E shtunë, 7 Qershor, 2025

Pse kaq shumë motele në Kosovë?!

KulturëPse kaq shumë motele në Kosovë?!

Saktësisht 100 vjet më parë u hap moteli i parë në botë. Ai ndodhej në Kalliforni të ShBA-ve. U quajt motel sepse mendohej të ishte një farë hoteli për mjete të motorizuara. Motor + hotel = motel.

Në atë kohë po rritej numri i njerëzve që përdornin vetura dhe që merrnin udhë të gjata. Pra, kjo ishte edhe nevoja që e lindi motelin e parë në botë. Kur lodheshin njerëzit duke vozitë, mund të ndaleshin e ta kalonin natën në një dhomë më të lirë se ajo e hotelit dhe ta parkonin veturën afër.

Amerika është tepër e madhe. Të shkosh me kerr prej Los Angjelosit në Nju Jork bën tri ditë. Por, prej Prishtinës në Pejë a në Prizren a kudo tjetër në Kosovë s’e kalon as ¼ e një dite të vetme. S’lodhesh aq sa ta marrësh një dhomë për pushim. Vendi ynë është tepër i vogël.

E përkundër që e kemi vendin tepër të vogël, motelet na kanë mbirë si kërpudhat gjithandej. Sipas statistikave nga viti 2019, Kosova i ka 179 motele. 33 janë veç në Ferizaj. Prej 2019-s kanë kalu pesë vjet. Numri i moteleve me shumë gjasë është rritë edhe më shumë.

Besoj i keni parë lajmet e përmuajshme që tregojnë për vdekje të të moshuarve nëpër motele. Komentet në to janë gjithnjë tallëse sepse komentuesit dinë diçka. Ose, më e pakta që mund të thuhet është se paragjykojnë diçka.

Ky paragjykim popullor thotë se motelet në Kosovë përdoren thjesht dhe vetëm për të bërë seks. Prandaj, edhe pleqtë po na vdesin. Sepse po bëjnë seks. Marrin substanca stimuluese si viagra dhe i lëshon zemra aty. Të dhënat në lidhje me vdekjet e pleqve nëpër motele s’ekzistojnë. Por, edhe nëse do të ekzistonin do të ishin të paqëndrueshme shkaku se një pjesë e madhe vdekjesh do të mbesnin të paraportuara. Puna mund të jetë edhe më keq se që mund ta marrim me mend.

T’i kthehemi paragjykimit. Ka diçka të vërtetë brenda tij. Kosova prej vitit 1999 i është nënshtru një tranzicioni të gjatë jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. E ka përjetu heshturazi edhe një revolucion seksual. Siç mund ta shihni nëpër qytetet ku jetoni, s’ka më pleq me plisa të bardhë mes nesh. Po ashtu, edhe veshja e plakave ka ndërru. Të mos flasim pastaj për të rinjtë e të rejat.

Pra, ajo që i ka lindë motelet në Kosovë s’është nevoja për pushim pas një udhëtimi të gjatë por nevoja për seks. Është ende vetëm një paragjykim – në mungesë të të dhënave – por një paragjykim që kuptimëson praninë e aq shumë moteleve mes nesh. E megjithatë, s’është paragjykimi i vetëm kuptimësues.

Një tjetër paragjykim që mund ta zgjerojë dhe ndoshta detabuizojë paksa imagjinatën tonë kolektive na thotë se prania e aq shumë moteleve është rrjedhojë e krizës së banimit. Kosova është një vend ende tepër i ri. Sipas censusit të fundit të popullësisë, mosha mesatare e kosovarëve është 34 vjet. Kjo nënkupton që një pjesë e madhe e çifteve të reja mund të mos kenë një hapësirë të tyren private. Disa mund të jenë duke jetuar në një hapësirë të përbashkët me prindër me një dhomë që ndodhet pranë dhomave tjera. Disa tjerë mund të mos kenë fare hapësirë. Dhe kësisoji, moteli është zgjidhja e vetme e lirë. E di që edhe kjo evokon paragjykimin se këto çifte bëjnë seks. Por, intimiteti është më i gjerë sesa thjesht dhe vetëm seksi.

Ta zëmë, në motel mund të shkojë një çift i ri për t’u grindur mes vete pa u penguar nga shikimi i tjetrit. Ose, një tjetër çift në moshë të mesme mund të shkojë për ta ndërruar ambientin ku rri. Ose, një çift i vjetër që të ikë nga zallamahia e shtëpisë së tyre dhe ndoshta edhe turpi. Jo domosdo në motel shkon thjesht një plak me një të dashur të re.

Ajo çka shqetëson s’është se pleqtë bëjnë seks nëpër motele. Është mungesa e diskutimit publik në lidhje me motelet. Mungesa e diskutimit mbi numrin e inspektimeve në to. Pastërtia mund të jetë e diskutueshme. Sidomos, kur merret parasysh aktiviteti që kryhet në ato dhoma.

Numri i rasteve të infeksioneve seksualisht të transmetueshme ishte rritur në mënyrë të habitshme në vitin 2023. Në vitin 2022 ishin 178 raste të raportuara. Ndërkohë, në vitin 2023 ishin bërë 480 sosh. Pra, më shumë se dyfishim.

Dhe siç e dini, s’ishte bërë aspak e madhe kjo punë. I dërguam pyetje Zyres së Inspektorit të Përgjithshëm në lidhje me inspektimet që janë bërë nëpër motele por s’na kthyen përgjigje deri tash.

Nejse.

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: