Gatishmëria e Fatmir Limajt për me hy në një koalicion qeveritar e ‘habiti’ fort popullin. E habiti deri në atë pikë, sa mbrëmë Ermal Panduri – zbuluesi i asaj gatishmërie – luante topash me të.
Ishte mbrëmja e 20 shkurtit kur Fatmir Limaj na u shfaq nëpër televizorë e nëpër Facebook.. I kishte bërë edhe nja ‘tre milionë’ intervista tjera këto muajt e fundit, por s’ka lidhje.
Tash e pesëmbëdhjetë vjet s’thotë diçka të re, por s’ka lidhje. Është i harxhuar deri te zoti, por s’ka lidhje. Kjo s’i nxjerr telashe që ai secilën herë të shfaqet sikur ka diçka të re për të thënë. E normal, s’ka!
Por, ja që kësaj here – bingo! – ia doli mbanë. U bë lajm!
Ishte mbrëmja e 20 shkurtit – mbrëmje historike – kur ai tha se ishte i gatshëm me hy në koalicion qeveritar. Populli hapi gojën prej habie. Kush mund ta kishte mendu se Fatmir Limaj – hej, Fatmir Limaj – ishte i gatshëm me hy në koalicion qeveritar?
Përgjigja, për të gjithë është e qartë deri në bezdi: TË GJITHË!
Po, po, po, po. Të gjithë e dimë se çfarë qëndrimesh ka Fatmir Limaj, bile pa e çelë gojën hiç. S’ka asnjë skutë në mendjen e asnjë personi në Kosovë ku çudia ka vend. Hiç askund.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
Fatmir Limaj është i harxhuar deri në molisje e i parashikueshëm deri te zoti.
E çka u bë atëherë? Çka ishte gjithë ajo çudi? Qysh ka mundësi që çudia e Fatmir Limajt me zgjatë më shumë se tri ditë – siç thotë populli se zgjat çudia më e madhe?
Përgjigja edhe këtu është tepër e thjeshtë: sepse ishte çudi artificiale.
Ishte çudi e fabrikuar nga faqe Facebook-u me mijëra ndjekës.
E fabrikuar edhe nga fakti se të gjithë politikanët kryesorë, si përnjëherë, ranë me një heshtje të plotë. Ndoshta, të rraskapitur nga fushata e gjatë. 9 shkurti i Zgjedhjeve është 16 ditë larg prej sot. Albin Kurti s’bën asgjë. As Lumir Abdixhiku. As Bedri Hamza. As Ramush Haradinaj. Pas tensionit e dramës që prodhuan zgjedhjet u prodhu një farë etje për ndonjë lëvizje, çfarëdo qoftë.
Dhe… kjo na e prodhoi Fatmir Limajn.
Por, ka diçka më tragjike
Por, ka diçka më tragjike se kaq.
Ermal Panduri – që është afër ta shndërroj RTV Dukagjinin në RTV që prodhon debat 24 orë në ditë (e ndoshta ia ndërron edhe emrin në RTV Debati – s’kishte pasë kurrfarë pritjesh prej asaj interviste me Fatmir Limajn. Shiheni sa herë ka qenë Limaj në emisionin e tij (kliko KËTU).
E prandaj, kur fjalët e Limajt morën jehonë – prej memeve të FB-së e deri te reagimet ‘serioze’ gjeopolitike të Sadri Ramabasë – Panduri u çudit. Qysh? Pse? Limaj, a?
Çudinë e Pandurit me çudinë e popullit e kuptuam dje. Ermal Panduri disa herë gjatë emisionit të mbrëmshëm – që me gjasë s’po i ecte mirë – iu tha shikuesve që të rrinin me e këqyr atë emision sepse në fund do të tregonte çka i kishte thënë Fatmir Limaj pas emisionit. Ishte përpjekje e lodhtë që të luante topash* me popullin, derisa merrte pak shikueshmëri prej fenomenit Limaj.
Natyrisht, emisionit i erdhi fundi dhe s’u tha asgjë. Asgjë tjetër pas emisionit s’i kishte thënë Fatmir Limaj. Por, s’është puna te një rrenë e keqe e e lirë që e thotë dikush në televizion. Te përgjegjësia e fjalës publike. Më thellë është puna.
Por, Ermal Panduri si duket s’po kuptonte diçka edhe më serioze: populli s’është aq budallë. Befasia e popullit me Limajn s’është befasi hiç. Është shtirje. Populli e di që s’ka lajm te Fatmir Limaj sot e 700 vjet, por bëhet sikur ka lajm. Reagimi i tij ishte përgjithësisht artificial.
E kjo është brenga jonë: populli e ka fitu aftësinë me rrejtë veten në sy pa u skuqë; populli po prodhon rrena kolektive.
*Është fjala për poezinë e famshme të Abetares: “hopa-hopa; luajmë topa; tap andej; e tap këndej!”
**Dy fjalë seriozisht: Fatmir Limaj besohet se i ka fitu tre deputetë (ende s’kemi rezultate përfundimtare) në koalicionin me AAK-në. Edhe nëse Limaj i vetëm e pa Haradinajn shkon te Kurti, ky s’përbën ndonjë farë akti tradhtie. Limaj në ato tre milionë intervista që i ka pasë, ka folë gjithmonë për unitet, për bashkim, për ‘o djem mani more’. etj.