“Albin Kurti ka tendenca autoritare!” – po vajton opozita. Po, edhe?! Çka të bëjmë me këtë informacion?!
Një deputet i opozitës u pagua 20 mijë euro në vit ose 80 mijë euro për katër vjet prej taksave tona. Pa i llogaritë meditjet. S’janë pak për standardin tonë. A s’ishte punë e deputetëve opozitarë me i frenu ato tendenca?!
E, e keqja është se opozita s’po ndalet te vaji. Disa prej tyre edhe po e fyejnë e po e tallin votuesin kundërshtar. Qysh mund të jetë dikush kaq haptas kundërproduktiv?!
Unë pajtohem që Albin Kurti ka prirje autoritare. Por, puna është që secila parti politike në thelbin e saj i ka këto prirje. Po e shohim këtë gjë edhe në demokracitë më të zhvilluara të botës. Sa më shumë që beson te bindjet e veta një parti, ose edhe individ, aq më autoritar bëhet. Ky është realiteti. Prirje antidemokratike s’ka veç Kurti. Ka edhe PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Lista e Familjes, Lëvizja e Deçanit. Lidhja e historianëve të Deçanit. Manastiri i Deçanit etj.
Hajt të mendojmë pak kundërintuitivisht. Çka nëse problemi s’qëndron te shpërfaqja e autoritarizmit të Kurtit por te mosshpërfaqja e autoritarizmit te opozita? Domethënë, çka nëse demokracia është një farë lufte legjitime autoritarësh të detyruar nga njëri-tjetri me i respektu rregullat? (Kushtetutën, ligjet) Pra, çka nëse ajo ‘prirje demokratike’ e PDK-së është thjesht fasadë që e mbulon mungesën e bindjeve dhe qëndrimeve njëmendta politike? Çka nëse ajo mungesë bindjesh e qëndrimesh të njëmendta – ajo mungesë autoritarizmi prej tyre – po e çon drejt autoritarizmit kundërshtarin?
Çka nëse Kurti po bëhet autoritar sepse opozita s’po bëhet opozitare?
E di që mund të duket qesharake. Por, pritni pak!
I.
Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit – nëse jo me nxitë mendim kundërintuitiv – të paktën do t’i nxis do mendime të reja te votuesi i partisë opozitare. Sidomos te ai që e ka seriozisht kundërshtinë ndaj Kurtit. Ky votues do t’i shtrojë – qoftë edhe veç vetëmevete – disa pyetje legjitime e disa tjera jolegjitime:
“A po më përfaqësojnë mirë? A po i fitojnë betejat politike? Pse humbën prapë kaq thellë ndaj Kurtit? Pse Kurti dukej më i zoti se këta edhe kur i kishte veç 10% të votave?”
Diskutimet më domethënëse politike nuk zhvillohen në ndonjë studio televizive apo ndonjë forum. Ato zhvillohen – të parrjedhshme, ilogjike, ndoshta veç me fjalë njërrokëshe, ofshama, piskama – brenda kokës së qytetarit. Aty merret vendimi se kujt t’i ipet vota; kush të shahet në Facebook e kush të mbrohet. Ama ky diskutim brenda mendjes së qytetarit e ka një nxitës. Hint: s’është arsyeja.
Botëkuptimi i deritashëm i opozitës tonë thotë pak-a-shumë: ah, sikur të kuptonte votuesi i VV-së më shumë fakte! Pra, ah sikur të shihte atë çka po e shohin ata. Ah sikur të ishte më i dijshëm. Ah sikur të kishte më shumë informacione.
Pritni veç pak!
II.
Mospajtimet tona politike s’janë thjesht keqkuptime. Nuk është se po të informoheshim më shumë, do të pajtoheshim me njëri-tjetrin. Informimi është… çështje identitare.
Një profesor në Amerikë me emrin Dan Kahan e ka bërë një studim para do kohe që na e dëshmon këtë gjë. Një pjesë e madhe gazetarësh e politologësh s’e kuptonin pse shumica e njerëzve në Amerikë s’pajtoheshin me faktet për ngrohjen globale. Për herë të parë pata dëgju për studimin e Kahan para nja 5-6 viteve në një artikull që titullohej:“Qysh na bën politika budallenj”.
Studimi i atij profesori zbuloi që njerëzit nënvetëdijshëm iu rezistojnë fakteve të cilat ua rrezikojnë vlerat e tyre themelore.
Pra, badihava ti i thua dikujt që Albin Kurti ka prirje autoritare dhe ia gjen një varg fjalimesh apo veprimesh ku faktohet kjo gjë. Dialogu i brendshëm në kokën e qytetarit nuk nxitet nga nevoja e rivlerësimit të vazhdueshëm kritik të vlerave e bindjeve në të cilat beson. Ai dialog nxitet prej nevojës së përforcimit të atyre vlerave e bindjeve. Sepse, ato vlera e bindje – mes tyre edhe Kurti – bëhen pjesë qendrore e identitetit të tij.
Kështu jemi të gjithë, na thotë ai studim. Askush prej nesh s’do që përditë me i cenu ato gjëra që e përcaktojnë.
Dhe, mbajeni mend se ky farë dialogu zhvillohet brenda kokës tonë. E koka jonë s’është si DeepSeek-u i Kinës që e zbulon hapur procesin e të menduarit. Ne këtë proces e kemi të fshehtë. Dhe, siç e dimë të gjithë, ky proces i të menduarit na korruptohet prej lidhjeve emocionale, kohës së shkurtër, nervave të dobëta apo edhe aftësive kognitive. E na korruptohet më së rëndi prej identitetit.
Rezultatet e studimit të lartpërmendur e dëshmuan teorinë që na thotë se aftësitë tona njohëse bazohen në mbrojtjen e identitetit (ang. Identity-Protective Cognition). Pra, ne mbledhim informata jo për me sfidu veten por për me përforcu përkatësinë tonë. Dhe kjo bëhet veçanërisht e fortë kur polarizimet shoqërore bëhen të mëdha – në të cilat, identiteti ynë vihet nën kërcënim. E kur ndërrimi i mendimit kërkon sakrificë të madhe personale.
Të paktën tash për tash, identitetet politike e kulturore mes nesh – meqë ende jemi shoqëri tranzicioni – janë deridiku fluide. Ka edhe qytetarë që e ndërrojnë mendjen pa kurrfarë problemi. Nëpër qendra urbane vota është luhatë vazhdimisht deri në këto zgjedhje. Por, polarizimi politik po na rritet dhe kjo i nxit njerëzit gjithnjë e më shumë me kriju identitete në bazë të bindjeve politike. Po e shohim këtë gjë para syve tanë: përplot njerëz në rrjete sociale janë në gjendje të ushtrojnë dhunë të pabesueshme verbale për Albin Kurtin.
III.
Çka ka të bëjë këtu opozita?
Opozita s’duhet të qajë gjithë ditën duke thënë se qytetarët po injorojnë faktet. Është në natyrën tonë me i injoru faktet. Çështja është: çfarë përfaqësimi, përkatësie, identiteti po i ofrojnë partitë opozitare votuesve të tyre?
Unë besoj që paradigma e pasluftës që iu kërkonte koordinim konstant me miqtë ndërkombëtarë i ka zënë frymën zhvillimit të mendimeve e bindjeve të reja politike. Një pjesë e madhe opozitarësh s’po i zënë besë vetes me mendu në mënyrë vetjake as për çështjet më të rëndësishme të shtetit tonë.
E në politikë, nëse s’identifikohesh me politika të caktuara, gjithçka tjetër bëhet irrelevante me kalimin e kohës. Kjo i ka lënë pa identitet politik edhe votuesit e tyre. I ka lënë efektivisht edhe pa përfaqësim. Prandaj, edhe votat që i marrin PDK-ja me LDK-në i marrin veç shkaku i ish-liderëve dhe shkaku i zhgënjimit të njerëzve me Kurtin. Ama jo sepse njerëzit iu besojnë atyre.
Në anën tjetër, Kurti na e ofron një shembull krejt tjetër. E vërtetë që i ka shkelë dhjetëra qëndrime politike. Por, të paktën i ka pasë ato qëndrime përmes të cilave e ka kriju identitetin e tij. Sot njerëzit identifikohen me të. E bëjnë tatuazh kokën e tij. Fyejnë në emër të tij. Dhe këto, sado vulgare të na duken, përbëjnë sukses në politikën tonë.
Kurti ka pasë komunikim tepër strategjik e të kujdesshëm me qytetarët. Ka operu përmes simbolesh e alegorish të cilat e kanë ndiku atë dialogun jotransparent të qytetarit me veten. Kurti e ka fitu vazhdimisht luftën e perceptimeve. Por, e mira e demokracisë është se ofron gjithmonë fusha të reja lufte.
A do t’i shfrytëzojë opozita? S’e besoj. LDK-ja i ka bërë disa hapa të gabuar duke provu me kalu në një farë të djathte që s’i përgjigjet rrethanave tona. PDK-ja krejt mish-mash. Qe shiheni Qeverinë Në Hije të PDK-së. Klikoni në cilindo Departament – ekuivalenti i ministrive – për me kuptu çka është vizioni e çka është puna e tyre. S’ka asgjë.
IV.
Autoritarizmi i Kurtit s’do të mjaftojë si argument për mbështetësit e opozitës këtej e tutje.
Ajo çka i duhet opozitës është krijimi i një identiteti të qartë përmes të cilit qytetarët që i mbështesin të krenohen e të mbushen me shpresë. Nuk mjafton thjesht evidentimi i një të keqeje. Duhet të ofrohet edhe alternativa për të.
Ky identitet nuk krijohet përmes ngjyrash e logosh e billbordesh, siç na ndodhi në fushatë. Krijohet përmes një tregimi të qartë e koherent. Ta zëmë, nëse besojnë Kurti është autoritar atëherë PDK-ja e LDK-ja do të duhej me ofru shembuj të thjeshtë e të prekshëm të demokracive të tyre. Por, a janë se?
Kosovës i duhet një opozitë e fortë. E një opozitë e fortë s’bëhet kurrë nëse ka shkujdesje në komunikim e injorancë të plotë mbi percepsionet e krijuara. S’fitohet kurrqysh nëse ia merr inati qytetarëve pse s’duan me u identifiku me ty. Bile as atyre që votojnë baza provinciale apo banalitete tjera.
Pra, nuk është çështja veç te faktet që ofrohen në debatin publik. Çështja është: çfarë identiteti i jep ti qytetarit. Puna kryesore e opozitës në mandatin e kaluar ishte definimi i Albin Kurtit. Me i tregu qytetarit se kush është ai. S’funksionon. Puna kryesore e partive opozitare këtë mandat duhet me qenë definimi i vetes. Kush janë? Në çka besojnë? Në çka jo?
Nëse opozita krejt shpresat për rritje – apo edhe mbijetesë – i varë te gabimet apo skandalet e mundshme të Kurtit, atëherë… e pret një fat i keq.
Kaq kësaj here.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).