E martë, 2 Dhjetor, 2025

Opozita brenda lojës së Kurtit

PolitikëOpozita brenda lojës së Kurtit

15 muaj pas shpalljes së zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe gati nëntë muaj pas 9 shkurtit, Kosova pritet të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare. Ndoshta, në dy palë zgjedhjesh të tilla – siç paralajmëroi kryeministri Kurti para disa ditësh.

Partitë e ish-Opozitës (PDK, LDK, AAK) mund ta shohin si sukses që ia pamundësuan Vetëvendosjes krijimin e Qeverisë Kurti III marrë parasysh fitoren e thellë të kësaj partie në zgjedhjet e fundit. Është e vështirë për t’u besuar që një parti me 42% të votave nuk ishte në gjendje ta krijonte qeverinë. Por, çka është e lehtë për t’u besuar në këtë vend?

Kurti në tjetrën anë po i sheh zgjedhjet e reja si mundësi të mirë që edhe njëherë të dalë para popullit për ta kërkuar një “referendum” të dytë. Qysh në fillim është kuptuar se ai nuk ka dëshirë që të ndajë pushtetin me partitë tjera. Në fjalimin e fitores ai i ofendoi kundërshtarët politikë duke e thelluar edhe më shumë ndasinë. Edhe dy thirrjet që ia bëri më vonë LDK-së nuk ishin të sinqerta (gjatë fushatës shprehej se koalicioni me këtë parti s’do të zgjaste “as pesë orë”)

Por, duhet thënë edhe diçka tjetër: partitë e ish-opozitës e humbën një mundësi të artë për ta krijuar qeverinë shkaku i qëndrimit të ngurtë të LDK-së. Të gjithë liderët opozitarë u shprehën të gatshëm për bashkëpunim, përveç kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ndonëse nuk do të ishte një qeveri afatgjatë, partitë e opozitës e kishin mundësinë që t’i kryenin disa punë të rëndësishme e të cilat do të ndikonin pozitivisht te qytetarët dhe për rrjedhojë do ta vendosnin veten në pozicion më të mirë për zgjedhjet e reja. Mirëpo, LDK-ja s’deshi as me PDK/AAK-në e as me Vetëvendosjen duke dashur që ta forconte identitetin e saj partiak.

Është e vështirë që në zgjedhjet e radhës kjo parti ish-opozitare të rriten. Qëndrimi bllokues i saj vetëm sa e ka normalizuar përpjekjen e Kurtit për të qeverisur edhe njëherë i vetëm. Por, e vështirë se do të ketë rritje edhe të PDK-së. Ndërsa AAK-ja rrezikon që të mos e kalojë fare pragun.

Atëherë, shtrohet vetiu pyetja: cila ka qenë strategjia e partive opozitare kur u futën në zgjedhjet e 9 shkurtit? Cila ka qenë strategjia e partive opozitare pasi e morën rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit? Ta ndalin përkohësisht Kurtin? Kjo s’është strategji. Është veç reaksion.

Është e sigurt se kurdo që mbahen zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje do të dalë sërish e para. Na pëlqeu ose jo, Kurti është politikani më popullor në vend dhe s’mund të anashkalohet dot.

Mungesa e strategjisë nga ish-opozita i ka dhënë hapësirë Kurtit që të vazhdojë taktizimet siç bëri edhe me propozimin për buxhetin e ri, që mund të shihet si “joshje” për vota të reja.

Vetëvendosje nuk ka gjasa që t’i fitojë 50% të votave, por sërish mund të jetë në një pozitë më të favorshme krahasuar me partitë tjera për të krijuar qeverinë e re. Opozitarët janë brenda lojës së Kurtit dhe me këtë qasje të tyre, lideri i Vetëvendosjes do të rrijë në pushtet sa të dojë vetë.

*Autori është gazetar në TëVë1
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: