E shtunë, 19 Prill, 2025

Libri si zbukurim, jo për lexim: Librashitësit në Prishtinë të zhgënjyer

KulturëLibri si zbukurim, jo për lexim: Librashitësit në Prishtinë të zhgënjyer

Mu në qendër të qytetit aty ku ka lëvizje të pandërprerë të njerëzve, libraritë-kioska mbushur me libra, por jo me lexues. Këto hapësira të vogla të mbushura me libra, mezi arrijnë te ndonjë lexues. Kalimtarët mund të ndalojnë për një moment, të hedhin një sy, por rrallëherë dikush hyn për të blerë.

Një kafe-bar pothuajse ngjitur dhe rrethuar me libraritë-kioska është i mbushur me klientë. Mes tyre, nuk dallohet asnjë qytetar me një libër në dorë, kurse në anën tjetër nuk i ndajnë sytë nga ekranet e telefonave.

Kjo pamje tashmë shumë e zakonshme dhe e përditshme është një pasqyrë e gjendjes së leximit në shoqërinë tonë. Nuk ka nevojë të intervistohen librashitësit për të kuptuar se sa pak lexohet. Libraritë bosh dhe kafenetë plot flasin vetë.

Fokusi nuk është vetëm tek të lexuarit, por edhe tek ata autorë te cilët lexohen më shumë nga ata pak lexues që janë, dhe sa kanë përkrahje institucionale librashitësit e këtyre mini-librarive.

Florim Beqiri dhe Mirsad Krasnqi janë dy nga shumë librashitësit e librarive-kioska që shqetësimin më të madh e kanë te lexuesit. Ata thonë se lexohet shumë pak, pavarësisht se librat që ata shesin janë libra të përdorura dhe çmimet e tyre janë shumica të arsyeshme, ato shume pak arrijnë deri te lexuesi.

“Është e çuditshme se si lexohet kaq pak, kurse kemi kaq shume universitete publike e kolegje private dhe aty shkohet për të studiuar, aty shkohet për të studiuar, por siç shihet studim ka pak. Kjo po tregohet edhe me rezultatet e PISA-s,”– ka thënë Florim Beqiri për magazinën Tjetër.

Beqiri ka thënë se lexuesit tanë e ndjekin një trend dhe janë të pirur të lexojnë nobelistë ose shkrimtarë që kanë shitur me miliona libra, që do të thotë se shkrimtarët e huaj janë ata që lexohen më shumë.

“Kjo është për arsye se ndikohen nga rrjetet sociale duke i përcjellë ato. Shkrimtarët më të kërkuar janë klasikët e huaj të përkthyer në gjuhën amtare, si Dostojevski, Pushkini, Niçe por edhe autorë si, Hermann Hesse, Umberto Eco e të tjerë.”

Ai më tutje ka shtuar se shkrimtari shqiptarë Ismail Kadare mbetet i pakonkurrencë, librat e tij që lexohen më shumë janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kronikë në gurë”, kurse pas tij radhiten Fatos Kongoli e e Fatos Arapi. Sa i përket shkrimtarëve nga Kosova Ag Apolloni është më i lexuari.

Një pjesë të qytetarëve kushtet ekonomike janë ato që ua determinojnë leximin e librave, ato janë të shtrenjta, edhe pse në libraritë tona çmimet mundohemi t’i kemi të arsyeshme, duke pasur parasysh se kemi libra të përdorur në shitje.

Ai më tutje shton se përveç letërsisë librat të cilat lexohen janë edhe librat e fushës së psikologjisë, kryesisht ato libra që njihen si libra të psikologjisë pozitive ose parapsikologji dhe historia.

Beqiri ka thënë se përkrahje modeste kemi nga Komuna e Prishtinës, por edhe nga Mnistria e Kulturës, institucione të cilat i kanë liruar nga tatimi.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Mirsad Krasniqi, i cili ka qenë edhe punëtor i “Rilindjes” ka thënë se kryesisht mbizotërojnë autorë të huaj, letërsia e huaj e përkthyer në gjuhën shqipe dhe sidomos klasikët, të cilët ende dominojnë në krahasim me letërsinë tonë.

“Në përgjithësi dominon letërsia ruse, pasuar nga ajo frënge dhe gjermane. Prijnë Dostojevski dhe Tolstoi, ndërsa nga letërsia frënge Balzaku, nga ajo gjermane Hesse dhe Heine që kërkohen nga lexuesit e mirëfilltë”, ka thënë Kraniqi për magazinën Tjetër.

Ai më tuje ka shtuar se sa i përket autorëve të cilët e fitojnë çmimin Nobel, ata lexohen për një kohë të shkurtër, njerëzit janë të interesuar ta dinë se kush fitoi këtë çmim dhe ditëve të para kërkohen ata autorë dhe veprat e tyre, por lexuesit prapë i rikthehen autorëve të cekur më lart, sepse ka shumë autorë cilësorë të cilët nuk kanë fituar këtë çmim.

“Kur jemi te autorët shqiptarë mbizotëron Kadreja dhe Agolli, kurse nga autorët shqiptarë nga Kosova lexohen Ali Podrimja, Rexhp Qosja, Zejnullah Rrahmani, Ag Apolloni, Veli Karahoda, Ballsor Hoxha e shkrimtarë të tjerë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se përveç Komunës së Prishtinës nuk ka përkrahje nga asnjë institucion tjetër. Nga ky institucion nuk kërkohet të paguhet tatim, hapësira publike e shfrytëzuar dhe as rryma e cila mund të shfrytëzohet gjatë dimrit.

“Mirëpo më shumë më shqetëson fakti se lexohet shumë pak. Pavarësisht se çmimet e librave mundohemi t’i kemi reale, prapë se prapë librat shiten pak, lexohet pak. Te rinjtë më shumë parapëlqejnë të rrinë në telefon dhe të shikojnë emisione pa vlera që transmetohen në televizione se sa librat”, ka thënë ai.

“Apeli im u drejtohet lexuesve, ata që janë të hamendur t’i kthehen sa më shumë leximit, sepse ka shumë libra të mirë edhe nga autorët tanë, por edhe nga letërsia botërore. Tek e fundit pak ka rëndësi se çfarë lexojnë, vetëm lë të lexojnë, është shprehur Krasniqi.

Libri, dikur mjeti kryesor i formimit intelektual, sot konkurron me rrjetet sociale, videot e shkurtra dhe përmbajtjet e lehta që kërkojnë pak përqendrim. E kjo duket të jetë përzgjedhja e shumicës së qytetarëve.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: