Diskursi publik që u është drejtuar mërgimtarëve gjatë cikleve të fundit zgjedhore ka prodhuar jo thjesht pakënaqësi emocionale, por një çarje të thellë simbolike mes tyre dhe një pjese të establishmentit analitik-mediatik në Kosovë. Në vend se të trajtohen si subjekt politik me përvojë transnacionale, kapital ekonomik dhe memorie historike, mërgimtarët janë reduktuar shpesh në karikatura, si votues “naivë”, “emocionalë”, apo si masë që “nuk e kupton realitetin këtu”. Ky diskurs përçmues nuk është neutral, ai buron kryesisht nga analistë dhe gazetarë të identifikuar hapur ose në mënyrë implicite me partitë opozitare.
Sjellje e cila prodhon një efekt të dyfishtë. Së pari, mërgimtari nuk ndihet i fyer vetëm nga individi që flet në studio apo shkruan kolumnën, por nga ekosistemi politik që ai individ përfaqëson dhe legjitimon. Analisti nuk shihet më si ndërmjetës kritik i realitetit, por si zëdhënës ideologjik i një partie të caktuar. Së dyti, fyerja kalon nga niveli personal në atë kolektiv. Mërgata si trup shoqëror e sheh veten të përjashtuar nga “ne-ja” politike dhe simbolike e brendshme.
Në këtë kontekst, vota për Lëvizja Vetëvendosje nuk është thjesht zgjedhje programore, por akt identitar dhe reagues. Ajo funksionon si refuzim i një rendi diskursiv që i trajton mërgimtarët si të dorës së dytë. Votë e cila mund të lexohet si një formë hakmarrjeje simbolike: jo hakmarrje primitive, por rikthim i dinjitetit përmes mjetit të vetëm që subjekti politik ka në dispozicion – votës. Kur mbi 70% e mërgatës rreshtohet në të njëjtën anë, kjo nuk është rastësi statistikore, por shenjë e një racionaliteti kolektiv i ndërtuar mbi përvojën e përbuzjes.
Gabimi strategjik i PDK-së pas zgjedhjeve, ankesa për anulimin e votave me postë, e thelloi edhe më tej këtë hendek. Ky veprim u perceptua nga mërgimtarët jo si mbrojtje e integritetit zgjedhor, por si sulm ndaj legjitimitetit të votës së tyre. Ishte një mohim i statusit të tyre si demos i barabartë. Një parti që konteston votën e mërgatës, në mënyrë implicite konteston edhe përkatësinë e saj në trupin politik të shtetit.
Prandaj, distancimi i mërgimtarëve nga analistët që i ofendojnë dhe nga partitë që këta analistë mbështesin është i natyrshëm dhe racional. Njeriu politik nuk kërkon vetëm mirëqenie materiale, por njohje. Kur kjo njohje mungon, vota shndërrohet në mjet ndëshkimi për ata që prodhojnë përjashtim simbolik. Në këtë kuptim, vota e mërgatës për Vetëvendosjen është më shumë se mbështetje partiake, është refuzim i arrogancës diskursive, protestë kundër elitizmit mediatik dhe kërkesë për barazi morale në hapësirën publike.
Nëse partitë opozitare dhe analistët e afërt me to nuk e kuptojnë këtë mekanizëm, atëherë do të vazhdojnë ta lexojnë votën e mërgatës si “irracionale”, duke e riprodhuar saktësisht arsyen pse ajo votë u kthye kundër tyre. Në politikë, përbuzja nuk mbetet kurrë pa përgjigje, ajo vetëm ndryshon formë – dhe shpeshherë – formën e votës.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).