E diel, 20 Prill, 2025

Një tjetër luftë me karrige në LDK duket e pashmangshme?!

PolitikëNjë tjetër luftë me karrige në LDK duket e pashmangshme?!

Këto janë çaste të rrezikshme për LDK-në. Partisë me demokracinë e brendshme më të zhvilluar po i lëkunden themelet. 

I fundit u bë Driton Selmanaj. Para tij, ishte Hykmete Bajrami. Para Hykmetes, Arben Gashi. Para Arbenit, Rrezarta Krasniqi.

Këta s’janë kurrkushi. Janë emra të mëdhenj në LDK që po i japin legjitimitet dyshimeve të rënda se pati manipulime me vota në këtë subjekt politik. Brenda këtij subjekti politik. E ndoshta edhe nga ky subjekt politik.

Tashmë, disa dyshime edhe janë vërtetuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Aty ishte dëshmuar se i ishin shtuar vota kandidatit Xhafer Tahiri, dhe i ishin heqë disa tjerëve – përfshirë babain e Edon Zhegrovës.

Kjo si duket i nxiti edhe kandidatët tjerë për deputetë nga LDK-ja që të kërkonin rinumërim.

“Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike.”shkroi Driton Selmanaj.

Ashpërsi të ngjashme kishin edhe deputetët tjerë të lartpërmendur.

Por, çështja s’është thjesht integriteti i votës për kandidatët për deputetë. S’mund të thuhet thjesht “te krejt partitë vidhen votat e kandidatëve”.

Vjedhjet e konfirmuara dhe dyshimet për vjedhje tjera vijnë saktësisht pas dyshimeve serioze për manipulim me vota edhe në nivel subjektesh te votat e diasporës me postë. Kjo e bën gjithë votën e LDK-së – që s’u rrit as afërsisht sa shpresonte – të jetë me hije dyshimesh.

Më 5 mars, Lumir Abdixhiku me një agresivitet të paparë iu turr njerëzve që hidhnin dyshime mbi rezultatin e votave me postë për kandidatin Hysen Çekaj.

“Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota, merreni me mend, nga vet mërgata.”shkruante Abdixhiku.

E kishte fjalën për Vetëvendosjen.

Por, problemi është se dyshimet me rezultatin e Hysen Çekajt po shprehin tash edhe kandidatët e tij për deputetë. Dhe, problemi është se dyshimet për rezultatin e LDK-së shprehin edhe plot qytetarë tjerë – përfshirë votuesit e LDK-së.

Ky është moment tepër i rrezikshëm për LDK-në. Nëse kryetari i kësaj partie nuk kërkon rinumërim dhe dënim të atyre që kanë abuzuar me votën qytetare – kushdo qofshin – atëherë ky mund të jetë fundi i partisë më të vjetër parlamentare të Kosovës.

Besimi i LDK-së te demokracia dhe tendencat autoritare të Kurtit përbëjnë motivin kryesor të përplot votuesve për me votu partinë e drejtuar nga Abdixhiku. Por, nëse kreu i LDK-së në një moment kyç i kthen shpinën një elementi kaq thelbësor si integriteti i votave atëherë… “çonu burra s’ka kurrgjë këtu” – që thotë Agim Veliu.

Lumir Abdixhiku duhet të vendos: a është me Hykmete Bajramin, Driton Selmanajn e Arben Gashin apo me hajdutët e votës?!

Kaq për këtë javë, të dashur lexues. Javën tjetër do të vijmë me disa artikuj surprizë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: