E hënë, 21 Prill, 2025

Kur grandioziteti i Kurtit kthehet në krizë institucionale

PolitikëKur grandioziteti i Kurtit kthehet në krizë institucionale

Shkruan: Gazmend Demolli

Që në start, hajde ta sqarojmë një gjë: “Kryeministër në Detyrë” është titulli për një kryeministër në fuqi të plotë, me gjithë shkëlqimin e pushtetit. “Ushtrues i Detyrës”, nga ana tjetër, përdoret për periudhën kalimtare pas përfundimit të mandatit deri te dorëzimi i detyrës.

I shfletova dokumentet zyrtare të Republikës së Shqipërisë për të konfirmuar atë që për mua ishte e natyrshme, sepse, siç duket, në gjuhën që po përdoret në Kosovë ka një konfuzion të madh dhe, si rrjedhojë, një mini-krizë teatrale në Prishtinë. Nëse për asgjë tjetër, sigurisht se për çështje gjuhësore, konsultimi i teksteve në Shqipëri na ndihmon.

Kurti ka një tendencë grandioziteti në sjelljet dhe gjuhën e tij. Kjo prirje për të fryrë, zbukuruar arritjet, për të ekzagjeruar qëndrimet, të bëmat. Por edhe titujt. Sikur brucoshët në LinkedIn që, në mungesë të përvojave të vërteta, shpikin terma për t’u dukur më interesantë. Teknik i Lartë i Mirëmbajtjes, kur në fakt është thjesht pastrues.

Por grandioziteti i Kurtit nuk ia pranonte vetëvetes termin “ushtrues detyre” ose “në dorëheqje”. Sepse Kurti nuk pranon të jetë më pak se i plotfuqishëm. Nuk pranon të jetë ushtrues detyre. Interesante se si as në gjuhën e folur shqipe nuk përdoret fjala “njerk”, që do të thotë burri i nanës, një lloj ushtrues detyre i babës.

Zakonisht, mbiemri “në detyrë” i shtohet një titulli vetëm atëherë kur duam të theksojmë karakterin e tij të plotfuqishëm, krahas ushtruesit të detyrës, që shpesh ka kompetenca më të kufizuara. E dëgjojmë shpesh si “ushtrues detyre i drejtorit” ose “u.d. i Kryeprokurorit”.

Kjo, megjithatë, do të mund të kalonte si një ves i keq, nëse nuk do të bëhej mollë sherri institucionale në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Neni 26. Në rast se një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo u lexua nga të gjithë si kërkesë ligjore edhe për ushtruesit e detyrës, kur në fakt specifikisht thuhet “në detyrë”. Kap njërin, mëshoj tjetrit. Nga Enver Hasani e deri te Presidentja Osmani, duke kaluar nga të gjithë deputetët, partitë politike, juristët, analistët, komentatorët.

Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, si sponsorë të këtij ligji, me kot e thonë se kjo ka kuptim tjetër. Se nuk duhet të ketë vakum qeverisës. Me kot, sepse konfuzioni vjen nga vet dëshira grandioze e Kurtit për t’u quajtur “në detyrë”. Në krye të detyrës.

Nëse keni ndonjë dyshim, lexoni ligjin në anglisht, aty thuhet “incumbent member”. Kjo nuk lë asnjë dyshim se bëhet fjalë për ministrat në detyrë të plotë, dhe asnjëherë për ushtruesit e detyrës.

Por hajde në mujshi, shtyjeni Kurtin t’i thotë vetes Ushtrues Detyre!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: