Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po akuzohet nga Vetëvendosje se ka manipuluar me votat e diasporës të dërguara me postë. Pasi në fillim e mohoi, tash duket se qasja po ndryshon.
Rezultatet që dolën nga këto vota shkaktuan huti te komentatorët politikë. Partia e Abdixhikut kishte mbiperformuar ndjeshëm në raport me rezultatet brenda Kosovës apo edhe në raport me rezultatet e diasporës në Ambasada.
Çudia mbi torte u vu kur u numëruan votat e kandidatëve për deputetë. Ato i përngjanin edhe më pak votës së Kosovës.
Kandidati Hysen Çekaj mori më shumë vota me postë (rreth 12 mijë) se sa vota në kuti votimi (rreth 11 mijë).
Vetëvendosje po kërkon anulim të plotë dhe përsëritje të votimit me postë në ankesën e dërguar në PZAP.
Kjo duket se nxiti edhe reagimin më të ri nga LDK-ja, e i cili është krejt ndryshe nga reagimet e mëparshme.
“Do ta shohin ata. Do të marrim edhe më shumë vota. Do ta bëjmë Hysen Çekajn kandidat për kryeministër të Kosovës” – tha i mllefosur një zyrtar i lartë i kësaj partie.
LDK tha se bërja e Çekajt kandidat për kryeministër mund të ndikonte që ai të fitonte edhe dhjetëfish më shumë vota se më parë.
Indikacione se do të merrnin vota të shumta nga diaspora LDK kishte dhënë edhe para se të mbaheshin zgjedhjet e rregullta.
*Kjo është satirë me qëndrimin e çuditshëm të LDK-së në raport me akuzat ndaj saj. Partia e drejtuar nga Abdixhiku në vend se të kërkojë hetim të brendshëm për mashtrimin eventual po mohon arbitrarisht akuzat dhe s’po ofron ndonjë argument të fortë që heqë dyshimet para qytetarëve.