Rezultati i 9 shkurtit nxiti një varg reaksionesh të çuditshme te opozitarët e Albin Kurtit. Një nga këto reaksione ishte edhe tendenca për t’i mëshuar – kushtimisht thënë – tëndit.
“Kur s’ke çka i bën magarit, mëshoji samarit,” – thotë populli për ata që kur s’ia mban të luftojnë me një armik të madh, luftojnë me një më të vogël.
Në këtë rast, armiku i madh i opozitarëve tanë të dashur është Albin Kurti. Armiku i vogël është Arben Gashi për dikë, PSD-ja për dikë tjetër, Baton Haxhiu për tjetërkë e kështu me radhë.
T’ia nisim prej luftërave më të vogla.
Valon Syla vs. PSD
Një badihavxhi televiziv kundër disa aktivistëve pa televizor. Një humorist politik që s’ia del ta formulojë një fjali të vetme në debat kundër fjalisë së vetme në debat.
Pse i gjithë ai mllef nga Valon Syla?
Është e vështirë të kuptohet. Ai i quan komunistë aktivistët e PSD-së dhe i akuzon se janë papunëtorë. S’është që Syla është farë biznesmeni i hajmedetshëm që punon natë e ditë.
“Ata presin tjerët me rrëzu Albin Kurtin dhe me ja kry punën, e ata me shitë ideologji me instalacione dhe me vjedhë kahpak histori dhe merita të huaja.” – piskaste në Facebook analisti.
Nëse i lexojmë këto fjalë, atëherë na bëhet pak më e qartë pse-ja. Syla ka mllef me PSD-në sepse s’arritën ta dëmtonin Albin Kurtin aq shumë kur ia braktisën partinë. Por, kjo është sikur t’ia marrësh inati dikujt që është i dobët, pse është i dobët?! Epo tash, për Valon Sylën po flasim.
Zgjim Hyseni i dha një goditje të fortë. E quajti “fashist” mes tjerash.
Parashikimi: Gjakrat do të qetësohen. Valon Syla do ta lëshojë ndonjë fjalë aty-këtu nga nervoza me Albin Kurtin. PSD-ja do t’i përgjigjet duke e parë si mik oligarkësh dhe opozitar të padenjë të Kurtit.
LDK vs. LDK
“Një tjetër luftë me karrige në LDK duket e pashmangshme?!” – pyeste magazina Tjetër pa sherr para disa javësh. Në atë kohë, s’e dinim se kishte mesazhe të rënda në një grup Viberi. S’e dinim as për eskalimet që do të ndodhnin.
Ajo çka na shqetësoi ishte edhe mënyra sesi fliste Lumir Abdixhiku.
Lumir Abdixhiku: “Përshëndetje Avdullah, Kryetari Abdixhiku është i brengosur vetëm për votat e partisë. Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të.”
Kryetar Abdixhiku s’është dikush që ngatërron përemrin e parë (unë) me të tretin njëjës (ai). Kush po fliste në dy fjalitë e para (Përshëndetje Avdullah? Kryetari Abdixhiku është i brengosur?)
Mos ia mori vodhi dikush telefonin?
Nejse. Pasojat e kësaj lufte të brendshme mund të jenë tepër të rënda. LDK-në mund ta pres dërmimi i plotë nëse kjo çështje nuk merr një zgjidhje së shpejti. Në anën tjetër, në sytë e publikut duket sikur po mbrohet mashtrimi elektoral.
Parashikimi: LDK bëhet me Vetëvendosjen dhe i harrohet ky mëkat.
Fatmir Limaj vs. Pronto
“S’provohet shteti, o djem.” – ishte kritika më e bujshme e Fatmir Limajt ndaj Qeverisë Kurti II. Por, pas zgjedhjeve ai e bëri lëvizjen e parë. Nënkuptoi se ishte i gatshëm të bashkohej me “djemtë provues” për ta provuar edhe vetë… pak.
Mbrëmë u raportua se ai edhe darkoi me Albin Kurtin. Kushedi çka provoi.
Tre deputetët e tij do të ishin tamam ajo çka i vyen Vetëvendosjes për ta arritur shumicën në Kuvend që mjafton në ndërtimin e Qeverisë së re.
Parashikimi: S’do shumë mend. Fatmir Limaj do t’i bashkohet Albin Kurtit në qeverisje.
Tjetër?
Ka pasë edhe beteja tjera. Ta zëmë, poshtërimi që Dukagjin Goriani ia bënte Baton Haxhiut në një debat televiziv.