E shtunë, 7 Qershor, 2025

Kundërshtia analfabete që futi Kosovën në ngërç politik

PolitikëKundërshtia analfabete që futi Kosovën në ngërç politik

Dështoi konstituimi i Kuvendit për herë të dhjetë… për herë të pesëmbëdhjetë… gjashtëmbëdhjetë… tetëmbëdhjetë… njëzet, njëzet, njëzetedytë…

Reagimi shoqëror është i zbehtë. Por, edhe për aq pak sa shprehet tingëllon tepër patetik: “Klasë e papërgjegjshme politike”; “Po iu del rroga me t’parin, e s’po jau ninë për popull”¸”A kanë more këta zot”

Ky ishte vullneti i popullit që u shpreh më 9 shkurt. Marrë kolektivisht, ai s’donte konstituim të Kuvendit dhe s’donte formim të Qeverisë. Ajo çka po bëjnë partitë tash e tre muaj është thjesht jetësimi i premtimeve të dhëna para zgjedhjeve. Populli ishte konfuz kur iu kërkua të zgjidhte të mirin e të keqin në përrallën e partive. Dhe, ai konfuzitet prodhoi bllokadën. Për më tepër, patetizmi na vjen edhe kur e shikojmë më nga afër këtë biçim populli: votoi turli analfabeti e hajvani.

E vërteta është se kjo bllokadë është gjëja më e mirë që i ndodhi Kosovës këto 20 vjet. Kemi para vetes një cullakim dyshtresor.

Ashiqare, kur ka një bllokadë të tillë aq sa pamundësohet edhe konstituimi i Kuvendit duhet të ketë prapa një farë lufte të madhe (ndoshta, jo veç politike). Pra, Kuvendi dështoi të konstituohej njëzet e kusur herë sepse ndasia mes palëve është RADIKALE?! – pyet logjika. Përçarja pra, është e thellë?! – vazhdon pyetja.

Por, i gjithë ky fortifikim pozicionesh ndarëse bie si kullë prej letre kur pyesim: pse?! S’ka asnjë arsye prapa. As ideologjike. As politike. As ushtarake. As ekonomike. Kemi një kundërshti krejtësisht të paelaboruar. Krejtësisht joretorike. Në thelb të gjithë këtij dështimi të Kosovës është një kundërshti analfabete. Kjo është veç shtresa e parë e këtij cullakimi, mbajeni mendjen. Veç shtresa e parë.

Pra, që ta formuloj pak më ndryshe të dashur zonja e zotërinj: një zhvillim politik e kemi krejtësisht të çkuptimësuar. S’ka në të kurrfarë arsyeje, kalkulimi. Është një zhvillim politik që babë e ka banalitetin.

Të kalojmë tash te shtresa e dytë e këtij cullakimi. Është edhe më konkrete. E po ashtu, edhe më shqetësuese. Edhe më gërditëse.

Logjika na thotë se këto dështime të përsëritshme janë rrjedhojë e një mungese kriminale të ambicies për me arritë diçka të madhe. Qe shembulli: a do ta lejonte Albin Kurti këtë dështim të përsëritshëm nëse do të kishte farë plani a vizioni për ndonjë megaprojekt a megareformë?! Përgjigja është tepër e thjeshtë: JO! Ai do të bashkohej me këdo sepse secili bashkim do të zbehej si dëm politik sapo megaprojekti i tij të realizohej.

Këtë dështim të konstituimit të Kuvendit mund ta shihni te programi i secilës parti. Qe Vetëvendosja. Shihni çfarë idesh palidhje. Shihni çfarë dokrrash. S’ka pikë të ambicies për me realizu diçka të madhe e të prekshme për Kosovën.

Zero kreativitet. Zero dije. Zero ambicie.

Prandaj, meqë e dinë edhe vetë se s’do të bëjnë asgjë të hairit, s’e kanë fort gajle të humbin kohë.

Prej Kurtit e deri te Haradinaj e kanë të qartë se s’janë më shumë se bjerrakohës të cilëve iu mungon dija, guximi e takati për t’i dhënë drejtim Kosovës. Prandaj, janë bërë edhe fetishizues të status quo-së.

Që ta përmbledhim: kjo bllokadë na e ekspozoi 1) mungesën komike të arsyeve e kuptimit prapa saj dhe 2) mungesën tragjike të ambicies për zhvillim nga palët.

Është koha që qytetari i Kosovës ta kuptojë njëherë e mirë se nëse e redukton peshën e tij/saj në demokracinë e Kosovës thjesht si votues, atëherë profilet e rreme të Facebook-ut peshojnë njëqind herë më shumë se ai/ajo.

Këto dështime duhet t’ia qartësojnë se nuk ka zgjedhur asnjëherë në Zgjedhje. Në fakt, thjesht ka legjitimuar zgjedhjet e kryetarëve të partive. Disa njerëz që edhe ashtu thjesht iu shfaqën një ditë prej ditësh në edicione lajmesh. Dhe ai i pranoi si pjesë të skenës politike. Disa që kishin prapa kapitalin e një lufte që ndodhi çerek shekulli më parë. Disa që përfituan nga kundërshtimi i kapitalit politik të asaj lufte që ndodhi çerek shekulli më parë.

Dhe mos e harro një gjë: nesër a pasnesër mund të konstituohet Kuvendi e mund të formohet Qeveria. S’ka lidhje prej cilës parti a koalicion. Ama, kjo farë bllokade do të na rrijë përmbi si fantazmë. Sepse s’është bllokadë institucionale. Është bllokadë mentale. Nuk është se ishim nisur diku dhe na doli bllokada. Në fakt, ne ishim në bllokadë. Dështimi i tanishëm ishte thjesht një manifestim i natyrshëm i saj.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: