E martë, 2 Dhjetor, 2025

Luksi i të qenit i mërzitshëm në një botë financiare nervoze

PolitikëLuksi i të qenit i mërzitshëm në një botë financiare nervoze

Shkruan Gazmend Demolli

Nëse me një fjali do ta përkufizoja epokën financiare që po e jetojmë, do thosha: është koha kur shpejtësia e frikës është bërë më e madhe se shpejtësia e arsyes. Tregjet reagojnë në mikro-sekonda, algoritmet marrin vendime që as vetë krijuesit e tyre nuk i shpjegojnë dot deri në fund, dhe prapa gjithë këtij shkëlqimi, prapa grafikëve me kandela, fshihet një e vërtetë e pakëndshme: sistemi global financiar është shumë më i brishtë nga sa duket në grafikët e bukur.

Prej më shumë se një dekade bota u ushqye me para të lira. Normat e interesit pranë zeros krijuan iluzionin se risku mund të shtyhej pafundësisht drejt së ardhmes, si një faturë që s’e paguan kurrë ti, por brezi tjetër. Kompanitë u mësuan të financojnë çdo ide me borxh të lirë; qeveritë u mësuan të mbulojnë çdo dështim politik me më shumë hua; investitorët u mësuan të besojnë se bankat qendrore do t’i shpëtonin gjithmonë. Tani kjo epokë ka mbaruar. Normat janë ngritur. Dhe me to, si në një dhomë të ndriçuar papritur, po shihen të gjitha gjërat që më parë fshiheshin në errësirë.

Kur borxhi sovran i vendeve të mëdha ka arritur në nivele të papara, çdo krizë e re nuk trajtohet si problem ekonomik, por si problem gjeometrie: thjesht, nuk ka më shumë hapësirë për t’u kthyer prapa. Si një kamion me rimorkio që futet në rrugicat e ngushta të Emshirit në kohë piku. Sa më i lartë borxhi, aq më pak manovër në krizë. Dhe ironia e madhe është se pikërisht këto bono shtetërore – që në teori janë asete pa rrezik – përdoren si kolateral bazë në sistemin paralel financiar: në shadow banking.

Shadow banking ka rritur peshën e vet pa zhurmë. Nuk ka logo me neon nëpër rrugë, nuk ka degë fizike, nuk ka depozita familjare. Por, mban gjysmën e aktiveve financiare të botës dhe është i lidhur ngushtë me bankat klasike. Mjeti i tij: financim afatshkurtër, investim afatgjatë, leverazh i lartë, transparencë minimale.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Se mjafton një dridhje besimi, një lëvizje e papritur normash, një rënie çmimesh, dhe befas kemi run – ikje masive të kapitalit – që mund të kalojë nga fondet e investimit te tregjet e bonove, e deri te bilancet e bankave që supozohet të jenë të sigurta. Nuk ke më nevojë për një bankë të falimentojë për të pasur krizë; mjafton që rrjeti në hije të tërhiqet njëkohësisht.

Mbi këtë strukturë të brishtë kemi vendosur një tjetër shtresë rreziku: algoritmet. Tregjet sot nuk janë njerëz që lexojnë lajme; janë makina që lexojnë të njëjtat lajme në të njëjtën sekondë dhe reagojnë njësoj. Si një dhomë me shumë pasqyra. Kjo krijon sinkronizim të rrezikshëm. Kur të gjithë e kanë të njëjtin model, korrigjimi i tregut nuk është më gradual, por kthehet në grusht kolektiv paniku. Një frazë në një fjalim të bankës qendrore, një titull i keqkuptuar, një grafik që thyhet, dhe shumë algoritme vendosin njëkohësisht të shesin. Lëvizja nuk është vetëm e madhe, por edhe marramendshëm e shpejtë.

Këtë herë, për shembull, Nvidia raportoi rezultate në linjë me pritjet e tregut, por mjafton ta paramendosh për një sekondë çfarë do të thoshte për këtë arkitekturë të varur nga AI-ja sikur ajo të dilte me një plasaritje të papritur – një raport tremujor kthehet në tërmet.

Kosova, në anën tjetër, nga jashtë duket si pjesë e një rajoni me reputacion të brishtë, por nga brenda ka disa virtyte makrofinanciare që vendet shumë më të pasura do t’i kishin zili. Borxh i ulët publik. Sistem bankar i kapitalizuar mirë. Euro si monedhë. Rregulla fiskale relativisht të qarta. Me fjalë të tjera, në një botë të varur nga borxhi, ne jemi akoma në kategorinë e atyre që nuk e kanë hipotekuar të ardhmen deri në fyt.

Euroizimi, i parë shpesh nga akademikët si mëkat fillestar, në realitet ka prodhuar një avantazh të qartë: stabilitetin e monedhës dhe eliminimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Për një ekonomi të vogël, ky nuk është detaj teknik. Bizneset dhe familjet s’e shohin kursin sikur e shohin motin. Kjo e ul zhurmën dhe lejon energjinë të kanalizohet te pyetja e vërtetë: çfarë po prodhojmë, jo çfarë po spekulojmë. Mjaft kemi jetuar me shfercerë.

Disiplina fiskale është rezultat i kufizimeve strukturore dhe – deri tani – një doze racionaliteti politik. Të kesh kufij ligjorë për borxhin dhe deficitin mund të duket e bezdisshme në vitet e qeta, kur politikanët duan të premtojnë gjithçka. Por, në momentet e krizës, këta kufij kthehen në fije shpëtimi: e mbajnë anijen larg shkëmbinjve ku të tjerët janë përplasur. Qeveria që nuk ka një mal borxhi mbi supe mund të reagojë në mënyrë më të kthjelltë kur godet stuhia.

Sistemi bankar kosovar – dhe e them këtë si kompliment – është i mërzitshëm. (Përjashto mikrofinancën që sillet si fajdexhi). Kemi banka që mbajnë kapital të mjaftueshëm, kredi relativisht konservatore, depozita të stabilizuara. Për lexuesin e lodhur nga krizat, kjo mund të tingëllojë monotone. Për një analist risku, muzikë për vesh.

Pyetja e madhe është: çfarë të bëjmë me këtë pozitë të favorshme?

Rreziku i parë është popullizmi fiskal. Kur borxhi është i ultë, fillojnë të dalin politikanë të bëjnë plane miliardëshe me paratë e gjeneratave të ardhshme. Këtu nis spiralja e njohur: pak më shumë borxh për këtë vit, një investim strategjik aty, një skemë subvencionesh këtu, një fryrje e punësimeve burokratike, një rritje rroge pa mbulim produktiviteti – dhe papritur, në një dekadë, e vendosim veten në të njëjtën pozitë ku sot janë të tjerët: me pak hapësirë, shumë detyrime dhe qeverisje në buzë gremine.

Luksi ynë më i madh sot është pikërisht ky: mundësi të mos e bëjmë këtë gabim. Sepse ngritja ekonomike e krijon një buffer gjithnjë më të madh për shpenzime kapitale dhe nuk është nevoja që të rrisim apetitin për borxhe. Edhe zvogëlimi i administratës mund të lirojë kapitale, po ashtu edhe zvogëlimi gradual i subvencioneve mund të gjenerojë kapitale të reja. Të mjaftueshme për zhvillim. Këtu edhe e kam mospajtimin më të madh me Lumir Abdixhikun. Ai predikon një zhvillim përmes borxhit të lartë publik, ku barrën do ta marrin gjeneratat e reja. Ai dëshiron të lë emër me paratë e nipërve dhe mbesave të këtij vendi. Pa i pyetur ata.

Rreziku i dytë është vetëkënaqësia bankare. Sepse bankat janë të shëndosha sot, nuk do të thotë se mund t’u japim kartë të bardhë për nesër. Rregullimi inteligjent nuk është as demonizim i sektorit, as shfrenim i tij. Është ruajtja e atij kombinimi delikat ku bankat janë fitimprurëse, por jo të rrezikshme – inovative, por jo aventuriere. Në një botë ku rreziku po shtyhet gjithnjë e më shumë drejt sektorit në hije, detyra jonë është të mos e importojmë këtë model në dyert tona, vetëm e vetëm që të dukemi modernë. Pikërisht kur nuk ka asnjë arsye të shqetësohemi, Banka Qendrore duhet të shtojë kontrollin, auditimin, diskutimin.

Rreziku i tretë është të ngatërrojmë stabilitetin financiar me sukses ekonomik. Të jesh financiarisht i qëndrueshëm është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për mirëqenie. Mund të kesh borxh të ulët dhe papunësi të lartë. Mund të kesh banka të shëndosha, por biznese të vogla të mbytura në burokraci. Mund të kesh euro të qëndrueshme, por eksport minimal. Nëse nuk e kthejmë këtë stabilitet në platformë për reforma strukturore – arsim më të mirë, infrastrukturë reale, gjyqësor funksional, shtet që nuk e sheh sipërmarrësin si armik – atëherë, thjesht, po e ruajmë me fanatizëm një themel mbi të cilin nuk po ndërtojmë asgjë.

Kjo është arsyeja pse debatet tona publike shpesh duken të varfra: flasim për paga, jo për produktivitet; për projekte, jo për çmimin e mundësive të humbura; për investitorë të mëdhenj, jo për rregullat e lojës që do t’i sillnin ata këtu. Në një mjedis global të mbingarkuar me borxh dhe pasiguri, mundësia jonë është pikërisht të jemi e kundërta: vend i vogël, me borxh të ulët, me rregulla të qarta, me konflikt të ulët institucional. Kjo tingëllon e mërzitshme në fushatë, por është shumë tërheqëse për kapitalin afatgjatë.

Në fund të ditës, politika financiare është më pak çështje formule dhe më shumë çështje karakteri. Një vend që di të thotë JO kur kushtet janë të mira, është vend që mund të mbijetojë kur kushtet bëhen të këqija. Një vend që bën reforma strukturore kur kushtet janë të mira, do t’i evitojë krizat në situata të pafavorshme.

Të jesh i vogël nuk është mallkim. Është detyrim për të qenë më i mençur.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

00:07:09

Downsize now!