E diel, 19 Tetor, 2025

Lutja e Presidentit Clinton më 1999 për kosovarët që t’i thoshin JO urrejtjes

PolitikëLutja e Presidentit Clinton më 1999 për kosovarët që t'i thoshin JO urrejtjes

Gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit është normalizuar në diskursin publik përgjatë viteve të fundit në Kosovë.

Po e publikojmë këtu pjesën e fundit të fjalimit të mbajtur më 23 nëntor 1999 nga asokohe presidenti amerikan Bill Clinton para kosovarëve në Ferizaj.

“Dua të them edhe një gjë të fundit. Dhe është më e rëndësishmja që kam për të thënë. Për fëmijët dhe për prindërit.

Kurrë s’do ta harroni padrejtësinë që iu është bërë juve.

Kurrkush s’mund t’iu detyrojë që ta falni atë që iu kanë bërë juve.

Por, ju duhet të mundohuni!

Dhe më lejoni t’iu tregojë pse. Para së gjithash, të gjithë fëmijët do të mësojnë në lëndën e biologjisë se krejt njerëzit e botës, se krejt njerëzit e kësaj bote, sa i përket përbërjes gjenetike – e thotë shkenca – janë 99.9% të njëjtë me njëri tjetrin. Serbët, shqiptarët, irlandezët, afrikanët, latinët, aziatikët.

Fëmijët, fëmijët, nuk lindin me urrejtjen ndaj atyre që janë ndryshe prej tyre. Dhe asnjë religjion nuk ua mëson atë urrejtje. Ata mësohen që të urrejnë prej të rriturve.

Por, në mbarë botën – jo veç këtu në Kosovë – në mbarë botën, janë fëmijët që e bartin barrën e urrejtjes së verbër të prindërve të tyre.

Kam qenë në Afrikë, ku takova një djalë të ri që e humbi krahun nga dikush me etni tjetër që ia preu me një shpatë veç shkaku i origjinës së familjes.

Kam qenë në Izrael, ku nxënësit e vegjël po i shihnin fotografitë e nxënësve të klasës së tyre që ishin hedhur në erë nëpër autobusë. Veç për shkak se ishin hebrej.

Kam qenë në Irlandë, ku një vajzë e bukur 16-vjeçare këndonte për mua por shikimi i kishte humbur sepse ishte hedhur në erë nga një bombë vetëm shkaku i dallimeve religjioze në Irlandë.


Ua kemi borxh fëmijëve të Kosovës një të ardhme më të mirë se ajo.

Ju brohoritët për neve kur erdhëm këtu, sepse kur ju po shtypeshit ne qëndruam në anën tuaj.

Dhe ne e përdorëm fuqinë ushtarake për ta mposhtur agresionin e z. Millosheviq.

Ne e fituam luftën. Ama më dëgjoni… veç ju vetë mund ta fitoni paqen!

Koha për luftë ka përfunduar. Kosovën e keni për vete që ta formësoni… bashkësia ndëkombëtare do t’iu qëndrojë pranë…

Por, ju vetë duhet të udhëhiqni… çka do të mendoni? A do të fokusoheni te urrejtja dhe padrejtësitë e së shkuarës, dhe që të barazoheni? Apo do të mendoni për shkolla më të mira për fëmijët, shtëpi të reja për ta, biznese të reja… përpjekje për krijimin e vetëqeverisjes serioze… për me zhdukë korrupsionin, dhunën… e për t’iu dhënë fëmijëve tuaj gëzimet e një jete normale.

Ju lus juve që jeni prindër që t’i mësoni fëmijët tuaj se jeta është më e madhe se gjërat e këqija që iu ndodhën… është ajo se si reagoni ndaj tyre. Mos i lejoni shpirtërat e fëmijëve tuaj që të thyhen. Mos lejoni që zemrat e tyre të ngurtësohen.  

E ardhmja për të cilën luftuam që ta shpëtonim për ju… është e ardhmja që po e shohim këtu sot. Fëmijë duke qeshur, të gëzuar e që brohorasin. Jepjuni atyre të ardhmen që e meritojnë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

00:06:29

Zgjedhjet lokale i fitoi VV-ja

Udhëzim për votim