Kriza e banimit në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndë, me çmimet e qirave dhe banesave që s’duken të përputhshme me mundësitë financiare të qytetarëve. Spekulimi financiar duket të jetë i madh. Për atë arsye po e përkthejmë këtë artikull nga The Guardian për protestat masive që po ndodhin në Spanjë.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Spanjës për me protestu kundër krizës së banimit.
Organizatorët e protestës thonë se deri në 150 mijë njerëz u bashkuan në protestën e Madridit derisa edhe shumë të tjerë protestuan në 40 qytete tjera të vendit.
Valeria Racu, zëdhënëse e sindikatës së qiramarrësve në Madrid, kishte bërë thirrje për grevë.
“Ky është fillimi i fundit të biznesit të banimit,” tha ajo. “Fillimi i një shoqërie më të mirë, pa pronarë shtëpish dhe pa këtë sistem parazitësh që na i plaçkitë rrogat dhe resurset tona.”
Sindikata në fjalë thotë se 1.4 milion familje spanjolle harxhojnë më shumë se 30 përqind të të ardhurave për banim. Kjo përbën një rritje prej 200 mijë familjesh më shumë se para 10 vitesh.
Banimi është bërë çështja sociale numër një në Spanjë pasi një kombinim mes spekulimit mbi pronat e paluajtshme dhe banesave të turistëve e kanë rritur çmimin e qirave tepër shumë.
Statistikat zyrtare thonë se janë të paktën 15 mijë banesa ilegale turistësh në Madrid.
Çka ishte më përpara një problem ekskluziv për zonat me koncentrim të lartë të turistëve, tash është bërë problem i madh për mbarë Spanjën. Protesta kishte edhe në Sevilja, Valencia, Santiago de Compostela, Burgos e San Sebastian.
Në ishujt Balearik (ku është Majorka), qiraja mesatare për një banesë të vogël është rritur deri në 40 për qind në pesë vitet e fundit. Çmimi i qirasë për një muaj shkoi në 1400 euro, që përbën më shumë se pagën mesatare mujore në sektorin kryesor të vendit, që është ai i shërbimeve.
Më të goditurit janë të rinjtë. Një studim i fundit tregoi që mungesa e banimit të përballueshëm nënkuptonte se vitin ekaluar 85% e të rinjve nën moshën 30 vjeçare po jetonin ende me prindërit e tyre.
Në Barcelonë, protestuesit kërkuan ulje të qirave për 50 përqind, kontrata pa afat dhe përfundim të spekulimit mbi pronat.
Sipas agjencisë katalunase të banimit, qiratë në Barcelonë janë rritur 70% në 10 vitet e fundit. Rrogat ndërkohë janë arritur vetëm 17.5 për qind.
“Loja e banimit është e kurdistë në favor të kujtdo që ka asete pasi incentivat e taksave i inkurajojnë që të blejnë sa më shumë prona,” – tha Jaime Palomera, autor i librit “Secuestro de la Vivienda” (shq. Kidnapimi i Banimit).
“Të pasurit janë bërë edhe më të pasur prej krizës financiare të 2008-s dhe krizës së Covidit, dhe ata e kanë përdor këtë pasuri që të blejnë më shumë e më shumë prona, duke i rritur çmimet dhe duke e rritur pabarazinë.”
“Fakti është që pronësia e ofron një kthim më të madh të parave se investimet tjera. Kemi një model ekonomik që inkurajon investimet në asete që s’krijojnë ndonjë vlerë por thjesht përdorin qiradhënien si formë për të thithë para nga klasa e mesme.”
Sipas Palomeras, zgjidhja është taksimi i atyre që kanë shumë prona.