Vrasja e Charlie Kirkut, komentatorit dhe mikut të presidentit famëkeq amerikan Donald Trump, ka arritur që t’i prekë zemrat edhe të disa shqiptarëve. Natyrisht, dhuna politike duhet dënuar në çdo rast. Por, një promovues i flaktë i saj ishte vet i ndjeri Kirk që për vite me radhë terrorizonte profesorët amerikanë që i shihte si kundërshtarë politikë. Më poshtë e keni letrën virale të një prej viktimave të tij.
Në lëvizjen e themeluar prej Charlie Kirkut dhe ekstremistëve tjerë të djathtë të quajtur “Turning Point USA” ishte një listë. Ajo i tubonte profesorët amerikanë që sipas tyre po indoktrinonin studentët amerikanë.
Është një listë e njerëzve që duhet të urrehen. Aty ka edhe profesorë mjaft të njohur si Noam Chomsky, James Comey, Cornel West e Peter Singer. Por, edhe profesorë jo fort të njohur jeta e të cilëve vihej në rrezik. E tillë ishte Stacey Patton, që së fundi e bëri një postim që shkoi viral.
Ky postim titullohej “Unë jam në listën e atyre që Charlie Kirk donte të goditeshin”.
Lexojeni të shqipëruar e me shkurtime:
E ashtuquajtura “Professor Watchlist” (shq. Lista e Profesorëve që duhet të Mbikëqyren) s’ishte asgjë më shumë se sa një listë digjitale e akademikëve që duhej të goditeshin, të cilët guxonin ta thoshin të vërtetën. Unë u futa aty në vitin 2024 pasi kisha bërë një koment që kishte zemëruar besnikët e Trumpit. Dhe sapo emri im u fut aty, makina e ngacmimit nisi të gjëmonte fort.
Për javë të tëra, inboksi im mu përmbyt. Burra të bardhë pështynin helm përmes telefonëve të tyre: “kurvë,” “prostitutë”, “n****r.” Më kërcënuan në të gjitha format që mund të mendoheshin.
Ata i dërmuan linjat telefonike të universitetit dhe presidentit me kërkesat që të më pushonin prej pune. U bë puna aq e madhe sa shefi i sigurisë ma ofroi një eskortë sepse frikësoheshin që ndonjëri prej këtyre ushtarëve me tastierë do të dilte prej bodrumit të tij për të më lënduar.
Dhe unë s’jam e vetmja.
Lista e Kirkut ka terrorizuar shumë e shumë profesorë në mbarë vendin. Gra, akademikë zezakë, studiuese queer, dhe çdokë që ka guxuar të sfidojë supremacistët e bardhë, kulturën e armëve apo nacionalizmin e krishterë.
Disa merrnin kërcënime me vdekje. Disa tjerë e kishin punën në rrezik. Disa e lanë krejtësisht akademinë. Kirku na e dërgoi një mesazh të fortë të gjithëve: nëse e thoni të vërtetën, do ta pësoni prej bandës time!
Kjo është kultura e dhunës që e ndërtoi Charlie Kirku. Ai e normalizoi dhunën. E kuroi, e monetizoi dhe e lëshoi ndaj çdokujt që guxonte të fliste për gënjeshtrat e lëvizjes së tij.
Dhe tash, kur ai u vra, ka një vajtim masiv, minuta të heshtjes, dhe homazhe që e cilësojnë si një debatues civil. Por e vërteta ishte që Kirku me ushtarët e tij për vite me radhë terrorizuan mësues, duke provuar të na heshtnin përmes ngacmimit dhe frikës.
Dhe tash e njëjta dhunë që e predikonte ndaj të tjerëve, ra mbi të.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).