E shtunë, 19 Korrik, 2025

Kur kali bëhet terapist: Qysh po ndihmon terapia me kuaj rehabilitimin e veteranëve amerikanë nëpër burgje

MendjeKur kali bëhet terapist: Qysh po ndihmon terapia me kuaj rehabilitimin e veteranëve amerikanë nëpër burgje

Në disa burgje të Shteteve të Bashkuara, një numër veteranësh të luftës po e kalojnë kohën e tyre me kuaj. Jo për me i hipë ose për qëllime sportive, por për me u shëru shpirtërisht. Terapia me kuaj po përdoret si mjet i ri për me e ndihmu rehabilitimin emocional dhe shoqëror të këtyre burrave që kanë përjetu traumë, luftë dhe më pas, burgim.

Shumë veteranë amerikanë përballen me vështirësi serioze pas kthimit nga lufta. Trauma, depresioni, ankthi dhe mungesa e mbështetjes shoqërore i shtyjnë disa prej tyre drejt vetizolimit, varësisë ose sjelljeve të dhunshme.

Statistikat tregojnë se veteranët kanë deri në dyfish më shumë gjasa me përfundu në burg krahasuar me qytetarët civilë. Kjo e bën edhe më urgjente nevojën për forma të reja dhe më njerëzore të rehabilitimit.

Ky trajtim nuk përfshin kalërim. Pjesëmarrësit mësojnë me u përkujdesë për kuajt: me i ushqy, me i pastru, me i çu në shëtitje, me i ndëgju. Ky kontakt i përditshëm me një krijesë të ndjeshme e të fuqishme i ndihmon veteranët me zhvillu ndjenja të durimit, vetëkontrollit dhe besimit.

Kuajt janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj gjendjes emocionale të njeriut. Nëse një veteran është nervoz, i shqetësuar apo emocionalisht i tërhequr, kali mundet me u zmbrapsë ose me refuzu kontaktin. Kjo i detyron pjesëmarrësit me u qetësu, me reflektu dhe me komuniku pa fjalë – përmes gjuhës së trupit dhe energjisë që e përcjellin.

Terapistët që e ndjekin procesin e përdorin sjelljen e kalit si pasqyrë për gjendjen e brendshme të pjesëmarrësit. Me pyet: “Pse kali ishte i vërenjtur sot? Çka ndodhi me ty që e shkaktoi këtë gjë?” Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit e shohin efektin e emocioneve të veta në një krijesë tjetër dhe mësojnë me i emërtu dhe me i përballu ato.

Për shumë veteranë, kjo është hera e parë që ndihen të dëgjuar – edhe pse jo nga njerëzit, por nga një kafshë që nuk kërkon shpjegime, por vetëm sinqeritet dhe qetësi.

Rezultatet janë premtuese. Shumë prej tyre kanë përmirësu sjelljen në burg. Kanë shfaqë më pak shpërthime të zemërimit. Kanë tregu empati dhe janë ndje të dobishëm. Disa prej tyre, pas lirimit, kanë zgjedhë me vazhdu me punu me kafshë.

Terapia me kuaj nuk ofron zgjidhje magjike. Por, për shumë prej këtyre burrave që kanë humbë besimin në vete dhe në shoqëri, ajo është një mundësi e vogël për me u rikthy – ngadalë, në kontakt me botën dhe me veten.

Për fat të keq, në Kosovë nuk ka statistika në lidhje me mirëqenien mendore të veteranëve të luftës së fundit. Ashtu siç nuk ka në lidhje me numrin e atyre që kanë përfunduar nëpër burgje. Ka pasur raportime të shumta ndërkohë në lidhje me numrin e vetëvrasjeve të tyre.

Në mungesë të hulumtimeve, mbështetjes institucionale dhe qasjeve terapeutike alternative, shumë nga këta individë vazhdojnë të vuajnë në heshtje, duke ndier se janë harruar nga shoqëria që dikur e mbrojtën.

Shembulli i programit në SHBA na tregon se trajtimi i plagëve emocionale kërkon kreativitet, empati dhe bashkëpunim institucional. Ndërthurja e terapisë me kuaj, e natyrës dhe e trajtimit psikologjik është vetëm një nga format që mund të eksplorohen edhe në Kosovë – nëse ekziston vullneti për një gjë të tillë.

Për më shumë, lexoni këtë artikull të gjatë të përgatitur nga BBC.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

Si të flihet?!