E keni të zorshme me e gjetë një gjykim jotendencioz mbi mashtrimin që i ndodhi kryeministrit Albin Kurtit nga dy hajgarexhitë rus (pa ‘ë’). Qe ku e keni një. Kurti në fakt i mashtroi rusët për t’i bërë të besonin se po iu besonte që ata ishin presidenti i Letonisë. Provat i keni më poshtë.
Askush s’e mohon që s’është gjë e mirë që kryeministri u mashtrua. Dy rusët që u prezantuan si presidenti i Letonisë – Vovan dhe Lexus – mund të jenë pjesë e inteligjencës famëkeqe ruse dhe kjo e rrezikon sigurinë tonë kombëtare. U duk keq në sytë e botës. Në sytë e militantëve. Në syzet e neve që s’shohim aq mirë?! Por… ka një dredhim këtu.
#prova I
Kurti u fut në një listë të begatshme me figura të mëdha anti-Putin në kohën kur orvatjet e tij për ta dëmtuar invazionin rus në Ukrainë po dukeshin sikur nuk po jepnin efekt të madh.
Në këtë listë të njerëzve të mashtruar ku bën pjesë tash edhe Kurti është presidenti Bush, zv. Presidentja Kamala Harris, sekretarja Hillary Clinton, Thomas Bachu i Komitetit Olimpik, Angela Merkeli, Mike Pompeo, David Cameron, Kaja Kallas, Pedro Sanchez etj.
Futja në këtë listë të bereqetshme me emra të mëdhenj e bën Kurtin një tjetër anti-putinist të madh. Dhe i jep zë më shumë në këtë rreth global anti-autokratik?!
Për më tepër, një militant i përbetuar mund të thotë që është nder të jesh mes këtyre emrave. Ndoshta, edhe një i papërbetuar?
Kjo kallëzon – më e pakta – që edhe lufta e Kurtit ndaj Putinit po vërehet. Dhe se s’është aq huqje e madhe meqë iu ndodhi edhe të lartpërmendurve.
Rri me ne. Provat tjera janë edhe më të forta.
# prova II
Kurti s’u paraqit si homofob gjatë atij rrengu. Mos e dëgjoni Halil Matoshin se ngutet. S’po i thoshte rusëve “Grenelli është vetë gej” në kuptimin negativ të fjalës por në kuptimin pozitiv të fjalës. Pra, Grenelli e ka një cilësor të mirë (është gej) por po i del kundër komunitetit të tij.
Por, zonja dhe zotërinj që besoni te barazia mes sekseve e te liria seksuale. Por. Por. Por. Dhe vetëm POR.
Albin Kurti ynë i dashur – lideri më progresiv që tash edhe po e mbështet haptas Kodin Civil – del se është goxha i padijshëm për këto punë. Të mos e dijë Kurti se çka janë drag show-t? Pasha një allah dhemb.
“Besoj që Trumpi e vendosi (Grenellin) në pozitën kundër dragëve? Ose kështu diçka? Kundër LGBTIQ? Edhe pse ai është vetë gay.” – tha Kurti duke i shfaqë pasiguritë e tij.
Kurti i mbushi 50 vjet në bythë më 24 mars. E mos ta dijë çka janë dragët? S’ka shansë.
Zoti na ruajtë!
Albini ynë fatkeqësisht paraqitej që s’e dinte as çka ishte Kennedy Center. Mos ndoshta rusët kanë rënë në rrengun e tyre. Ata janë mashtru që folën me Albin Kurtin?
# prova III
Albin Kurti t’i ngatërrojë talibanët me muxhahedinët?!
“Talibanët furnizoheshin me aq shumë armë derisa e dëbuan Bashkimin Sovietik.”
Zor të besohet kjo. Shumë zor të besohet kjo të nderuar lexues.
Por, ka edhe më zi. Kurti i përngjau Zafir Berishës kur shumësin e talibanëve në anglisht e bëri “talibans”. Kjo është e ngjashme me gabimet e Zafirit. Ta zëmë, kur ai e shkruan “parasyshË”. Ose “puplikishtË”.
Albin, vëllaçko, a je ti? Po, Albin Kurti ishte. Por, po bëhej sikur po iu besonte rusëve.
Ose, mos nuk ishte ky Albin Kurti fare? Mos u përdor ndonjë sozi e tij për t’i mashtruar rusët?!
#Tjetër?
Po, ne jemi Tjetër – magazinë online që funksionon në baza vullnetare. Na mbështet! Përpos teksteve të tilla sarkastike, kemi edhe plot e përplot materiale serioze. Falemnderit!
@tjetermagazine Kurti u mashtrua keq nga dy hajgarexhi rus që u prezantuan si Presidenti i Letonisë #kosova #fyp #albinkurti #kryeministri #prankvideo #hajgare#tjetërmagazine ♬ original sound – tjetermagazine