Shfaqja teatrale “Kufiri” e cila është reprizuar në teatrin “Oda” është një vepër që, përmes një gjuhe simbolike dhe një strukture dramatike është ndërtuar me ndjeshmëri dhe ironi therëse, duke zhveshur realitetin e dhimbshëm të migrimit – një fenomen që nuk përfaqëson më vetëm një nevojë ekonomike, por një dëshpërim ekzistencial, një kërkim të shpresës përtej kufirit, përtej kufomës së një bote që ka humbur empatinë.
Që në fillim, publiku përballet me një pamje tronditëse, një fëmijë 12-vjeçar i cili ka ndërruar jetë pranë kufirit, një imazh që në mënyrë të heshtur por tronditëse flet më shumë sesa gjithçka tjetër. Kjo skenë e parë nuk është thjesht një hyrje dramatike – ajo është një akt akuzues ndaj një bote që ka dështuar të mbrojë më të pambrojturit.
Por “Kufiri” nuk ndalet tek tragjedia – ai shkon më tej, duke ironizuar mediat bashkëkohore, të cilat, në vend që të ngrenë vetëdijen apo të nxjerrin në pah dramën humane, e shndërrojnë edhe një kufomë të njomë në një mjet për klikime. Gazetarët në skenë nuk janë mbartës të së vërtetës, por zbrazësi cinike që filmojnë pa mëshirë, pa empati, pa reflektim. Këto personazhe janë një pasqyrë e mediave që kanë harruar misionin e tyre etik dhe e kanë kthyer tragjedinë në spektakël. Shfaqja kështu demaskon një industri informacioni të dehumanizuar që e konsumon dhimbjen si mall tregu.
“Kufiri” mund të lexohet si një manifest modern mbi kufijtë – jo vetëm ata gjeografikë, por edhe kufijtë etikë, kufijtë e përgjegjësisë, kufijtë e ndjeshmërisë. Kufiri nuk është më një vijë që ndan vendet, por një mur që ndan njeriun nga njeriu, që ndan jetën nga indiferenca. Shfaqja ndërton një rrëfim ku estetika bashkohet me kriticizmin shoqëror, dhe ku teatri nuk është vend eskapizmi, por një mjet për t’i thirrur ndërgjegjes.
“Kufiri” është shkruar nga Ana Ristoska Trpenoska, me regji të Sovran Nrecajt dhe luajtur nga aktorët: Shpëtim Slemani, Verona Koxha, Blend Sadku, Kosovare Krasniqi dhe Leart Nrecaj.
“Për mua ka qenë me rëndësi të eksploroj më shumë mbi këtë temë, për arsye se shumica e njerëzve të cilët jetojnë në Kosovë, në përgjithësi në Ballkan, një prej qëllimeve të tyre jetësore, me aq sa më ka rastisë të flas me njerëz nga këto vende të ndryshme e kam parë që ai qëllim i tyre është ta lëshojnë vendin, të zhvendosen, edhe shumë të tjerë të cilët ndoshta e kanë arritur këtë qëllim, prapë është njëfarë pengu që i mbanë në vendin e tyre. Janë të huaj edhe atje edhe në vendin e tyre,” – ka thënë Sovran Nrecaj njëherazi edhe regjisor i shfaqjes.
Ai më tutje ka theksuar se ka qenë e rëndësishme të tentohet që këto storje të ndryshme, të këtyre njerëzve të ndryshëm, në rrethana të ndryshme, të nxirren prej statistikave për t’u dhënë zë storjeve të tyre në skenë.
“Pak a shumë ironizohet ose tentohet të paraqitet një version i mediave, shumë versione të policëve kufitarë dhe të politikave të ndryshme të cilat për mendimin tim kanë ndikuar që të shumëfishohet kjo dhimbje dhe kjo lloj fatkeqësie e migrimit ilegal. Për t’u kthyer tek mediat, kemi tentuar që përmes mediumit tjetër që është video të paraqiten dy lloje të mediave, ose ndoshta dy lloj gjërash që i shohim në ekran, njëra është ku paraqitet një gazetare e cila tenton të ngrehë më shumë prej kësaj teme, me qëllimin kryesor që është për click-bite dhe pjesa tjetër është ku shihen video reale të njerëzve të ndryshëm të cilët kanë migruar”, ka thënë ai.
Simbolika e disa drunjve që bien nga duart e një prej personazheve dhe përsëri rregullohen dhe kthehen në gjendje të mëparshme.
Nrecaj ka theksuar për magazinën TJETËR se fillimisht, ajo pjesë është një shkëputje e fëmijërisë së atij djali i cili lojën e tij detyrohet ta bëjë në një rrethanë krejt të ndryshme, që nënkupton distancën, përmes afërsisë dhe distancës së prindërve të tij, njëri në mërgim e tjetri duke e kërkuar djalin në ato skena, ai në njëfarë forme detyrohet që lojën e tij imagjinare ta bëjë në këtë kufirin imagjinar, ato copëza druri apo ajo pjesë e lojës mundet ndoshta të mendohet si një perceptim i një shoqërie përmes fëmijëve, ku ai i bën edhe shikuesit pjesë të saj, e cila rrëzohet, shkatërrohet dhe prapë rregullohet ose formohet, ajo ka qenë ideja e saj si simbolikë e këtyre copëzave të drurit.
Shpëtim Selmani ka thënë se migrimi nuk është veç sot, migrimi, lëvizjet e njerëzve janë prej shumë vitesh, mendoj që sot migrimi shkaktohet prej krizave politike, edhe Ballkani i Hapur si pjesë e shfaqjes, janë elemente politike që i ka futur autorja të tregojë që gjithmonë për shkaqe politike, si luftërat e kështu me radhë, njerëzit edhe migrojnë.
“Në botëkuptimin tim personal, për mua është një problematike, ndoshta edhe të them është pak qesharake, pak utopike, por, mendoj që përderisa ne kemi kufij, ne nuk e kemi arritur ende një nivel si njerëz, si periudhë në një nivel të vetëdijesimit për njëri-tjetrin, sepse mendoj që bota na takon krejtve, komplet edhe këto shtete, vijat kufitare që përmenden tërë kohën në shfaqje shpesh dinë me qenë katastrofike”, është shprehur Selamni.
Selmani ka shtuar se edhe sot kujtohet Bllaca me shumë dhimbje, pas shumë vitesh, kështu që autorja dhe regjisori, Sovrani në këtë rast, e kanë gjetur një temë e cila vërtetë është aktuale dhe nuk do të thotë që nuk ka qenë më herët, dhe nuk do të thotë që nuk do të jetë prapë aktuale, është diçka që përjetohet nonstop.
“Mendoj se është temë universale dhe është shfaqje që shikohet kudo, jo vetëm në teatrin Oda. Me të mund të shkosh kudo, edhe në Afrikë, është një temë e cila i prek të gjithë, na prek të gjithëve edhe gjithë kjo mendoj për shkak të vetëdijesimit të ulët të njerëzve kudo nëpër botë”, ka thënë aktori i kësaj shfaqjeje Shpëtim Selmani për magazinën TJETËR.
“Shumë referenca në art, shfaqje, letërsi dhe kudo kanë kuptime të ndryshme dhe është interesant se si i interpretojnë njerëzit, nuk mendoj që interpretohen vetëm në një mënyrë, p.sh. unë si aktor e interpretoj ndryshe, ndoshta e interpretoj si një ëndërr të një fëmije që thyhet tërë kohën për shkak të përkatësisë së tij etnike, sepse ne lindim pa e zgjedhur identitetin, ne lindim pa i zgjedhur faktorët kryesorë që e determinojnë jetën tonë e që ne nuk i zgjedhim edhe na hidhen si konstrukte hyjnore në duar” ka shtuar ai.
“Kështu që në perceptimin tim personal mund të jetë edhe diçka tjetër, është një ëndërr që i prishet një djali, është një ëndërr që të gjithë e kanë, është një ëndërr e përbashkët mbase për një botë më të mire ose diçka më të mire, për një shtëpi le të themi, mbase ato copëza druri simbolizojnë një shtëpi ku të gjithë neve na takon të ndërtojmë atë shtëpi dhe të jetojmë së bashkë dhe të lumtur brenda asaj shtëpie”, është shprehur Selmani.
Në fund të fundit, “Kufiri” është një thirrje – një apel që na kujton se çdo fëmijë që humb jetën në kufi është një dështim i përbashkët, dhe se as media, as politika, as qytetaria nuk mund të qëndrojnë neutrale para këtij realiteti. Shfaqja na kujton se kufijtë nuk janë vetëm aty jashtë, në tokë të huaj – por edhe brenda nesh, sa herë që nuk reagojmë, nuk ndiejmë, dhe nuk veprojmë.