Magjepsja me filmin ‘Adolescence’ (shq. Adoleshenca) mbërriti edhe në Kosovë. Edhe kosovarët nisën të nxjerrin mësime prej ‘thellësisë’ së mesazheve që ndryhen brenda tij. Pasi e pashë, veç një pyetje e kam: Pashë Allahun?!
SPOILER ALERT: Mos e lexo këtë shkrim nëse e ke ndërmend me e pa filmin në fjalë.
Ky film i ka katër episoda. Secili prej episodave është bërë me një xhirim të vetëm. Mahnitëse! I jep filmit një natyrshmëri të pazakontë. E bën si të jetë farë dokumentari i bërë nga një kamerman i padukshëm. Ama, kjo e ka një efekt anësor serioz. E kufizon së tepërmi shtrirjen e fabulës.
Dikush mund të thotë: ky ishte qëllimi i regjisorit, ndoshta? Po po, por është qëllim i keq. Që pastaj, të çon në idenë se ai kufizim ishte thjesht mbulim injorance.
Nejse, vazhdojmë tutje.
Filmi ka të bëjë me dhunën e djemve adoleshentë ndaj vajzave adoleshente. Është i frymëzuar nga disa krime që ndodhën në Britani të Madhe viteve të fundit. Është prekës. Por, është prekës për aq sa je në gjendje me harru që jeton në Kosovë.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
Filmi i rreket një tematike tepër të ndjeshme: manosfera, mizogjinia, tërbimi i djemve adoleshentë kundrejt fuqisë së grave. Por, fatkeqësisht është skajshmërisht i varfër sa i përket mesazheve që transmeton. Apo ideve e supozimeve me të cilat luan.
Parë nga një perspektivë njëxhirimëshe e zogut është shprehje e një qyqarllëku. Në disa kritika që i lexova, thuhet se filmi po bën “eksplorim”. Po shtron “pyetje”. Po, ama shpesh ky farë ‘eksplorimi’ e këto ‘pyetje’ bëhen kur regjisori s’e di se çfarë kahje t’i japë filmit – kur ka mungesë frymëzimi a guximi – dhe përmes asaj që shfaq bëhet sikur ‘eksploron’.
Nuk është se mësuam diçka të re për incelët, të gërditshmin Andrew Tate, manosferën apo psikografinë e një mizogjeni adoleshent. Ose qoftë edhe injorancën e prindërve e të policisë për gjuhën e shifruar online të fëmijëve. Ka një paraqitje dramatike të bastisjes policore dhe momenteve të para në stacion (episodi 1). Ka një paraqitje dramatike të interrogimeve dhe ndërveprimeve të dy hetuesve policorë në shkollën e agresorit dhe viktimës (episodi 2). Ka një paraqitje dramatike të vlerësimit që provon t’i bëjë një psikologe fëmijësh agresorit (episodi 3). Dhe një paraqitje dramatike e familjes së agresorit (episodi 4).
S’ka dyshim që edhe në Kosovë adoleshentët kanë dëgju për këtë lloj specifik të manosferës. Por, s’ka dyshim edhe që në Kosovë adoleshentët i ekspozohen një manosfere shqiptare të gjithandejme, e cila s’fshihet fare. Manosferë edhe më vulgare, edhe më poshtëruese, me rrënjë të thella në traditën tonë mizogjene. Manosferë që s’na vjen si reaksion ndaj normave liberale dhe feminizmit – siç vjen ajo e Andrew Tateve të kësaj bote – por si e vërtetë e pamohueshme që s’po nxit reaksionin e kundërt.
Kosova po dështon tash e sa kohë që të ecë përpara. Të përbrendësojë vlerat e barazisë mes gjinive, e të lirisë seksuale. Prandaj, edhe s’jehon fort asnjë mesazh provokues i manosferës. Sepse, djemtë adoleshentë në Kosovë s’kanë nevojë për Andrew Tate-in online. E kanë në shtëpi. Në babën dhe/apo vëllanë dhe/apo axhën dhe/apo dajën etj.
Avokati Arianit Koci – një kritik i madh i prapambetjeve shoqërore – e promovoi filmin “Adolescence”.
E shkroi një status të gjatë ku tregoi qysh e kishte kuptu ngjarjen. Koci i ngatërron ndodhitë – ndoshta e ka parë përngutshëm – por s’po ia bëjmë të madhe. Ajo që na lë përshtypje është denoncimi i “feminizmit të shfrenuar” prej tij në disa raste. Kah i erdhi ky mesazh Kocit, meqë në film s’ekziston një denoncim i tillë?!
Përgjigjen e gjejmë veç një status më poshtë.
Ai e bëri një postim me Akil Gjakovën, xhudistin kosovar të cilin gruaja e kishte denoncuar për dhunë në familje duke publikuar edhe pamje tronditëse. Cili ishte reagimi shoqëror? S’kishte hiç. Lufta kundër prapambetjes për shumë njerëz s’është më shumë se një pozim që ndihmon në status social. Diçka që të bën të dukesh mirë. Pastaj, promovojmë Akil Gjakovën. Hah.
Qysh u shfrenua në Kosovë ‘feminizmi i shfrenuar’ i Arianit Kocit për rastin e Akil Gjakovës?!
Ncncncnc. Nejse.
Shikojeni “Adolescence”. Përgjithësisht, është film i mirë. Por, mos pritni që të merrni ndonjë mësim për shoqërinë tonë. Nëse doni të merrni ndonjë mësim për shoqërinë tonë, shkoni pranë shkollave të mesme (të ulët apo të lartë) dhe rinjihuni me idiosinkrasitë e manosferës tonë shqiptare. Njihuni me fjalorin e djemve e vajzave. Njihuni me grafitet nëpër mure. Shihni se çka ka nëpër tualetet e dy gjinive.
S’mund të flasim për reaksionin ndaj diçkaje kur ajo diçka s’ekziston hiç.
P.S. Ky koment nuk reflekton domosdo qëndrimin e të gjithë anëtarëve të magazinës Tjetër*.
TJETËR* është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).