Nexhmedin Spahiu dje njoftoi në llogarinë e tij në Facebook se e kishte taku famëkeqin Marko Gjuriq. Si pa të keq, ai thjesht tregoi se i kishte shku Gjuriqit – që shërben si ministër i jashtëm – në zyrën e tij në Beograd.
Fotografia e shfaqte Nexhmedin Spahiun që i kishte dhënë dorën Gjuriqit. Të dy rrinin në këmbë, si kastravecë. ‘Znaçkën’ e zakontë që e var në anën e djathtë të palltos e ku shfaqet flamuri i Kosovës, Spahiu s’e kishte. Se a e detyruan ta hiqte apo e hoqi vetë (edhe më keq) nuk tregoi. I ishte futë disi në xhep.
Se çfarë mesazhi jepte kjo fotografi e ky takim ishte e paqartë. Dhe s’u qartësua as nga komentet e vazhdueshme të Nexhmedin Spahiut ndaj ndjekësve të tij. “Shtyrja përpara e axhëndës së Kosovës për njohje” – ia ktheu analfabetçe një komenti që e pyeste për arsyen.
Por, neve na merr mendja se e dimë arsyen. Këtu do të ndalemi vetëm në dy momente që e kanë përforcuar bindjen te një pjesë e madhe e miletit në Kosovë për sharlatanizmin e tij.
Llaskuc Spahiu
Tensioni në mendjen e Nexhmedin Spahiut është bërë aq i madh kohët e fundit sa e shtyu edhe drejt racizmit internal. I quajti “llaskuca” shumicën e shqiptarëve. Pak më herët, shprehej edhe më zi duke thënë se “serbët janë më të civilizuar se sa ne shqiptarët, më të kulturuar.”
E gjithë kjo derisa mbronte veprimet e Qeverisë Kurti në veri të Kosovës. Por, e gjithë kjo ishte një mbrojtje pa bosht. E prandaj, edhe i duhej të rrëshqiste nëpër pozicione të pambrojtshme.
Virgjëreshë Spahiu
Në një paraqitje televizive gjatë muajit mars, derisa po shprehej më rrëmujshëm se zakonisht, Spahiu depërtoi në bindjet e vërteta të tij.
“Ky (Albin Kurti) e ka shkathtësinë e luftëtarit, domethënë shenja e tij e horoskopit është dash, shenja e policit,” – kishte thënë Spahiu, ashtu si pa të keq siç tha edhe kur e takoi Gjuriqin.
Panelistët tjerë kishin shprehë mosbesim me fjalët e tij. E Spahiu shpehte mosbesim ndaj mosbesimit të tyre.
“Dashi është shenja e policit… qysh është virgjëresha shenja e analistit,” – kishte vazhduar Spahiu në shpalosjen e botëkuptimit të tij.
A duhet më shumë për me kuptu që dikush është thjesht dhe vetëm sharlatan?! S’ka dyshim që jo. Qysh mund t’i marrësh seriozisht ‘analizat’ e tij prej virgjëreshe kur bën kësi lidhjesh të shkurta gjykimi?!
Prandaj, kur e kupton se s’të merr seriozisht askush atëherë provon edhe përmes hasmit ta rifitosh një farë serioziteti. Por, edhe ky takim s’është tjetër përpos veprimi i radhës prej sharlatani.
P.S. Marko Gjuriqi i takon shenjës astrologjike të Gaforres meqë është i lindur më 25 qershor.