Lufta mes njeriut më të pasur dhe njeriut më të pushtetshëm në botë ka rifilluar. Elon Musk vs. Donald Trump, rundi 2.
Amerika e sotme e udhëhequr nga Donald Trump është shndërruar në një cirk gjigant ku përditë ndodhin turli budallallëqesh të rrezikshme.
Një prej tyre është edhe Ligji i Madh e i Bukur (Big Beautiful Bill). Ky është një farë projektligji që ka për synim të adresojë nevojat dhe sigurinë ekonomike të qytetarëve amerikanë.
Por, rilexojeni emrin për me kuptu se sa serioz është: Ligji i Madh e i Bukur. Ligjet zakonisht s’përmbajnë cilësorë estetikë, por ja që Donald Trumpi është ai që është.
Pika qendrore e këtij legjislacioni është se merr para nga njerëzit e varfër dhe u jep njerëzve të pasur.
Ka shkurtime të jashtëzakonshme në programe sociale (kujdesi shëndetësor për të varfrit, ndihmat ushqimore, të strehimit e të mbrojtjes sociale). S’ka investim në arsim cilësor. S’ka garanci për punësim të qëndrueshëm. S’ka qasje univerzale në shëndetësi.
Çudi që një pasaniku t’i shkojë mendja ta bëjë këtë gjë?!
3.8 trilionë (jo milionë, jo miliardë por trilionë) pritet të jenë shkurtimet në taksa për pasanikët.
Por, Musk nuk është kundër këtij ligji sepse nuk i mbron amerikanët më të varfër. Ai është kundër sepse do të rritet borxhi publik në 2.4 trilionë më shumë. Tash e disa ditë, ai e ka quajtur këtë ligj “marrëzi”, “gërdi” e çkamos duke premtuar edhe krijimin e një partie të re nëse ai kalonte.
Trumpi në anën tjetër, eskaloi në gjuhë para pak kohësh. Ai e kërcënoi Muskun se do t’ia ndalonte subvencionet shtetërore, dhe për më tepër do të ndërhynte që të mos kishte më prodhim të veturave elektrike, lansime të raketave e satelitëve. Me pak fjalë, presidenti i Amerikës po e kërcënon Muskun me rrezikim të krejt pasurisë së tij.
Çka do të ndodhë tutje? Kalimi i këtij ligji – të cilin po e kundërshtojnë edhe disa Republikanë tjerë – përbën një shqelm në fyt për klasën punëtore amerikane. Moskalimi i këtij ligji përbën shqelm në fyt për Donald Trumpin. Të lutemi që do të ndodhë kjo e dyta!
Nëse doni me kuptu më shumë ndiqeni këtë video: