“Numërohen të gjitha votat e vendvotimit në Stamboll: LVV i fiton 40 vota, PDK 8 dhe LDK vetëm 2” – na thotë titulli i një artikulli nga portali Kallxo. Më pas, u raportua gati në secilin portal edhe rezultati në Bern të Zvicrës (VV-ja 301 vota). Më pas na u prezantua edhe rezultati nga një vendvotim – e përsërisim: një vendbotim – në Washington (veç 48 vota). E kështu me radhë.
Pra, po e kuptoni. Portalet e panë se kishte kurreshtje për këto rezultate nga njerëzit dhe raportimet gjysmake – as gjysmake jo – s’na u ndanë gjithë natën e kaluar.
E si duket, këto farë raportimesh të kota për një grusht votash nëpër përfaqësi diplomatike s’do të na ndahen as sot. E ndoshta edhe nesër e pasnesër. Janë diku 15 mijë vota gjithsej nga këto përfaqësi. 79 mijë nga krejt diaspora.
Gjasat që kjo të ndërrojë diçka domethënëse në rezultatin e përgjithshëm s’ekzistojnë. VV-ja edhe nëse mbërrin në 51 ulëse, do të jetë në pozitë më të vështirë sesa herën e kaluar. Në vend të kollitjes së Fatmir Limajt, mund ta dëgjojmë kollitjen e Duda Baljes dhe ndonjë kolegu të saj.
Por, këto janë matematika për të cilat s’do të duhej të preokupohej qytetari i thjeshtë i Kosovës. Interesi i tij për rezultate me nga 30-40 vota është i pashëndetshëm. Ai rezultat mundet me preokupu veç liderin e partisë – nëse është farë maniaku i numrave. Por, jo zyrtarët tjerë partiakë e as militantët e simpatizantët. E kurrqysh hiç një qytetar të rëndomtë të Kosovës.
Vëmendja është valutë
Ky përjetim kaq i personalizuar i qytetarit për disa rezultate të parëndësishme është një tregues tjetër i një depolitizimi të skajshëm që i ka ndodhë. “Politika iu përket liderëve politikë, jo neve.” – na thotë kjo mesele. “Prandaj, krejt çka mund të bëjmë është me u vargu si tifozë të njërit apo tjetrit.”
Por, ka një tjetër element me rëndësi në këtë pikë: vëmendja. Vëmendja për kësi rezultatesh e qytetarëve na tregon se atij i është vjedhë e po i keqpërdoret me të madhe truri prej rrjeteve sociale dhe portaleve.
Përpos ndonjë motivi artistik, askush s’do të interesohej për vendvotimin në Washginton me 48 vota. Apo në Bern me diçka më shumë.
Ekonomia jonë e sotme është ekonomi e vëmendjes. Ajo është një prej aseteve më të mëdha që i përket një individi në ditët e sotme. Dhe lufta mes politikanësh është luftë për vëmendjen tonë. Nëse interesoheni për 48 vota në një vendvotim, atëherë ju zor se keni kohë të interesoheni për shokë e shoqe, të afër, për lagjen apo edhe veten tuaj. Atëherë puna është shumë keq.
“Vëmendja jonë është resurs ekstrem i vlefshëm, dhe disa prej korporatave më të fuqishme të botës po e vjedhin masivisht në forma gjithnjë e më të pavërejtshme, duke na lënë si disa spektatorë të mendjes tonë.” – shkruan gazetari Chris Hayes në the New York Times.
Lufta për vëmendjen tonë është mizore – e përditshme, e përsekondshme – dhe lajmet si rezultati në Washington e Bern na kallëzojnë se po e humbim keq.
S’na kushton asgjë që derisa i kushtojmë vëmendje një teksti a videoje që na shfaqet në rrjete sociale t’i shtrojmë disa pyetje kritike: Pse po e lexoj/këqyri këtë gjë? Çka thotë kjo për mua? Çka thotë për vendin tim? A ia vlen me e humbë një copë jete për me marrë vesh rezultatin e 48 votuesve?
Vëmendja juaj përkthehet në përfitime financiare për njerëzit. Që ta dini!