Eh, erdhi Bajrami! Pas një muaji agjërimi, vetëpërmbajtje e reflektimi, vjen shpërblimi: ushqimi i pakufishëm dhe natyrisht bakllava. Është ai momenti kur harrojmë të përmbahemi dhe i dorëzohemi pa kushte kësaj ëmbëlsire të lavdishme, sepse le ta pranojmë, nëse ka një mënyrë për të shprehur gëzimin e Bajramit, ajo është një pjatë e mbushur me bakllavë.
Ikonë e ëmbëlsirave festive, një përzierje perfekte mes traditës dhe marifetit në përgatitje, e aftë të ndezë më shumë diskutime familjare sesa tema e trashëgimisë familjare.
Sa peta i qite?
Sa gjatë e pjeke?
Shërbetin mirë ja paske maru!
Tjetër herë s’po e blejna.. po e marojmë vet se ka lezet!
Por çfarë ndodh kur dikush guxon të sjellë një ëmbëlsirë tjetër në sofër? A ka vend për revani? A mund të sfidojë trileqja pushtetin e bakllavës? Apo ndoshta një cheesecake e merr guximin të konkurrojë? Është një betejë e ashpër që ndodh çdo Bajram dhe bakllava rrallë e hiç humb fronin.
Le ta pranojmë njëherë e mirë: bakllava nuk është thjesht ëmbëlsirë, është një manifest i artit të kuzhinës. E shtresuar me petë aq të holla – sa mund të lexosh nëpërmes tyre – e mbushur me arra dhe e zhytur (po po, ZHYTUR) në sherbet. Nëse po numëroni kaloritë që i ka – NDALUNI. Është Bajram.
Por tani të flasim për dramën e vërtetë: kush e zotëron bakllavanë? Pyesni një grek – do t’ju thotë se është delikatesa e tyre antike ndër shekuj. Pyesni një turk – do t’ju tregojë me pasion se është krijuar në kuzhinat e Perandorisë Osmane. Ndërkohë, Lindja e Mesme do t’ju kujtojë se ata kanë bërë ëmbëlsira të ngjashme me mjaltë shumë kohë përpara se të ekzistonte peta. Dhe pastaj, natyrisht, kemi armenët, ballkanasit dhe çdo gjyshe në Mesdhe, secila duke u betuar se versioni i saj është ai i vërteti.
Historikisht bakllava siç e njohim sot ka shumë gjasa të jetë zhvilluar në kuzhinat e Pallatit Osman, ku kuzhinierët përpunuan artin e shtresimit të petës dhe zhytjes në mjaltë ose sherbet. Megjithatë, variacionet e ëmbëlsirave me mjaltë datojnë që nga Perandoria Bizantine dhe madje edhe Mesopotamia e lashtë, ku versionet e hershme të kësaj ëmbëlsire bëheshin me arra të grimcuara dhe ëmbëlsues të thjeshtë. Me kalimin e kohës, ajo u përhap nëpër zona tjera, me secilën kulturë që shtonte ‘prekjet’ e veta – disa me fistekë, disa me arra, disa me ujë trëndafili, e disa me një sasi të tepërt të gjalpit.
E vërteta është se ndoshta kurrë nuk do ta zbulojmë vendlindjen e saj të saktë, dhe sinqerisht nuk ka nevojë. Sepse e vetmja gjë që ka rëndësi është se dikush, diku, pati idenë brilante për të shndërruar gjalpin, brumin, arrat dhe sheqerin në këtë delikatesë të varësisë që tani e shijojmë pa turp. Dhe për këtë, njerëzimi është përjetësisht mirënjohës.
Kështu që këtë Bajram, derisa e kafshon atë copë të bakllavës të pjekur në mënyrë perfekte e plot sherbet, le t’i lëmë anash debatet mbi origjinën e të biem dakord për një gjë: bakllava është shija e vërtetë e gëzimit, dhe askush nuk mund ta sfidojë vendin e saj si mbretëresha e ëmbëlsirave festive.
Për fund, ju ftojmë ta ndiqni reprizën e faljes së Bajramit në Klan Kosova live nga xhamia e hoxhë Ibrahim Devollit.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).