E diel, 20 Prill, 2025

Poshtërimi publik i Baton Haxhiut për zbavitje personale

KulturëPoshtërimi publik i Baton Haxhiut për zbavitje personale

Qysh u poshtërua publikisht Baton Haxhiu për zbavitjen personale të dy njerëzve?! 

Tash e një kohë të gjatë, shumë të gjatë, televizionet e Kosovës po iu përngjajnë katastrofave natyrore. Ndodhin. E ti s’ke fuqi as t’i ndalësh, as t’i kuptimësosh, as t’i pranosh, as t’i mohosh. Të kaplon absurdi dhe të hidhet të protestosh. Por, ndaj kujt? Ka veç një adresë proteste për katastrofa natyrore. E allahu s’ka email.

S’po moralizojmë. Absurdja e pamundëson moralizimin. Është përtej saj.

Një skenë e tillë absurde që na ligështoi u shfaq në emisionin Pressing në T7 të martën më 1 prill. Zgjati saktë një minutë e tre sekonda.

Dukagjin Gorani e Ilir Mirena ishin ulur në një anë. Leonard Kërçuki në mes. Baton Haxhiu në tjetrën anë. Secili kundërshtar më i madh i kryeministrit Albin Kurti se tjetri. Paragjykueshëm, këta janë  edhe shokë të njëri-tjetrit. Prandaj, s’pritej të kishte ndonjë fërkim. Por, ja që natyra njerëzore është ajo që është.

Gjithçka nisi në minutën 42:36.

E gjithë atmosfera ishte e relaksuar. Së tepërmi e rekalsuar. Skenari s’kishte pikë pushteti. As moderatori Kërçuki. As kamerat. Nëpërdukej ajo që është sepse ekziston, dhe ajo që s’është sepse s’ekziston.

Sus.

“Nuk na ndihmon nëse i qujmë imbecila,” –  tha Baton Haxhiu pa të keq, duke iu referuar një fjalie të mëparshme të thënë nga Ilir Mirena ndaj opozitës.

“E çkafi na ndihmon, Baton?” – e pyeti me tallje Dukagjin Gorani. Toni i tij ishte aq cinik sa e nxiti menjëhershëm një qeshje poshtëruese si nga Ilir Mirena, si nga moderatori Leonard Kërçuki. Shihni fytyrën e tij:

“Na dut mu ballafaqu me qit realitet,”  – argumentonte Batoni. “Dut mu ballafaqu me qit realitet.”

“Na mu ballafaqu hiç, po ata.” – ia ktheu mendjemadhësisht Gorani i përcjellur nga Mirena haptazi tallës “Ata more, se na s’kem edhe përgjegjësi Baton,”

Batoni provoi të dilte nga situata, duke thënë:

“…koha jonë shkon, gjithashtu…”

“Shkon edhe e tyne,” – i ndërhyu sërish Gorani, me tonin ngadhënjimtar të dikujt që e kishte nën kontroll të plotë kundërshtarin.

Çka po ndodhte? Pse po poshtërohej kështu Baton Haxhiu nga Dukagjin Gorani e Ilir Mirena? Me shumë gjasë këtë pyetje e kishte edhe vetë Batoni. Dukej i dërrmuar, i humbur, i pezmatuar.

E vuajtja e tij po rritej e po rritej, me përpjekjen për të dalë nga situata që e bënte të dukej gjithnjë e më idiot. Batoni s’tha asgjë idiote, por u trajtua për hesap të zbavitjes personale sikur kishte thënë diçka ekstremisht idiote nga Gorani e Mirena. Dhe, nisi të rrëshqiste më poshtë e më poshtë. Prisni.

43:12

“E para. Ata s’e kanë informatën për veten.” – tha Baton Haxhiu më pas.  

“Paramendo qët fjali: s’e kanë informatën për veten.”  – tha Dukagjin Gorani, me Ilir Mirenën që u shfrenua duke qeshë.

Pauzë. Pauzë. Duhet me pranu që ajo çka tha Baton Haxhiu s’ishte fjalia më e mençur në botë. Por, s’ishte as kushedi çfarë budallallëku që meritonte të poshtërohej kështu.

43:21

“Cilën informatë s’e kanë për veten?” – vazhdoi poshtërimin Gorani.

“Se çfarë bojnë me partinë… ose çfarë… po flas për partinë… s’e kanë inf… partia nuk e ka informatën çka ka me bo me veten…”  – u mundua të shpjegohej Baton Haxhiu.

“Po mendon nuk ka informacione? – i tha Dukagjin Gorani.

“Jo jo,” – Batoni.

“Po mendon nuk e dinë…”  – e korrigjoi Iliri.

“Nuk e dinë,”  – u dorëzua Batoni.

Baton Haxhiu nuk është folësi më i shkathtë publik. Por, siç mund ta shihni nga pjesa e mësipërme, ai s’tha kushedi çfarë budallallëku që ta meritonte gjithë atë bullizim nga Dukagjin Gorani e Ilir Mirena. Folës aq të shkathtë s’janë as dyshja Gorani e Mirena. E s’është as moderatori Kërçuki.

Pse ndodhi kjo? Pse ndodhin cunamit, tërmetet?

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: