E hënë, 21 Prill, 2025

Çka ndodh me një vend ku fushata zgjedhore s’përfundon kurrë?

PolitikëÇka ndodh me një vend ku fushata zgjedhore s'përfundon kurrë?

 

Lajmërimi që i ishte bërë 9 shkurtit, ditës së zgjedhjeve, kishte qenë aq pompoz sa ta merrte mendja kushedi çka ndodhi. Ishte ende verë, gushti i vitit 2024. Pra, shtatë muaj përpara. Lajmërimi – ose shpallja nëse doni – kishte ceremonialitetin që i takonte. “Urime!” – na tha presidentja. 9 shkurti ishte shumë larg – pra, shtatë muaj larg – por u dha një farë legjitimimi që politikanët ta ndalnin punën që po e bënin e ta nisnin parafushatën. Por, prit pak. Këta politikanë veçse ishin në parafushatë?!

P a r a f u sh a t a

A e mbani mend se çka po ndodhte në ata muaj të verës? Zhvillimi kryesor ishte hapja e mundshme e Urës së Ibrit. Pushteti jepte shenja se do ta hapte. Opozita i dilte kundër në disa drejtime. Ndërkombëtarët qortonin. Por, krejt çka po dëgjonim ishte ajo çka e kishim dëgjuar tashmë për çdo temë tjetër të veriut (targa, çtarga, dialog, dinarë, etj. etj.) Na ishin përsëritë mijëra herë qëndrimet. Dhe meqë na ishin përsëritë mijëra herë, ishin bërë automatike. I dinin ata, e i dinim edhe ne. I dinim në gjumë. Ishte një farë bajatësie që s’durohej e që prishej veç prej Lëvizjes së Deçanit.

Pas atij gushti na erdhi shtatori, e tetori, e nëntori, e dhjetori, e janari, e tash edhe shkurti por asgjë e re nuk ndodhi! Ceremonialiteti u çkuptimësua menjëherë kur na u dha e njëjta shfaqje si më parë. Oh prit, ne pra paskemi qenë në parafushatë?! Po, ishim në fushatë sepse dallimi fushatë-jofushatë në politikën tonë s’ekziston.

E pse u bë atëherë ai lajmërim e urim shtatë muaj më herët? A s’mund të bëhej në nëntor a dhjetor, të paktën?

Arsyeja besoj se qëndron te qëllimi i politikës tonë që në gjendje të plotë bajatësie provoi t’ia thithte dëshpërimisht ceremonialitetin zgjedhjeve. Hej, po ndodhë diçka e re! Ndoshta ne do të themi diçka të re?! Hej? Ndërkohë, Lëvizja e Deçanit ashtu qesharakisht na futej në ‘mainstream’-in e lajmeve tona.

Ajo çka e shquan fushatën nga periudha e jofushatës është paralizimi gati i plotë i politikës. S’ka zhvillime, ngjarje, mendime e ide politike. Ka billborda, spote, broshura e militantizëm. Ka një kalim të legjitimuar prej politikës drejt reklamës mbi politikën. Ka një shndërrim të legjitimuar të politikanëve në agjentë marketingu.

Por, çka ndodhë atëherë kur fushata s’kufizohet veç në muajin e fushatës? Çka ndodhë nëse ajo s’ndalet kurrë? Atëherë, na ndodhë kjo që na ndodhi këto katër vjet: si me makinë kohe (time-machine) u teleportuam nga shkurti 2021 për në shkurtin 2025 (përveç atyre që i konvertoi Lëvizja e Deçanit).

Kur presidentja na tha “Urime” kur i shpalli zgjedhjet në gusht duke i dhënë leje nisjes së një parafushate të gjaaaaatë, isha kaplu prej gërdisë. Ishte sikur dikush t’i qiste magdanoz të freskët një sallate të prishtë.

I vetmi njeri që e kuptonte se sa bajate tingëllonte gjithçka ishte Albin Kurti. Në fakt, kryeministri e kishte kuptu këtë gjë qysh në vitin e dytë të Qeverisë kur ia nisi të shmangte paraqitjet televizive e ta burokratizonte fjalorin.

F u s h a t a

Nejse, erdhi viti 2025 e më pas ia nisi edhe fushata zyrtarisht. Çka ndodhi gjatë kësaj kohe?

U ricikluan pallavrat e vjetra. S’na u shfaq asnjë ide e re se lëre më ndonjë figurë e re.

Opozita rirenditi pak-a-shumë ata kandidatë që i kishte pasë në zgjedhjet kur pësoi debakël.

Kurti në anën tjetër duket që as ndërmend s’e ka me fresku kabinetin e tij. Ai bile edhe u mburr që opozita s’ia kishte rrëzu asnjë ministër e as zëvendësministër në tubimin e 7 shkurtit, merreni me mend. Pra, kryeministri as që do të provojë me rekrutu ndonjë ekspert të ndonjë fushe – qoftë edhe jashtë vendit – për t’i ndihmu në zgjidhjen e ndonjë problemi. Kjo na e kuptimëson edhe pritjen e tij 80-ditëshe për Arben Vitinë që me ricaktu si ministër të Shëndetësisë derisa i ngrati punonte në një spital privat dhe donte me punu në spital privat. Për dallim prej Kurtit, Lëvizja e Deçanit vazhdon me qenë në kërkim të njerëzve të rinj për konvertim.

T u b a t

Një element i kësaj fushate më nxiti që ta përgatisja këtë shkrim: tubimet!

I kam përcjellë disa herë me vëmendje tubimet e VV-së, PDK-së dhe LDK-së. Ajo çka më ka tronditë vazhdimisht tash e një muaj është varfëria e pabesueshme ligjërimore e secilit prej folësve në ato tubime. Lëre që s’thuhej diçka e mençur, por s’thuhej as diçka argëtuese. Ajo që transmetohej prej platformave të tubimeve ishte e sikletshme e e mërzitshme.

Përveç kësaj, të gjitha këto tubime ishin tepër të përsëritshme. Partitë i bartnin fizikisht tubimet e njëjta, fjalimet e njëjta, prej një qyteti në tjetrin thua se Gjilani s’komunikonte me Gjakovë apo thua se simpatizantët e tyre s’kishin televizorë apo rrjete sociale për t’i parë.

E megjithatë, tubat e njerëzve ishin aty. Dhe simpatizantët e njërës apo tjetrës palë fryheshin me ato tuba për ta bërë fokus të debatit madhësinë e tyre. Pak-a-shumë si Lëvizja e Deçanit me fotografitë e tyre nëpër kisha.

Ajo çka ka rëndësi me kuptu këtu është se çka i ngazëllente njerëzit e tubës? Përgjigja është e thjeshtë: propaganda.

Duke qenë pandërprershëm në fushatë, partitë tona politike e kapërcyen shterpësinë e bajatësinë e tyre. Na u paraqitën si të domosdoshme. Dhe këtë gjë po e mundëson ndërrimi i karakterit të shoqërisë tonë. Nga një shoqëri ku grupet e vogla lokale ishin thelbi, ajo u bë shoqëri individualiste dhe shoqëri e masës njëkohshëm. Qytetari i vendit u çlidh prej familjes, fshatit, mëhallës, xhamisë, e çfarëdo grupi tjetër të vogël që i përkiste dikur për t’u bërë anonimi i barabartë e i izoluar që penetrohet kollaj prej propagandës, bile edhe asaj më të lodhtës të mundshme (kujto Lëvizjen e Deçanit).

Sociologu francez Jacques Ellul na e shpjegon këtë kusht propagande:

“Individi mund të ndikohet nga forca si propaganda veç kur i shkëputen lidhjet me grupet lokale. Shkaku se këto grupe janë organike dhe kanë material të mirëstrukturuar, jetë shpirtërore e emocionale, nuk mund të penetrohen kollaj prej propagandës… sapo këto grupe e humbën rëndësinë e tyre, individi u la në në izolim… Ai rraset në një mjedis të ri, përgjithësisht urban, dhe kësisoji të parrënjë”. Ai më s’e ka një vend tradicional ku të jetojë; s’është i lidhur gjeografikisht me një vend të caktuar, apo historikisht me të parët e tij. Një individ i parrënjë mund të jetë veç pjesë e masës.”* 91-92

Natyrisht, kjo s’e shpjegon krejt bajatësinë që na e shërben politika jonë. Ajo është bajatësi përtej shpjegimit, meqë rrënjët i ka në banalitet. Por, besoj se kjo na e qartëson deridiku pse qytetarët po e pranuan atë farë bajatësie.

Qytetari i sotëm i Kosovës është i aftë me rezonu goxha mirë në lidhje me probleme gjeopolitike. Ta zëmë, për pretendimet e Amerikës në Grenlandë. Apo problemin e migracionit në Evropë. Por, s’arrin me rezonu për punën e vet, bërllokun, qentë endacakë, hapësirat rekreative, parkingjet, trotuaret etj.

Ajo çka ka ndodhë tash e pesëmbëdhjetë vjet në Kosovë është depolitizim masiv i shoqërisë. Një shtypje e të drejtave dhe lirive politike të qytetarëve përmes stërangazhimit të tyre në metarrëfime ku shpjegimi është totalizues edhe për ngjarjet më të vogla e më jodomethënëse.

Prit. E Lëvizja e Deçanit? Edhe kjo i jepte zor më së shumti jo me argumente religjioze por me argumente gjeopolitike që thoshin se në kuadër të dinamikave gjeopolitike ishte më mirë që Perëndimi – ku e djathta ekstreme me kulturën e krishtere në mes po forcohej – të na shihte si të krishterë e jo si myslimanë.

Kaq kësaj here!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: