensin më strikt të mundshëm, sepse kur të agonte ai do të kishte vendosur që, marrë parasysh faktin se donte të vdiste ashtu-kështu, dhe që ai e zateti rastësisht të vërtetën, s’kishte çka të bëhej tjetër përpos… në sensin më strikt të mundshëm, ta bazonte jetën në pavdekshmëri.”

Jo vetëm që kjo e vërtetë që e zatet Korini nuk definohet; por po ashtu vet Krasznahorkai e ndalon Korinin. Pasazhi i mësipërm është përshkrim në veten e tretë, por vërejeni se në çfarë forme të çuditshme e jostabile që e devijon nga raportimi i një aktiviteti që po ndodhë (“vazhdoi me lexu e rilexu fjali deri në mëngjes”), përshkrimi i një gjendjeje mendore (“duhej të bënte diçka për ato mendime të pafundme që i formoheshin në krye”) dhe një raportim i një monologu të pandalshëm që Korini duket se po i jep z. Savary (“diçka aq larg të zakonshmes, Korini e informoi z. Savary”). I gjithë ky pasazh, edhe në ato elemente që duket se gjejnë mbështetje në fakte objektive, ka cilësorin e halucinimit. Kuptohet që Korini e kalon kohën ose duke folur si maniak me njerëz tjerë ose duke folur si maniak me veten, dhe se ndoshta s’ka fort rëndësi mes këtyre dyjave. Gati secila faqe te “Lufta dhe Lufta” përmban frazën “tha Korini” apo ndonjë variacion të saj. Kjo është një parodi e atribuimit të burimit që e gjejmë nëpër gazeta, qëllimi i të cilave është që të vihet në dyshim autoriteti gazetaresk. Në një moment te “Lufta dhe Lufta”, ne e hasim këtë konfuzion sublim: “Më beso kur ta them, siç e kam thënë më herët, tha ai, se krejt kjo gjë është e palexueshme, çmenduri!!!”

Në Nju Jork, Korini fillon që t’i tregojë z. Savary, dhe më pas partneres së tij, për dorëshkrimin. Ditë pas dite, ai ulet në kuzhinë, dhe i ritregon rrëfimet për Kasserin, Falken, Bengazzan dhe Tootin. Krasznahorkai riprodhon këto trille të bukura – ka pasazhe të jashtëzakonshme për Katedralen e Kolnit dhe Murin e Hadrianit. Korini i rrëfen partneres së Sarvaryt se, derisa lexon dorëshkrimin dhe e shtypë atë në kompiuter, ai mund “të shohë” këto karaktere, sepse teksti ka fuqi mrekullibërëse. Dhe ngadalë-dalë, lexuesi e zbulon atë që e ka dyshu prej fillimit, që Korini s’ka gjetë kurrfarë dorëshkrimi por që po e shkruan të vetin në Nju Jork; që “dorëshkrimi” është një trill mendor, një vizion transcedent i një të çmenduri. Etiketa “tha Korini” paevitueshëm rrëshqet në “shkroi Korini.” Të lexosh, të thuash, të shkruash, të mendosh dhe të shpikësh pështjellohen keq në mendjen e Korinit, dhe pashmangshëm se pështjellohen edhe në mendjen e lexuesit.

Mu për këto arsye, kjo është një prej përvojave më turbulluese që kam pasur si lexues. Deri në fund të novelës, ndihesha sikur i isha afruar të banuarit brenda mendjes së një njeriu tjetër aq sa letërsia mund të ma lejonte një gjë të tillë, dhe në veçanti banimit të një mendjeje te “lufta dhe lufta” – mendje jo pa vizione bukurie por po ashtu krejt e humbur në trillet e saj të pakomunikueshme, në dhimbtën qesharakisht pjellore (“Parajsa është e trishtë”). Kjo dhimbje është e mbishkruar te “Lufta dhe Lufta” ashtu siç Korini ndihet se dhimbta përshkruhet në faqet e dorëshkrimit të tij:

“Dorëshkrimi e kishte një interes të vetëm, dhe ai ishte që realiteti të ekzaminohej deri në pikën e marrëzisë, dhe përjetimi i krejt imtësirave intenzivisht të çmendura, gravurat nga përsëritjet maniake të lëndës në imagjinatë, ishin, dhe e besonte këtë gjë fjalëpërfjalshëm, shpjegonte Korini, sikur shkrimtari të kishte shkruar tekstin jo me laps e me fjalë por me thonjtë e tij, duke e gërvishtër letrën në letër dhe në mendje.”

Lexo tekstin e plotë në anglisht duke klikuar KËTU.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: