E shtunë, 7 Qershor, 2025

Më duhet vëmendja jote. Jam tregtar i vëmendjes. Qe çka di unë.

MendjeMë duhet vëmendja jote. Jam tregtar i vëmendjes. Qe çka di unë.

Puna ma kërkon që me marrë vëmendje. Qe më shumë se 13 vjet e drejtoj një emision televiziv lajmesh, dhe kur s’jam në punë e harxhoj kohën duke lexu lajme në internet dhe duke postu me obsesion nëpër rrjete sociale. I them vetes që po e bëj sepse e kam punë, se duhet gjithqysh, si detyrë profesioni për me mbajtë hapin me lajmin por kjo është njësoj si një drejtor i kompanive të cigareve me i pi dy pako cigaresh në ditë.

 “Pse jam kështu?”  – e pyes veten. E puna është që s’jam veç un kështu.

Prej pikëpamjes time – qoftë si tregtar i vëmendjes, qoftë si një konsumator i sëmurë – është e qartë se vështirësia me qëndru në “dhomën e vetmisë”  – siç e ka përshkruar filozofi Blaise Pascal lirinë e të qenit vetëm me mendimet e tua – po na përkeqet nga forma e kapitalizmit të vëmendjes në të cilën jemi nguju.

Vëmendja jonë është një resurs tepër i vlefshëm, dhe disa prej korporatave më të fuqishme të botës po e vjedhin masivisht në forma gjithnjë e më të pavërejtshme duke na lënë si spektatorë të mendjeve tona. Mund të themi se e kemi ndërtu një makinë që prodhon bajatësi* dhe më pas e mbush atë bajatësi me zbavitje në një cikël që përshpejtohet e përshpejtohet pafund.

Bajatësia fshihet në çdo kënd të jetëve tona. Unë kam nis ta shoh, specifikisht shmangien ndaj saj, si motorin e heshtur që jetëve moderne. Vëmendja, vendi ku i ngulisim mendimet tona në një moment të dhënë, është substanca e jetës. Jemi tepër të vetëdijshëm për ata vjedhës konstant të vëmendjes tonë – cingërrimën e telefonit, me njoftime të mesazheve, me shenjat e kuqe të njoftimeve që na lajmërojnë se ndodhi diçka që duhet me i kushtu vëmendje.

Të ndodhur nën këtë sulm, është kollaj me u ndi sikur jemi të bllokuar në një kohë që s’na lë hapësirë që thjesht të ulemi e të mendojmë. Por, ia vlen të thuhet se përveç që ekzistojnë këto forma të kapitalizmit të vëmendjes që duan ta vjedhin atë vëmendje, ekziston edhe diçka e thellë brenda nesh që do që ajo me na u vjedhë.

Kur Trumpi fitoi për herë të dytë, një postim në Twitter nga viti 2016 u bë viral përsëri: “Më vjen keq për vendin tonë (që u zgjedh Trumpi president). Por, kjo do të na japë kontent të jashtëzakonshëm.”

Ndoshta tingëllonte më qesharake para se të ndodhte ndarja e fëmijëve nga prindërit apo edhe Covidi. Por, për miliona amerikanë, ndoshta përfshirë edhe një pjesë të madhe të votuesve të pavendosur që i dhanë votën në nëntorin e 2024-s, Trumpi është makinë e përsosur kontenti. Qoftë nëse e doni, qoftë nëse e urreni, duhet me pranu se ai i bën gjërat interesante. Kam pyetur veten bile se mos e përdori këtë truk për me marrë fitoren e ngushtë: Mos e zgjodhën amerikanët përsëri sepse thjesht status quo-ja iu kishte bërë bajat?

Prej krejt asaj që mund të na ngjajë – prej çmendurisë e sëmundjes, apo traumave të luftës – bajatësia duket gjë e parëndësishme. Kemi prirjen që me lidhë përvojën e bajatësisë me fëmijërinë – kur s’na rrihej në klasë, kur kalonim ditë të gjata vere pa bërë asgjë. Por, e kujtojmë fëmijërinë sepse kur u rritëm dhe e morëm kontrollin e kohës tonë në dorë, bëmë gjithçka që mundëm që mos me përjetu më vetmi. Cili prind s’e ka përjetu momentin e refuzimit të kërkesës së fëmijës së tij për me qëndru në telefon dhe më pas e ka pa veten vetë në telefon?

E megjithatë, bajatësia – për dallim prej, hajt po themi urisë – nuk është një përvojë univerale njerëzore. Antropologët që kanë punuar me popujt indigjenë që jetojnë jashta modernitetit industrial nga Fixhi e deri në Eukador e Australi, kallëzojnë që këto shoqëri harxhojnë male e dete me kohë pa bërë asgjë, dhe kurrë s’ankohen se janë mërzitë. Gjuhët e tyre shpesh bile as s’e kanë hiç fjalën mërzi, bajat. Antropologu ynë që ka punu me popullin Warlpiri në Australi shkruan: “Kur ky popull i referohet bajatësisë, e përdor fjalën në anglisht.”  Na del pra, se bajatësia është përvojë e lindur në modernitet.

E megjithatë e ndjejmë këtë pandërpre; vajtojmë pse vëmendjet tona po zvogëlohen. Por përqendrimi te një pyetje e ngushtë e një mase teknike për gjatësinë e vëmendjes na largon nga një e vërtetë më e thellë. Shqetësimi dhe parreshtja e kohëve tona s’janë thjesht, të paktën për mua, vertigoja e zbavitjes e shpërqendrimit. Jo, ajo përvojë është vetiu simptomë e shkaktuar nga diçka më e thellë brenda vetes tonë që s’gjen rehati. Zbavitja e pafundmë që na ofrohet neve e që na bën të jemi gjithmonë afër telefonëve tanë bën që kurrë të mos e kuptojmë qysh me jetu veç me mendjen tonë.

Për shumë vite, si një plak, kam dalë me ecë përditë. E kam fillu në të njëzetat, kur si gazetar i pavarur punoja gjithë ditën ose në shtëpi ose nëpër kafeteri. Më bënte mirë të dilja e të ecja që me qetësu mendjen. Bile dilja edhe në ditët më të acarta të dimrave të Chicagos, kur era ta shpon fytyrën si shpatë. Ia nisa këtij zakoni përpara kohës së smartfonëve e bile edhe para kohës së podkastave në iPod. Gjatë ecjeve thjesht… mendoja. E lija mendjen të lodronte. Gati pa përjashtim, mendimet më të mira më vinin gjatë këtyre ecjeve. Më pas kthehesha në llaptop, nganjëherë duke vrapu deri në banesë, dhe i shkruaja ato mendime.

Ka shumë fjalë me përshkru gjendjen mendore që aq shumë e doja gjatë atyre ecjeve: ëndrrim me sytë çelë, fantazim, përhumbje në mendim. Dhe që të jem i qartë, ka variacione që janë më pak të këndshme. Me provu me mendu obsesivisht për situatën financiare është keq; me mendu për destinacionin e një udhëtimi është gjë e mirë.

Ironikisht, me e pasë një projekt që ma angazhon intelektin për me punu (si psh me shkru një libër për vëmendjen) tash më shërben si antidotë e shqetësimit mendor. Është një vend ku e qes vëmendjen e jam i vetëm. Ma ofron atë lloj rehatie që më jepte mendimi për statistikat e bejzbollit apo personazhet e librave komikë në kohën e fëmijërisë. Ma ofronte kornizën për një ëndrrim syçelë të strukturuar, ku mendja sillej poshtë e lart me një qëllim.

Me ëndrru me sy çelë është përvojë qendrore e të qenit gjallë dhe po ashtu viktima e epokës së vëmendjes. Disa vite më parë, dëgjoja podcast derisa ecja. Ndihesha në panik kur s’e bëja. Por derisa po kaloja kohë duke mendu për vëmendjen, e detyrova veten me dalë e me ecë veç me mendimet e mia. Bile i kam zhvillu do rutina, shprehi e hobi që ma japin kornizën e dëshiruar. Me ça dru, me përgatit pasta, me shku te parku i qenve.

Në vitin 2014, disa psikologë të Universitetit të Virgjinias dhe Harvardit, vendosën me hulumtu për mënyrën qysh njerëzit e përjetojnë bajatësinë. Ata i kishin ulë këta njerëz me një dhomë duke iu thënë mos bëni asgjë për gjashtë deri në 15 minuta dhe më pas i kishin pyet se qysh kishin kalu. E kishin urrejtë. Psikologët më pas e kishin testu sa e madhe ishte ajo urrejtje. A më parë do të bënin diçka të pakëndshme për ta apo do ta kalonin kohë pa bërë asgjë?

Në një studim, pjesëmarrësit kishin pasë mundësi “me përjetu stimulim negativ (shok elektrik) nëse dëshironin,” Dhe, qëllojani. “Shumë pjesëmarrës kishin zgjedhë më parë me marrë stimulim negativ se me qëndru pa bërë asgjë – veçanërisht burrat. “ Një pjesëmarrës e kishte kalu krejt kohën duke i dhënë vetes shok elektrik, i kishte marrë 190 shoke në atë që ma merr mendja se ishte përpjekje dëshpërimtare me ikë nga vetmia e mendimet e veta.

Mundeni me mendu vetëmevete, “Kjo është çmenduri” ose ndoshta “O, po e shoh veten duke e bërë atë gjë,” por shumica prej nesh s’do ta dimë kurrë sepse s’do ta kemi mundësinë që të bëjmë asi zgjedhjesh të rënda. Por ndoshta e keni pasë mundësinë me ecë me një kafeteri ku ka rend të madh të pritjes dhe instinktivisht e nxjerrni telefonin veç për me kuptu që e keni harru. Mbetni keq. Ajo çka pason është një dridhje e shkurtë por e fortë e panikut klaustrofobik.

Në një nivel ky është shembull i varësisë që ne e kemi me telefonat tanë, por disa prej nesh që e kemi një farë moshe kujtojmë ndjesi të ngjashme të dikurshme: me shku në tualet pa marrë diçka me lexu, për shembull. Ndërsa gjendja e ndërprerjes së vazhdueshme të vëmendjes mund të jetë e padëshirueshme, rrënjët i ka te një dëshirë më e vjetër se jeta moderne. “Kur shpesh i kisha parasysh shpërqendrimet e ndryshme të burrave,” shkruante Blaise Pascal,”kam zbulu që krejt palumturia e burrave vie nga një fakt i vetëm, që s’iu rrihet në vetmi në dhomat e tyre.”

Brenga kryesore e Pascalit ishte statusi i shpirtit të burrave. Ai donte me kuptu pse burrat janë aq të tunduar me hy në zaret e luftës, e krejt ato marifete të rrezikshme e mëkatare në vend se me shiju atë që e kanë. Rrënja e kësaj, thoshte ai, është një aspekt i kushtit njerëzor në të cilën varen aq shumë sot: parreshtshmëria e mendjeve tona, lakmia për diçka të re. “Prandaj burrave iu pëlqen aq shumë zhurma dhe kaosi; prandaj burgu është ndëshkim kaq i tmerrshëm për ta; prandaj kënaqësia e vetmisë është gjë kaq e pakapshme.” I jam kthyer goxha shumë Pascalit për këtë çështje shkaku se tingëllon shumë i afërt me ne pavarësisht që ka shkru shumë shekuj më herët.

Kjo lakmi, thoshte ai, na vinte prej një ankthi shpirtëror mbi vdekshmërinë tonë, “varfëria natyrore e kushtit tonë të vdekshëm, aq tmerruese sa asgjë s’mund të na ngushëllojë kur e mendojmë mirë.” Aq i fortë është ky ankth sa s’ka pasuri e as pushtet që mund të na mbrojë. Diçka e vërtetë edhe për mbretërit.

Duket se mendja e mbretit duhet me u qetësu, për dallim prej të gjithë të tjerëve në mbretërinë e tij. Mbreti s’duhej me i duru mundimet brutale për mbijetesë. E megjithatë ai farë lehtësimi ishte një lloj tjetër burgu: “Kur e imagjinojmë një mbret që ka çdo kënaqësi të mundshme, nëse mbetet pa zbavitje, dhe lihet me mendu për atë çka është, atëherë ato kënaqësi të dobëta s’kanë me i dalë,” shkroi Pascali. “Ai domosdo do t’i hyjë rreziqeve, revolucioneve që mund të ndodhin, dhe përfundimisht vdekjes e sëmundjes së paevitueshme; kështu që nëse është pa ato që i tërheqin vëmendjen, ai s’është i lumtur, bile më i palumtur se cilido prej subjekteve të tij që e zbavisin.”

Bajatësia është diçka edhe më e rëndë se ankesa e një fëmije që s’ka asgjë për të bërë. Mendja e paangazhuar mundet me qenë bishë e egër, dhe shumica e jetës tonë, sipas Pascalit, kalon duke provu me zbutë atë bishë. Kam frikë se të gjithë ne me raste e kemi gjetë veten me mendimet tona në një formë që na bën të ndihemi si një i zënë rob në kafaz me luanin. E sot ne e gjejmë veten në pozitën e mbretit: të rrethuar me burime të pafundme të gjërave që na e tërheqin vëmendjen e megjithatë asgjë e mjaftueshme për me na shpëtu përnjëmend prej terrorit të bajatësisë.

Kisha dashtë me i ofru disa trika ndihmuese për ju por e vërteta brutale është se as unë vetë s’ia dal aq mirë. Zgjidhja ime është me u siguru që po merrem me gjëra të ndryshme; e drejtoj një emision televiziv dhe një podcast, shkruaj libër dhe i kam tre fëmijë. Kur të afërmit më thonë, “Qysh je?”  unë iu përgjigjem instinktivisht, “Mirë! Me punë!” Por, ndoshta zënia me punë është thjesht një përpjekje me shpërqendru veten. Soren Kierkegaardi që shkroi dy shekuj pas Pascalit, tha “Punëtorët më të ngarkuar prej të gjithë të tjerëve, ata që i përngjajnë insekteve gumëzhitëse, janë më bajatët prej krejtve.” Auç.

Kierkegaardi, si Pascali, e pa bajatësinë si një kërcënim moral dhe bile edhe si “rrënjë të dreqit”. Por ai i doli kundër bajatësisë me përtaci, të cilën e shihte si të mirën më të lartë. “Dembelia si e tillë s’është aspak rrënjë dreqi; e kundërta, është mënyra hyjnore për me jetu, për aq sa dikush s’bajatoset,” – shkroi Kierkegaardi. “Çdo njeri të cilit i mungon vlerësimi për dembelinë tregon se nuk e ka ngritë veten në nivelin e njerëzimit,”

Mendja ime është tepër e zhurmshme që me u ndi rehat me dembelinë e vërtetë. Por çfarëdo që bëjmë në jetë kërkon pak punë, sakrificë dhe qëllim. Mundet me qenë paradoksale me ushtru që me punu më pak, por libri i Jenny Odellit “Qysh të mos bëjmë asgjë” na e ofron një pikë fillimi.

Miliona njerëz falen e meditojnë por edhe bëjnë forma tjera të praktikimit shpirtëror e psikologjik me të njëjtin qëllim. Ajo çka kanë të përbashkët këto praktika është kultivimi i një disipline të brendshme për me i resizu dëshirës së egër që me zbavitë veten. Kierkegaardi e quajti “princip të limitimit, që është shpëtimi i vetëm në botë… sa më shumë me kufizu veten, aq më i aftë bëhesh.”

Po provojmë zgjidhje të ndryshme për këtë problem, që është edhe kurë e re por edhe e vjetër. Ka aplikacione të vëmendshmërisë (mindfulness), ka guru plot që tregojnë qysh me ndihmu veten nëpër Instagram e Tiktok, duke iu premtu qetësimin e mendjes. Këto s’bëjnë shumë me qetësu një popull nervoz, popull i cili është i ndërtuar në atë formë që të bajatavet shpejt prej zbavitjeve konstante. Jemi të ngujuar në paradoksin e mbretit. Po ndjekim çdo zbavitje me egërsi gjithë e më mizore, që mundësohet prej makinave të kontentit që i kemi në xhepat tanë që na bëjnë të kemi nevojë për gjithnjë e më shumë gjëra të cilave ua japim vëmendjen.

Mundemi me imagjinu mbretin e Pascalit derisa iu kërkon oborrtarëve me i sjellë argëtime gjithnjë e më ekstreme, perverse e poshtëruese veç sa për me mbajtë interesin e tundimin e tij njësoj si ne në pajisjet që i kemi në xhep, tundim i ngjashëm me atë që e ofron një politikan që e bën interesant, pavarësisht sa mizore apo fyese i duhet të jetë për me marrë vëmendje.

S’mundeni me i ikë bajatësisë me punë apo me zbavitje. As puna e as zbavitja konstante s’është zgjidhje. As për mbretin as për ne. Problemi me të cilin përballemi është ekzistencial dhe shpirtëror, jo rrethanor. S’mundemi me ikë prej mendjes tonë; na ndjek kahdo që shkojmë. Shpresa e vetme është me detyru veten me u largu sado që mundemi. Me u mësu përsëri me qëndru në vetmi.

Ese e botuar në The New York Times. Përkthyer nga Tjetër*

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: