Shkruan: Gazmend Demolli
Në një qytet si Prishtina, kur flasim për ndotjen, nuk flasim thjesht për tym që ngrihet lart. Flasim për një fenomen gjeografik dhe fizik që e shndërron kryeqytetin tonë në një lugine të mbyllur ose, siç thuhet shpesh, një gropë ajrore. Kazan. Në këtë kontekst, ideja e ndërtimit të një inceneratori të ri, sado modern që të duket, nuk është progres, por një injorim i rrezikshëm i ligjeve themelore të natyrës.
Anatomia e një qyteti kazan: kurthi i inversionit termik
Për të kuptuar pse ndotja nuk largohet nga Prishtina, duhet të kuptojmë gjeografinë dhe meteorologjinë e saj. Prishtina është vendosur në një luginë pa hyrje-dalje—një zonë e rrethuar nga kodra dhe male. Kjo është thelbi i problemit.
Në një qytet normal, kur ajri ngrohet, ai bëhet më i lehtë, ngrihet lart, dhe merr me vete ndotjen duke e shpërndarë në atmosferë. Por në Prishtinë, veçanërisht gjatë dimrit, ndodh e kundërta, një fenomen që quhet inversion termik:
- Ajri i rëndë dhe i ftohtë: Gjatë natës, ajri në fund të luginës ftohet shumë shpejt. Ky ajër i ftohtë është më i dendur dhe më i rëndë, ndaj zë vend në pjesën më të ulët të qytetit, duke qëndruar aty si një shtresë e rëndë.
- Saçi i padukshëm: Lart, mbi këtë shtresë ajri të ftohtë, qëndron një shtresë ajri më e ngrohtë. Kjo shtresë e ngrohtë vepron si një saç i padukshëm.
- Bllokimi i ndotjes: Për shkak të këtij saçi termik, tymi dhe ndotja (nga makinat, termocentralet, dhe stufat me thëngjill) nuk mund të ngrihen lart për t’u shpërndarë. Ndotja bllokohet poshtë, në lartësinë ku jetojmë dhe marrim frymë, duke krijuar një atmosferë toksike.
Ky inversion e shndërron Prishtinën në një kazan helmues – një kazan natyror ku ndotja riciklohet vazhdimisht dhe nuk zhduket.
Inceneratori i Uranit: shton tymin në kazanin e helmuar ekzistues
Në këtë sfond gjeografik, propozimi i Uran Ismailit për një incenerator (si ai i përmendur, Copenhill, që mund edhe të përshtatet një qyteti bregdetar si Kopenhaga) është thellësisht i gabuar.
Një incenerator, pavarësisht teknologjisë, është në thelb një furrë masive që djeg mbeturina. Ai lëshon në ajër grimca (oksidet e azotit, grimca ultrafine, dioksinat) që janë shumë më të rrezikshme sesa tymi i stufave shtëpiake. Në një qytet të hapur, këto ndotje mund të shpërndahen. Por në Prishtinë, ato do të jenë një burim shtesë tymi e helmi që do të bllokohet nga inversioni termik.
Kjo është si të ndezësh një mangall në mes të një dhome pa dritare. Ndoshta nxehesh, por shpejt tymi të ngulfatë. Tek Prishtina, ndërtimi i një inceneratori rregullon një problem duke krijuar një tjetër, më të rrezikshëm dhe më të madh, që përkeqëson kushtet e jetesës brenda kazanit.
Fasada e modernitetit dhe kostoja e vërtetë
Propozuesit shpesh e shesin inceneratorin si zgjidhjen magjike që pastron qytetin dhe prodhon energji. Por ky është një iluzion i rrezikshëm:
- Ekonomik dhe struktural: Inceneratori kërkon investime masive >500 milion euro (më të larta se premtimet) me para që nuk i kemi dhe, më e keqja, e detyron qytetin të prodhojë më shumë mbeturina për 40-50 vjet për të mbushur furrën. Kjo bllokon çdo përpjekje për të krijuar një ekonomi të riciklimit dhe reduktimit të mbeturinave.
- Mbetja e mbetjeve: Djegia nuk zhduk gjithçka. Ajo prodhon hi dhe skorje, shpesh shumë toksike. Kosova nuk ka sistem të sigurt për depozitimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, duke krijuar rrezik të ri për ndotjen e ujërave nëntokësore.
Në thelb, inceneratori nuk është një hap drejt progresit, por një përpjekje për të fshehur dështimet e kaluara në menaxhimin e mbeturinave nën një fasadë të shtrenjtë dhe teknologjike. Është një shmangie e përgjegjësisë.
Ku mund të ketë kuptim një incenerator rajonal?
Ndërsa ndërtimi i një inceneratori brenda qytetit të Prishtinës është katastrofik për shkak të gjeografisë dhe inversionit termik, kjo nuk do të thotë se teknologjia duhet përjashtuar plotësisht nga tryeza e diskutimit. Një incenerator modern do të kishte kuptim vetëm si projekt rajonal i përbashkët për disa komuna, dhe i ndërtuar në zonën e deponisë ekzistuese. Kjo do të mundësonte trajtimin efikas të sasisë së madhe të mbetjeve të grumbulluara tashmë aty, duke shërbyer njëkohësisht si një zgjidhje për mbetjet e ardhshme të atyre komunave, por vetëm pasi të jetë vendosur me sukses një sistem funksional i ndarjes dhe riciklimit. Kjo e bën projektin një mjet për mbetjet e fundit (ato që nuk riciklohen), jo një zëvendësues për riciklimin.
Vizioni i vërtetë: riciklimi dhe reduktimi
Përballë rrezikut të inceneratorit, zgjidhjet e vërteta janë ato që respektojnë gjeografinë tonë të mbyllur dhe shëndetin e qytetarëve:
- Riciklimi dhe kompostimi: Kjo është zgjidhja më e mirë. Shumica e mbeturinave mund të riciklohen (letër, plastikë, metal) ose të kompostohen (mbetje organike), duke ulur masivisht sasinë e asaj që duhet menaxhuar.
- Investimi në kulturën qytetare: Krijimi i një kulture të ndarjes së mbeturinave në burim dhe zvogëlimi i konsumit.
Këto zgjidhje nuk janë spektakolare, por janë të vetmet që e çlirojnë Prishtinën nga nevoja për të ndezur zjarre të reja brenda kazanit të saj. Kërkohet guxim për të zgjedhur të dobishmen mbi të bukurën, për të thënë jo iluzioneve të shtrenjta, dhe për të ndërtuar një qytet ku ajri që thithim nuk është një dënim.
Këtu del pyetja më e madhe: pse me hy në këtë kurth, kur ka alternativa shumë më të mençura? Krejt bota moderne po ecën drejt riciklimit, kompostimit, bioenergjisë nga mbeturinat organike. Ljubljana, një qytet jo shumë më i madh se Prishtina, arrin mbi 60% riciklim. E ka bërë pa incenerator. Ka bërë me edukim qytetar, me infrastrukturë, me transparencë. E ne pse duhet me zgjedh rrugën ma të shtrenjtë e ma të dëmshme?