Për 15 vjet ishim dëshmitarë të një tregimi: sa më shumë që i shante Albin Kurti Devollët, aq më profesionalisht e trajtonte Klan Kosova Albin Kurtin.
Ky ishte një shembull i jashtëzakonshëm në peizazhin tonë të zymtë mediatik. Një shembull që na thoshte se mediat s’ishin thjesht zgjatje nervore të pronarëve: përbëheshin nga gazetarë profesionistë që s’i nënshtroheshin tekeve të shefit; ku personalizimi s’vinte në shprehje; ku i bëhej thirrje mendjes kritike të qytetarit e jo emocioneve të militantit.
Mirëpo, ky tregim i lakmueshëm mori fund në një ditë janari… që e lypa për t’i bërë homazh punës së gazetarëve të këtij televizioni deri në atë ditë.
Unë e kuptova fundin e tregimit më 25 janar derisa po i ndiqja lajmet qendrore të orës tetë në mbrëmje. S’më besohej çka po shihja e çka po dëgjoja. Ishte fund e krye propagandë irrituese kundër Vetëvendosjes.
Thonin se Grenelli ishte i urryer i VV-së, e se ishte mik i madh i Trumpit. E transmetuan si “bombë” një deklaratë të Ramush Haradinajt se Kurti kishte “agjenta të dyshimta”. Thonin që punëtorët ishin “të dëshpëruar keq” me Qeverinë. Se Kosova në terr, e rryma u shit jashtë vendit. Se po politizoheshin dëshmorët pasi Sveçla e bëri Afrim Bunjakun hero të VV-së. Se VV s’e mbushi sallën. E kështu me radhë.
Çerek të vërteta, gjysëm të vërteta, hiç të vërteta. S’më besohej! Klan Kosova ishte bërë tamam sipas përshkrimeve të sharjeve të Kurtit. Me propagandën e tyre po i jepnin të drejtë propagandës së tij. Po pështynin mbi punën e madhe shumëvjeçare të punëtorëve që i sollën respekt e besim.
Çka ndodhi?!
Ishte data 14 janar. E martë. Ata që besonin në besëtytninë se s’duhej të laheshin të martën nuk laheshin. S’ishte aq ftohtë (3 gradë, temperatura më e ulët në Prishtinë). Pronari i Klan Kosovës ishte nxehë keq nga një sharje e bërë më 13 janar, e hënë, kur mund të laheshin ata që besonin në besëtytninë e mësipërme.
Atë 13 janar, kryeministri Albin Kurti në Pejë i kishte sharë pazakonshëm Devollët. Jo thjesht me regjistrimin e bizneseve në Serbi apo sepse ishin oligarkë. Atë 13 janar ua gjeti ‘thembrën e Akilit’. Ishte babai i tyre, haxhi Ibrahim Devolli.
“Pa kufi ma mirë e pa kufi ma ndershëm, është të rregullojsh, është të ndreqësh, rrota të biçikletave si Ibrahim Devolli… e jo si djemtë e tij. Jo si djemtë e tij…” – tha kryeministri atë të hëne të mosvetshme.
Është pak, tepër tepër pak të thuhet se Shkëlqim e Blerim Devolli e duan tepër tepër shumë babain e tyre të ndjerë. Dhe këtë dashuri e rrokim pikërisht përmes televizionit Klan Kosova.
Vitin e kaluar, ata e kishin transmetuar një program special për Bajram në Xhaminë që mbante emrin e babait Ibrahim.
Dashuria e Devollëve për babain e tyre dhe shfaqja e kësaj dashurie në televizion ishte – të paktën për mua – e çara më e madhe në profesionalizmin e Klan Kosovës deri atëherë. Kishte edhe tjera, por njeriu duhet t’i mbajë sytë kah tabloja e përgjithshme. Dhe Kurti, e shfrytëzoi atë të çarë duke e fyer rahmetliun si “ndreqës biçikletash”.
Shihni edicionet e lajmeve qendrore të Klan Kosovës para se të ndodhte sharja e Kurtit.
Në ditën kur hapet fushata zgjedhore, më 11 janar, ata raportojnë për një gjë të tillë me një farë kritike ndaj të gjitha partive (Nisin super-premtimet). Raportimet tjera janë për gjëra tjera.
Më 12 janar, s’ka asgjë. Më 13 janar, kur ndodhi sharja, ata përsëri vazhduan me qasjen e njëjtë balancuese. Bile patën kronikë edhe për tubimin e VV-së në Pejë ku kishte ndodhur sharja famëkeqe. Gazetarja ankohet nga salla se tubimet kjo parti po i mbante vonë, gjë që e pamundësonte përgatitjen e kronikës. Ajo tregonte për premtimet që bëri VV-ja, në mënyrë shumë korrekte, por jo edhe për sharjen.
Dita D: 14 janari (rreth orës 19:00)
Fatkeqësisht, ky edicion lajmesh nuk është publikuar fare nga Klan Kosova (apo ndoshta, është fshirë?) në kanalin e saj në YouTube. Bash në atë edicion nis prishja e profesionalizmit nga ky televizion.
Kompania Devolli e bën një reagim të ashpër (kërcënoi 15 mijë familje, thonë) dhe prej asaj dite Klan Kosova s’është më e njëjta.
Gazetares që ishte në vend të ngjarjes – në sallë të sporteve ku u mbajt tubimi i sharjes së Ibrahim Devollit – nuk i bëri përshtypje ajo sharje as sa ta përmendte. Por, i bëri Shkëlqimit e Blerimit.
S’e kemi 14 janarin për ta krahasuar me 13 janarin. Por e kemi çdo ditë tjerë prej andej e tutje.
Më 13 janar – para se të ndodhte sharja – sharjt e shfrenuara të Kurtit i prezantuan në hyrje si “kandidatët për kryeministër (pra, Kandidatët në shumës) e nisën fushatën me gjuhë të ashpër ndaj njëri-tjetrit. Në fakt, ishte Kurti ai që shante e piskaste e kështu me radhë.
Më 15 janar tregimi ndërron komplet dhe nisin sulmet dhe raportimet joprofesionale ndaj VV-së.
Për ata që e sulmojnë Klan Kosovën duke thënë se ka qenë gjithmonë njësoj, i lus të futen në arkivën e këtij televizioni dhe t’i shohin raportimet e tyre. Gjithçka ndryshoi më 13 janar kur Albin Kurti ua nguci babën pronarëve të tyre.
Mos ndoshta duhet të vlejë edhe për Klan Kosovën ajo që vlen si kritikë për Vetëvendosjen: “S’ka babë, ka ide?”
Nejse, urime festën e Bajramit (sidomos gazetarëve të Klan Kosovës që s’janë pajtu me atë ndërrim të qasjes) dhe iu ftoj – pa të keq – ta ndiqni nesër transmetimin e Klan Kosovës nga xhamia Haxhi Ibrahim Devolli.