E diel, 20 Prill, 2025

Njerëzit me depresion flasin dhe shkruajnë ndryshe – qe qysh me zbulu

MendjeNjerëzit me depresion flasin dhe shkruajnë ndryshe - qe qysh me zbulu

Prej mënyrës qysh ecni e e bëni gjumin, e deri te mënyra qysh silleni me njerëzit përreth, deprsioni ndryshon thuajse gjithçka. E madje mundet me u vërejt edhe në mënyrën qysh ju flisni ose shkruani. Nganjëherë kjo “gjuhë depresioni” mundet me pasë efekt të fuqishëm te të tjerët. Veç kujtojeni fuqinë e poezisë dhe teksteve të këngëve nga Sylvia Plath e Kurt Cobain, dy njerëz shumë të famshëm që bënë vetëvrasje shkaku i vuajtjeve nga depresioni.

Shkencëtarët për kohë të gjatë kanë provu me kuptu raportin e saktë mes depresionit dhe gjuhës, dhe teknologjia po na ndihmon me marrë një tablo më të plotë. Studimi ynë i ri e ka zbulu një kategori fjalësh që mundet me ndihmu me kuptu saktë nëse dikush po vuan nga depresioni.

Tradicionalisht, analiza gjuhësore në këtë fushë është kryer nga hulumtues të cilët kanë lexu dhe kanë mbajtë shënime. Ditët e sotme, metodat e kompiuterizuara për analizim të tekstit mundësojnë procesimin e të dhënave tepër të mëdha brenda pak minutash. Kjo mundet me ndihmu në gjetjen e karakateristikave gjuhësore të cilat njerëzit munden mos me i pa, duke e kalkulu përqindjen e shpeshtësisë së fjalëve dhe kategorive të fjalëve, diversitetit leksikor, gjatësisë mesatare të fjalive, tipareve gramatike dhe shumë metrikëve tjerë.

Deri tash, esetë personale dhe ditarët e njerëzve me depresion kanë qenë mjaft ndihmuese, ashtu siç është puna e artistëve të mirënjohur si Cobain apo Plath. Për fjalën e folur, dromca të bisedave të natyrshme të njerëzve me depresion po ashtu kanë kallëzu diçka. Të bëra bashkë, gjetjet nga një hulumtim i tillë zbuluan dallime të qarta e konsistente në gjuhë mes atyre me dhe pa simptoma depresioni.

Përmbajtja

Gjuha mundet me u nda në dy komponente: përmbajtje dhe stil. Përmbajtja është ajo çka dikush shpreh – që domethënë, kuptimi apo çështja për të cilën bëhet fjalë. Askush s’do të befasohet me kuptu që ata me simptoma depresioni përdorin numër tepër të madh fjalësh me përcjell emocione negative, veçanërisht cilësorë e ndajfolje – të tilla si “i vetmuar”, “i trishtuar” apo “i mjerë”.

Më interesante është mënyra qysh përdoret përemri. Ata me simptoma depresioni përdorin shumë më shumë përemrat e parë – si “unë”, “mua”, “vetja ime” – dhe shumë më pak përemrat “ata”, “atyre” apo “ai/ajo”. Ky tipar i përemrave na tregon që njerëzit me depresion janë më të fokusuar te vetëvetja, dhe më pak të lidhur me të tjerët. Hulumtuesit kanë raportu se përemrat janë në fakt diçka që më mirë identifikon depresionin sesa përdorimi i fjalëve të emocioneve negative.

E dimë se ruminimet (tjerrja e problemeve personale) dhe izolimi social janë karakteristika të depresionit. Sidoqoftë, nuk e dimë nëse këto gjetje i reflektojnë dallimet në vëmendje apo në formën e të menduarit. A i bën depresioni njerëzit me u fokusu te vetja, apo njerëzit që fokusohen te vetja i marrin simptomat e depresionit?

Stili

Stili i gjuhës lidhet me atë sesi ne e shprehim veten, e jo me atë çka shprehim.

Laboratori ynë e bëri një analizë tekstesh me të dhëna të shumta nga 64 forume të shëndetit mendor online, duke i ekzaminu mbi 6400 anëtarë. “Fjalët absolutiste” – të cilat përçojnë magnitutë apo edhe mundësi absolute, si “gjithmonë”, “asgjë” apo “krejtësisht” – u gjetën se janë shenjues edhe më të mirë sesa përemrat apo fjalët e emocioneve negative për të cilat folëm më lart.

Prej fillimi, ne parashikuam që ata me depresion do të kishin një pikëpamje më bardh-e-zi për botën, dhe që kjo do të na shfaqej në stilin e tyre të gjuhës. Krahasuar me 19 forume tjera që s’kishin të bënin me shëndetin mendor, shpeshtësia e fjalëve absolutiste ishte rreth 50 për qind më e lartë në forumet me ankth apo depresion, dhe rreth 80 për qind më e madhe në forumet e njerëzve me ideacione vetëvrasëse.

Përemrat e prodhuan një shpërndarje të ngjashme si fjalët absolutiste nëpër forume, por efekti ishte më i vogël. Në të kundërtën, fjalët e emocioneve negative ishin paradoksalisht më pak të shpeshta në forumet e njerëzve me ideacione vetëvrasëse sesa në forumet me ankth dhe depresion.

Hulumtimi ynë po ashtu përfshiu forumet e njerëzve që rikuperuar – anëtarët e të cilëve pasi ndjejnë se janë mëkëmbur nga një episod depresioni shkruajnë postime pozitive e inkurajuese. Aty zbuluam se fjalët e emocioneve negative ishin përdorur në nivele të krahasueshme me forumet që s’ishin për shëndet mendor, ndërsa fjalët e emocioneve pozitive ishin ngritur për 70 për qind. Megjithatë, shpeshtësia e fjalëve absolutiste mbetej shumë më e lartë, por megjithatë pak më e ulët se në forumet e depresionit dhe ankthit.

Më kryesorja, ata që më herët kanë pasur simptoma depresioni është më e mundshme që t’i kenë ato përsëri. Prandaj, tendenca e tyre për mendim absolutist, edhe kur s’kishin pasur simptoma depresioni, është shenjë që kjo formë mendimi mundet me shkaktu episode depresioni. I njëjti efekt shihej edhe në përdorimin e përemrave por jo për fjalët e emocioneve negative.

Implikimet praktike

Me e kuptu gjuhën e depresionit mundet me na ndihmu me kuptu mënyrën qysh mendojnë ata me simptoma depresioni, por po ashtu ka edhe implikime praktike. Hulumtuesit po kombinojnë analiza të teksteve të automatizuara me makina të të mësuarit (kompiuterë që munden me mësu pa u programu) për me klasifiku një numër gjendjesh të ndryshme të shëndetit mendor nga tekste të gjuhës së natyrshme si postimet në një blog.

Një klasifikim i tillë tashmë po performon më mirë se ai i bërë nga terapistë të trajnuar. Më e rëndësishmja është se klasifikimi nga makinat e të mësuarit vetë vetëm sa do të përmirësohet kur të ofrohen edhe më shumë të hdëna dhe të zhvillohen edhe më shumë algoritma të sofistikuar. Kjo shkon përtej të kërkuarit të tipareve si absolutizmi, negativiteti apo përemrat. Puna ka fillu duke përdor kompiuterët që të identifikojnë saktësisht nënkategori specifike të problemeve të shëndetit mendor – të tilla si perfeksionizmi, problemet me vetëbesim apo anthi social.

Është natyrisht e mundshme me përdor gjuhë që lidhet me depresionin pa qenë në depresion. Tekefundit, është mënyra qysh ndiheni përgjatë një kohe të caktuar ajo që përcakton nëse po vuani ose jo. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerësohet se më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me depresion, një rritje prej 18 për qind krahasuar me vitin 2005. Prandaj nëse kemi më shumë mjete për me identifiku këtë gjendje është tepër e rëndësishme për me përmirësu shëndetin dhe me parandalu vetëvrasje tragjike si ajo e Plathit apo Cobainit.

Artikull i shkruar nga Mohammed Al-Mosaiwi për The Conversation | Përkthimi: Tjetër*

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: