E shtunë, 7 Qershor, 2025

Kur ishte zhvillimi i fundit politik në Kosovë?

PolitikëKur ishte zhvillimi i fundit politik në Kosovë?

Rritja e çmimit të vezëve ishte më e rëndësishme si çështje për votuesit amerikanë sesa rreziku që po i kanosej demokracisë 250-vjeçare të tyre.

Donald Trumpit – miliarderit skandaloz që u bë president – iu desh të shfaqej në fushatë para produkteve ushqimore për ta bërë më sensacionale rritjen e çmimeve.

Ndikimi në çmime të produkteve ushqimore vazhdon të përcillet me shumë vëmendje nga mediat amerikane edhe sot sepse është i lidhur direkt me popullaritetin e presidentit. Dhe pikërisht pamundësia e Trumpit që si president t’i ulte çmimet e ushqimeve brenda 100 ditëve të para i dha atij goditjen më të madhe politike deri tash pasi i vendosi tarifa krejt botës. Nuk ishin skandalet e tjera të tij. Nuk ishte as kriza kushtetuese. Ishte çmimi i vezëve dhe produkteve tjera që e goditi popullaritetin e Trumpit.

Në Kosovë, ndërkohë, rritja e çmimeve të plot produkteve vazhdon të ndodhë e papenguar nga ndonjë mbikëqyrje shtetërore a nga ndonjë kontestim publik. Dikush e bën një kukamë si kjo nëpër media sociale, dhe pastaj secili i rikthehet punëve të veta. Po politika? Eh, në këtë pikë duhet me u ndalë.

Dështimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës besoj se po ekspozon partitë politike në Kosovë thjesht dhe vetëm si grupe interesash private që ndodhen përbrenda një grindjeje private. Preokupimi i tyre s’është dhe s’ka qenë asnjëherë qytetari i varfëruar i Kosovës nga rritja e çmimeve. Nga një ekonomi që s’e përkthen rritjen e saj në mirëqenie të qytetarit. Preokupimi i tyre ishte dhe mbeti emri i kryekuvendarit, kryeministrit, ministrave.

Logjika thotë se sikur dikush prej liderëve të partive politike ta kishte ndonjë zgjidhje për çfarëdo problemi, atëherë do të bënte marrëveshje politike që të ecej para. Sepse, përveç që do të donte të zgjidhej ai problem edhe do të merrte popullaritet të madh. Por, s’ka.

Kosova si shtet vazhdon të humbë edhe betejat me problemet më minore: lufta me qentë endacakë; lufta me bërllokun; lufta me pirjen e duhanit brenda ambienteve të mbyllura; lufta me ajrin e ndotur; lufta kundër betonit. Natyrisht, e humbur që në nisje ishte dhe mbeti edhe lufta me tregtarët abuzivë që na i rrisin çmimet.

Kosova s’është në krizë kushtetuese. Është në krizë mentale. Meqë mungojnë politikat zhvillimore, prirja e secilit lider politik në Kosovë është pengimi. Edhe nëse tejkalohet kjo situatë dhe konstituohet kuvendi e formohet qeveria… na presin kriza të reja sepse prirja e liderëve politikë është pengimi.

Tash e 261 ditë janë shpallë zgjedhjet. Tash e tre muaj u mbajtën ato. S’ka ende as Kuvend e as Qeveri. E më e keqja është se s’ka as zhvillime tjera politike që burojnë nga partitë e zgjedhura. Shkoni në WayBack Machine dhe kërkoni në portalet tuaja të preferuara për zhvillimin e fundit të këtij lloji. S’ka! Do t’iu duhet të ktheheni deri në marsin e vitit të kaluar.

Çështja pra është se rrëfimet e mëdha të tri partive politike në Kosovë kanë kollapsu. Asnjëra s’ka më mesazhe kryesore. S’ka narrativë. S’ka kundërnarrativë. Kollaps total! Rivaliteti mes palëve s’e frymëzon askënd më sepse bazohet thjesht në disa mbeturina të një të kaluare në të cilën s’duam të jetojmë më. Nevojat qytetare janë shumë më të mëdha. Ndërkohë, duhet thënë edhe se sistemi ynë politik s’e duron shumë teatralitetin meqë ndodhet përherë në kërkim të zgjidhësve të problemit. E zgjidhës problemesh s’kemi.

Qytetari i Kosovës duhet t’i shporrë këta liderë politikë prej jetës së tij. Secilin një nga një. E di që është e zorshme të imagjinohet tash për tash, por duhet të ketë kërkim kolektiv për alternativë tjetër. S’mund të jenë Albin Kurti, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku krejt çka ofron shoqëria jonë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: