E diel, 20 Prill, 2025

“Martesa” dekonstrukturon normat shoqërore dhe eksplorimin e identitetit

Kulturë“Martesa” dekonstrukturon normat shoqërore dhe eksplorimin e identitetit

Nënshtrimi, frika, autoritarizmi dhe pushteti i pakontestuar duken se janë elemente kyçe që formësojnë botën e kësaj drame, duke e bërë atë një rrëfim jo vetëm për individët, por edhe për mekanizmat e kontrollit që shtrihen në nivele më të larta shoqërore.

Duke qenë në grevë për më shume se tre muaj TKK-ja, jo që nuk ishte zhvilluar asnjë aktivitet, por nisur nga komunikata e tyre edhe festivali “Moisiu” i cili do te duhej te mbahej në nëntor ishte anuluar. Festivali ishte paraparë të mbahej nga data 20 deri më 27 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Shqiptar të Maqedonisë dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës. Edhe drama “Martesa” ishte një reprizë, premiera e saj ishte dhënë më 20 shtator të vitit 2024.

Shfaqja “Martesa” është bazuar në dramën “The Marriage” e shkruar nga Witold Gombrowitcz, nën adaptimin dhe regjinë e Norbert Rakowskit dhe luajtur nga: Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj ddhe Adhurim Demi.

Drama “Martesa” duket se ndërton një narrativë mbi pasojat dhe traumat e luftës, e cila i vë personazhet përballë sfidave psikologjike e shoqërore. Hyrja dhe dalja e karaktereve nga një derë në tjetrën mund të përçojë mesazhe si, kalimin nga një realitet në një tjetër, apo si diçka mes së shkuarës dhe së tashmes.

Skena e cila zhvendoset herë në një vend e herë në një tjetër, krijon përshtypjen se ngjarjet po zhvillohen në periudha të ndryshme kohore. Kjo lojë me kohën e hapësirën e bën dramën të përjetueshme në mënyra të veçanta, duke e thelluar rrëfimin dhe intensitetin emocional. Metafora e përdorimit tëgishtitshpeshherë mund të ketë një simbolikë të dyfishtë. Nga njëra anë, mund të jetë një referencë e drejtpërdrejtë ndaj përdorimit të armës, duke paraqitur një realitet të mbushur me dhunë dhe tension. Nga ana tjetër, mund të përfaqësojë edhe një metaforë më të gjerë mbi pushtetin, kontrollin dhe aktin e vendimmarrjes.

Konservatorizmi paraqitet përmes aranzhimit të martesës së Henrit, ku ai përpiqet të krijojë një rend të ri përmes institucionit të martesës. Megjithatë, ky rend shndërrohet në një farsë, një manifestim i absurditetitqë shpërbën çdo iluzion për stabilitet dhe vlera të vërteta. Edhe autoritarizmi, si një fenomen i pranishëm në shfaqje, nuk kufizohet vetëm brenda dinamikave familjare, por mund të shihet edhe si një pasqyrë e një realiteti më të gjerë shoqëror e politik.

Armend Smajli personazhi kryesor i kësaj drame ka thënë për magazinën TJETËR* se, nëse je pjesë e një vendi ose shoqërie, ose shteti që ka kaluar një periudhë të luftës dhe nëse lexon atë tekst detyrimisht ka për ta kujtuar luftën.

Kjo nuk do të thotë se dikush tjetër mund të lexojë dhe të gjejë diçka tjetër, se drama dhe autori merret me shumë dimensione të elementeve jetësore, po për mua dhe për ne, ndoshta për shumicën kur e kemi lexuar, në një mënyrë ose tjetër të kthen te ajo pikë, te ato kujtime, periudha e luftës dhe traumat e saj,” – ka thënë Smajli.

Ai ka thënë se hyrja nga një derë dhe dalja nga një derë tjetër mund të interpretohet në shumë forma, ai është leximi konceptual i regjisorit, më shumë ka të bëjë me disa labirinthe që të japë jeta, që ndonjëherë janë absurde.

“Hyjmë diku dhe dalim diku është njëfarë kërkimi igjetjes së diçkaje, nganjëherë edhe disa pengje që na mbesin në jetë edhe ndoshta një lloj korridori, njëfarë labirinthi i jetës që jemi në kërkim të diçkaje, të disa pengjeve. Një prej interpretimeve mund të jetë edhe kjo, por është një dramë, por edhe si lojë aktoreske konceptualisht i përket zhanrit jo komplet konvencional, saqë shumë interpretime mund të përkthehen në disa forma prej audiencës, një shfaqje shumë dimensionale, ka thënë Smajli.

Ai ka thënë se ambiciet njerëzore në fund të fundit janë universale.Edhe ambicia politike, ambicia për fron, për pushtet edhe qëllimet, mjetet për të ardhur në atë pushtet janë universale dhe kudo që inskenohen është gjuha e njëjtë. Edhe në jemi pjesë e universales”, ka thënë Smajli

Smajli – aktori kryesor i shfaqjes – ka shtuar se kur e lexon dramën e cila është shkruar pas Luftës së Dytë Botërore edhe kuptohet që ajo shoqëria patriarkale, ato normat morale që kanë qenë janë edhe sot prezente tek të gjitha shoqëritë, tek të gjitha religjionet.

Kjo vepër është shkruar në Poloni, por flet shumë për realitetin e sotëm shqiptar, si një babë shqiptar që i flet vajzës sonë me një qasje shumë konservative. Po kthehemi aty që disa norma i kemi krijuar si njerëz, nuk i kemi krijuar vetëm ne, po disa i kanë tejkaluar e te ne janë më të theksuara. Gjëra të cilat kur i ka theksuar Gombrowicz-i për shoqërinë polake ndoshta sot s’janë evidente aq shumë, por e vërën patriarkalizmin, atë imponimin, atë arsyen, ato normat morale, kodet morale që i kemi krijuar ne si njerëz, e pastaj ato shpërndahen përmes religjionit dhe elementeve të tjera shoqërore,” – ka thënë Armend Smajli.

Përmes absurdit dhe surrealizmit, kjo shfaqje na orienton mbi mënyrën se si krijohet një rend në një botë kaotike, duke na lënë në kufijtë mes një fati të paracaktuar dhe një loje të pambaruar dhe me maska.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: