E shtunë, 7 Qershor, 2025

Paraja e kthen ujin përpjetë

PolitikëParaja e kthen ujin përpjetë

Shkruan: Gazmend Demolli

Gjesti, Kingu, qysh qe 5 muaj na ngazëllen me skenarët që krijon për veten dhe aktorët e tjerë, lojën e tij, energjinë e tij, në një teatër 24/24h. Sepse është teatër, jo se unë dua ta justifikoj veten pse, si i droguar, shikoj me padurim përmbajtjen e krijuar nga ai, por sepse nga një faqe e bardhë arrin të krijojë skenarë trillues, dramatikë, komikë, tragjikë. I ka bërë të gjithë të diskutojnë për të, ta duan, të qajnë për të, të qeshin me lot dhe, mbi të gjitha, t’i dëshirojnë fitoren. Dhe të jenë të sigurt për fitoren e tij.

Por a e ka të sigurt fitoren? Për shembull, në një rast hipotetik ku njëri apo edhe të tjerë kundërshtarë të tij fillojnë të përkrahen nga magnatë, oligarkë, media të tëra dhe ata fillojnë të shpenzojnë para dhe të ushtrojnë ndikim jashtë racionales që Gjesti të paraqitet në një mënyrë të keqe, ndërkohë që kundërshtari/ët e tij ngrihen lart nga hiçi. Po, në atë rast, të gjithë e kuptojmë që gjasat do të shemben. Do të shemben ore, kryhet loja. Bie pulsi. Paraja e kthen ujin përpjetë, filluan të thonin të parët kur panë hidroforin në punë.

Fushata e fundit elektorale në Kosovë u shënua nga shpenzime të jashtëzakonshme të partive politike. U investua masivisht në reklama mediale, tubime spektakolare me teknologji të avancuar dhe logjistikë komplekse. Mbi të gjitha, shpenzimet me më së shumti ndikim ishin ato që mundësuan ndryshimin e politikave redaktoriale të mediumeve, të cilat deri në këtë fushatë, ndonëse kritike, nuk patën kaluar vijën e kuqe të krijimit të lajmeve të rreme, lëshimin e insinuatave, përdorimin e tangjenteve të dyshimta. Paraja e kthen ujin përpjetë.

Një analizë më e thellë e financimit politik tregon se ndikimi i parasë shkon përtej fushatave elektorale. Në vende të tjera demokratike, si Gjermania dhe vendet skandinave, ekzistojnë mekanizma strikte që sigurojnë që të gjitha fondet të përdoren në mënyrë të hapur dhe të audituara nga organe të pavarura. Këto praktika rrisin besimin e qytetarëve dhe krijojnë një ambient politik ku konkurrenca mbështetet në ide dhe programe, jo në aftësinë për të blerë mbështetje publike.

Ndërkohë, studimet ndërkombëtare theksojnë se mungesa e transparencës në financimin politik krijon një terren pjerrës ku interesat ekonomike bëhen shtyllë për përfitime personale. Kjo jo vetëm çon në deformim të politikave publike, por edhe minon themelin e demokracisë, duke larguar qytetarët nga çështjet që me të vërtetë kanë rëndësi.

Financimi i partive politike është një nga “pikat e errëta” të demokracisë moderne. Kur shpenzimet elektorale tejkalojnë normat racionale, ato krijojnë një pjerrësi të rrezikshme ku fuqia ekonomike zëvendëson meritokracinë, ndërsa ndikimi i donatorëve, kur ka sukses në ngritjen në pushtet të të dëgjueshmëve të tyre, deformon politikat publike në favor të interesave private duke maskuar korrupsionin si “kontribut legjitim”.

Në rast të suksesit të gjithë këtij uragani monetar, do të kishim, bie fjala, një qendër spitalore që do t’i lëshonte një hapësirë premium në zemër të qytetit një kompleksi të ri komercial, i cili ndoshta krejt rastësisht do të fitohej nga njëri prej donatorëve zemërgjerë. Do të kishim edhe investime të tjera marramendëse përmes borxhit publik, nga të cilat përfitues do të ishin, kush tjetër? Kush thuani ju? Kush do të kishte përparësinë të gëzojë ‘frytet e fitores’? Kush? Eh.

Në Kosovë ekziston ligji, por mungesa e rigorozitetit për transparencën e financimit politik, për faktin që nuk e definon qartazi dënimin në rastin e mosrespektimit, në një mënyrë lejon partitë të shpenzojnë pa pasur obligim raportimi të detajuar. Kjo krijon një ekosistem ku burimet e fondeve dhe destinimi i tyre mbeten të paqarta, duke rritur rrezikun e abuzimeve. Ndërkohë, në Francë, secili që mbishpenzon humb të drejtën të financojë fushatën nga paratë publike dhe, në rast të shkeljeve ligjore e jotransparencës, pasojnë dënime. Sarkozy është dënuar me një vit burg për mbishpenzim në fushatë dhe jotransparencë, dhe gjykimi i tij po vazhdon për arsye të ngjashme, në rastin e fundit lidhur me fondet që vinin nga Libia.

Unë nuk dua të spekuloj nga vinin fondet që u derdhën në fushatën e fundit. Nuk është puna të spekulojmë. Puna është, a ka KQZ mjaftueshëm resurse humane dhe financiare që të auditojë në mënyrë të plotë rrjedhën e parasë në këtë fushatë? A do të mundet ndonjëherë të dëshmojë rrjedhën e parasë nga burimi deri te shpenzimi dhe më pas? Dhe të gjitha humbjet dhe përfitimet përgjatë rrjedhës? Unë besoj se duhet t’i jepet mundësia e plotë KQZ-së që profesionalisht ta bëjë këtë auditim dhe të marrë kohën e nevojshme që e vërteta të dalë në pah. E gjitha, ajo e partive, por edhe e kandidatëve, së bashku.

Sepse, si do të ripërtrihet skena politike? Si do të mund të garojë nesër një parti e gjelbër, ose një parti e re e qendrës, ose cilado tjetër? Në këto kushte, gjasat janë shumë të vogla. Mbishpenzimi i disave ngulfat hapësirën mediale, në rrjet apo në televizion. Ngulfat hapësirën vizuale nga billboardet gjithandej. Ngulfat, pra, në djep secilën iniciativë të re.

Paraja e kthen ujin përpjetë. Por tani se kthen.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: