Shkruan: Gazmend Demolli
Më 24 dhjetor 2021, kryetari i Kuvendit propozoi votim të përshpejtuar në pako për rreth 12–13 projektligje (marrëveshje ndërkombëtare, nisma në shëndetësi dhe ligji për gjysmëpërçuesit). Opozita e kundërshtoi për paqartësi procedurash dhe volum rreth 600 faqesh pa kohë shqyrtimi, duke e cilësuar nxitim për statistika. Me të drejtë.
Pas refuzimit të procedurës së përshpejtuar dhe të votimit në pako, Kuvendi vijoi me votime të ndara ku disa nisma u trajtuan dhe u miratuan individualisht.
Votimi në pako—qoftë për akte ligjore, qoftë për emërime—është, në thelb, një tregti dushk-për-gogla, veçanërisht në kushte mosbesimi reciprok, për të mbledhur një shumicë të kombinuar votash që ndaras nuk do të sigurohej. Megjithatë, nuk ekziston legjislacion, rregullore apo dispozitë që ta kodifikojë votimin e përshpejtuar në pako si modalitetin e vetëm.
Lista Serbe, të cilës i takonte propozimi, nuk e siguroi shumicën e nevojshme për ta zgjedhur kandidatin e saj. Ajo nuk dha vota kur palët e tjera kishin pasur nevojë; dhe kur erdhi radha e saj, u pa se nuk i kishte numrat.
Pikërisht për të mos rrezikuar që, nëse votohej në bllok, të refuzohej në pako edhe nënkryetarja tjetër nga komunitetet, propozuesi i kandidates Emilija Rexhepi, kërkoi në mënyrë eksplicite që ata dëshirojnë që votimi për kandidaten e tyre të bëhet ndaras. Pra, nuk u ra dakord për votim të përbashkët. Në votimin e ndarë, ajo mori përkrahje të gjerë, përfshirë edhe nga radhët e LDK-së—një parti që, nga institucionaliste, është zhvendosur drejt një nihilizmi politik, që refuzon përmes mospjesëmarrjes. Në fakt jam 100% i sigurtë që kjo LDK nuk do të votojë asgjë, nuk do të bashkpunojë me askënd. Për asgjë. Nejse.
Kjo procedurë e rregullt nuk u kontestua pra nga askush. Lista Serbe propozoi më pas kandidatin e saj, i cili nuk i mori votat tri herë radhazi. Kryesuesi u kërkoi ta zëvendësonin kandidatin për të vijuar votimin; ata refuzuan dhe nuk propozuan kandidat tjetër. Në mungesë propozimesh, u vendos të kalohej te shorti.
Shorti është i parashikuar në Rregullore pikërisht për të shmangur bllokimin nga një parti me vende të rezervuara, por pa vullnet për të formuar institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, as pas shortit nuk u sigurua shumica për asnjërin prej kandidatëve. LDK-ja nisi të mos merrte pjesë në votim, përkundër aktgjykimit që obligon pjesmarrje, ndërsa PDK-ja, duke abstenuar, siguroi kuorumin që procedura të vazhdonte. Sot e riktheva inqizimin e seances dhe bëra një zoom maksimal në pjesën e majtë të ekranit, dhe e shpejtova 3X, doja ta shihja si reagonin pikërisht deputetët e LDK, mes telefonatave, dhe mesazheve. Teatër.
Pas shterimit të të gjitha mjeteve në dispozicion, seanca u mbyll pa zgjedhur nënkryetarin. U përmbyll pra, u konstituua Kuvendi. Nënkryetari nga komuniteti serb do të zgjidhet në një nga seancat e ardhshme, ose jo, pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese për këtë rast.
LDK dhe PDK u ndanë të paknaqura dhe kanë filluar të akuzojnë për moskushtetshmërinë e përmbylljes së seancës. Nuk e di saktë çka kontestojnë. Kanë mundur të zgjedhin Simiqin nga Lista Serbe, por nuk e besoj dot se do të përcilleshin nga vetë deputetët e tyre. Por definitivisht kanë mundur të votojnë për Rashiqin. Absolutisht kanë mundur, dhe do të ishte e drejtë.
Lista Serbe do të mbajë portofolin ministror që i takon, kur të bëhet qeveria; do të ketë kryetarë komunash e drejtorë me bollëk; asambleistë, anëtarë komisionesh e çfarë tjetër. Presioni, shantazhi dhe pozicioni i forcës do t’u ndihmojë të shtrijnë hegjemoninë dhe autoritarizmin brenda komunitetit serb. Hegjemoni që është parë dhe që ka qenë destruktive ndaj bashkjetesës.
Rinia serbe po demonstron prej kohësh në Beograd e gjetiu kundër hegjemonisë dhe autoritarizmit të Vuçiçit, partisë dhe vasalëve të tij. Kur i sheh imazhet e kupton se Vuçiçi nuk është i vetmi që përfaqëson serbët, as Lista Serbe. Sot e bënë me forcë por nuk do t’u rrijë gjatë kungulli mbi ujë. As atje as këtu.
Lojrat e partive politike për të shtyer eventualitetin e zgjedhjeve, edhe kuptohen. Është për t’u habitur se si një pjesë e shoqërisë civile mallëngjehet—dhe na i mallëngjen edhe neve—pse një pozitë krejtësisht simbolike po i shmanget hegjemonisë së Listës Serbe, pra influencës së Vuçiçit, SNS-it dhe Radoiçiqit.