E enjte, 16 Tetor, 2025

Lista Serbe u ZVOGËLUA gati dyfish në komunat veriore

PolitikëLista Serbe u ZVOGËLUA gati dyfish në komunat veriore

Në bazë të rezultate preliminare të publikuara nga KQZ-ja, del se Lista Serbe është zvogëluar gati dyfish në këto zgjedhje në raport me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në Mitrovicën e Veriut ka marrë vetëm 4669 vota në vitin 2025. Në vitin 2021 i kishte pasur 10883.

Ndërkohë, ka pësuar rënie drastike edhe në komunën e Zveçanit ku i kishte 5394 vota në vitin 2021 dhe i ka vetëm 3416.

Në Zubin Potok ndërkohë rënia është më e vogël. Nga 3225 vota në 2873.

Rënie e madhe e votës vërehet edhe në Leposaviq, megjithëse atje deri në momentin e përgatitjes së kësaj videoje janë numëruar vetëm 32% e votave. Por, me trendin aktual edhe atje do t’i humbte gati 2000 vota në raport me vitin 2021 sepse do t’i kishte diku 7000.

Por, që të jemi krejt preciz po i fusim në total vetëm tri komuna: Në vitin 2021 për kryetarë komune në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, Lista Serbe mblodhi 19452 vota. Në vitin 2025 në po të njëjtat komuna vetëm 10 mijë e 958.

Por, por, por, por, duhet ta bëjmë edhe një digresion. Lista Serbe ka shënuar rritje edhe në komunat e veriut nëse e krahasojmë me vitin 2017. Atje ka pasur më pak vota edhe në Leposaviq (nëse vazhdohet ky trend), edhe në Zveçan por edhe në Zubin Potok.

Ndërkohë, trendi i uljes së Srpskas në veri në vitin 2025 nuk është përcjellur edhe në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug ku rezultati ka mbetur thuajse identik.

Nga 19102 vota që i kishte pasur në vitin 2021 tubuar bashkë në këto komuna, tash i mori 19182.

Duhet pasur parasysh që s’janë numëruar ende votat e diasporës, e të cilat në të kaluarën kanë qenë me bollëk për Listën Serbe, dhe kjo mund ta ndryshojë paksa tablonë e përgjithshme.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: