Rrëfimi për qenin që priste para semaforit s’është aq i thjeshtë. Më besoni që s’është.
Është bërë tashmë virale një video që tregon sesi një qen në Prishtinë priste baraz me këmbësorë në semafor, dhe u nis veç kur u ndez e gjelbra.
E keni gjithandej.
GazetaExpress tha: “Qeni në Prishtinë pret dritën jeshile në semafor për të ecur, respekton rregullat”
Ballkani.info tha: “Qeni në Prishtinë pret dritën jeshile në semafor për të ecur, respekton rregullat”
Insajderi tha: “Qeni në Prishtinë pret dritën jeshile në semafor për të ecur, respekton rregullat”
PrishtinaPress tha: “Qeni në Prishtinë pret dritën jeshile në semafor për të ecur, respekton rregullat”
A po vëreni diçka? Ia kanë vjedhë njëra-tjetrës lajmin këto portale? Po, po por s’është këtu problemi.
Këtu ajo që lë përshtypje është mënyra sesi i referohen qenit në fjalë. Ky është qen endacak, por kësaj here meqë po bën diçka të mirë po i referohen thjesht si qen. Po të bënte diçka të keqe, do t’i referoheshin me mbiemrin endacak.
Si lojtarët nga Kosova që luajnë për Shqipërinë: kur luajnë mirë janë shqiptarë krenarë, por kur luajnë keq janë kosovarë!
Kush është qeni i semaforit?
Bre ku e kishim parë këtë qen?! Ah, po. Ishte i njëjti qen që e kishte pritur semaforin edhe në vitin 2023. Insajderi na informonte atëbotë për këtë veprim të mençur (Pra, i bie që lajmi e Expressit e të tjerë as që ishin të vërtetë. Ajo pritje kishte ndodhë më herët).
Por, ai s’është i vetmi. Qeni në fjalë është mes një numri të madh qensh që kanë pritur të gjelbrën nëpër semaforë të ndryshëm ndër vite.
S’më besoni? Qe një qen tjetër që pret në semafor. Qe një tjetër. Lypni në Google dhe do të shihni plot qen që presin semaforin.
Dhe, askujt s’i referohen njerëzit pas tastierave si qen “endacakë” meqë ky mbiemër tashmë është bërë tepër pezhorativ.
Një gazetar nga Danimarka që jeton/te në Kosovë, Jakob Weizman, ka bërë para disa javësh një shkrim në të cilin denoncon qasjen diskriminuese të mediave, qytetarëve e komunës ndaj qenve endacakë.
Shkrimin e tij mund ta lexoni KËTU.
Për fund, kemi një pyetje për ju: mos po hyjmë në gjynah duke i bërë qentë nga viktima në agresorë? Historia që nuk mësohet, përsëritet. Ne kosovarët e dimë më së miri këtë gjë.