E shtunë, 19 Korrik, 2025

Pse me dalë në kafe kur mundesh me dalë mendsh?

MendjePse me dalë në kafe kur mundesh me dalë mendsh?

Edhe, a ka najkush që u knaq ndonjëherë me njerëz?

Po e mendoj qysh përfundova këtu tu folë, kur më kish ecë shumë ma mirë me qenë te shpija. Edhe s’po e kuptoj pse jeni ju këtu, ulë përballë, kur jam i sigurt që shumica kishit qenë ma rahat në shpi.

Në shpi je me pizhamë, askush s’të sheh shtrembër, s’të zhgënjen. Kafeja s’kushton pesë euro. Në shtëpi i ki mendimet e djeshme, jo muhabetet e njëjta të javës që shkoi. Shumica s’kena me e kap naj gjë sonte. E prapë, kemi dalë.

Babës tem s’i shkon mendja me dalë. Njeri i qetë, racional. E sheh jetën pa dramë. Thotë: çka keni ju njerëzit me këto dalje?

Prej vitesh e kam pyet veten: “Pse po rrin me njerëz?” Po kurrë s’e kam marrë seriozisht këtë pyetje. Deri vonë. E tash po m’doket që, nëse e kam pyet veten mijë herë, veç një herë duhet me u përgjigj.

E nëse e di pse dal, ndoshta s’e gjykoj veten çdo herë që jam nëpër naj ndejë, duke u përpjekë me gjet arsyen pse s’jam te shpija. Ndoshta s’kam me e shiku veten aq shumë si idiot

Kur e kam nis me e mendu seriozisht…

E para që e bona, e nxorra një letër e i shkrova krejt arsyet pse dal: ishin nja dymbëdhjetë. Masi i shikova pak, i ndava në katër kategori:

  1. Dëshira – për seks, dashni, shoqni, çkado.
  2. Kurioziteti – me pa njerëz, me pa qysh janë tjerët.
  3. Me testu veten – a din, me pa a po përballojmë.
  4. Se dikush tjetër po don me dalë.

E, po e pranoj, pak u nisa me e krahasu daljen me varësinë prej duhanit. Sepse kur e lashë duhanin para disa vjetësh, pata ndjenjë shumë të ngjashme me ndarjen prej dikujt. Ai zbrazëtimi i trupit, që s’është dhembje fizike e madhe, po është sikur një thirrje – një boshllëk që po do me u mbushë. E mënyra e vetme për me ndalë, është me u kthy – me shku prapë te ai personi, ose me kap dikë tjetër. Krejt sikur me ndezë një cigare.

Kur nuk je më me ata që i don, e sheh që realisht ke qenë i varur prej njerëzve. Njësoj si me qenë i varur prej nikotinës. E kjo të frikëson pak.

Unë s’jam ndonjë stoik. Nuk u mbylla, s’isha as trim. Në vend që me përballu zbrazëtinë, u hodha në lidhje të reja. Po kur e mendoj, ato periudhat kur kam qenë vetëm, kanë qenë ndër më të qetat. Ma shumë guxim, ma shumë vetëbesim, ma shumë qetësi. Kur s’kam pasë nevojë për njeri.

A ka mundësi që jeta pa njerëz është më e shëndetshme?

A na knaqin njerëzit?

E para pyetje që ia bëj vetes: Çka po më japin njerëzit që s’po mundem me e gjetë vetë?

A më qetësojnë? A më bojnë me u ndi i/e vlefshëm/me? Apo veç më japin ndjenjën e përkohshme që s’jam vetëm, që më kalon pas pesë minutash?

E kush, në të vërtetë, u kënaq ndonjëherë me njerëz?

Tash vonë, p.sh., e takova dikë që e kisha simpatizu shumë online, e kur u takuam live, më shikoi prej lart poshtë, m’pyeti nëse jam vërtet ajo që e them që jam. Krejt e bëri me një shprehje që më dha me kuptu: “Ti?! Çka po don ti me mu?”

U ktheva te shpija, u shtri në shtrat, një javë i nervozuar, i fyer, tue rishkru artikuj në kokë për me e gjuajtë atë tipin me fjalë të koduara në publikime, me javë të tëra jam marrë me atë moment.

Edhe? Për çka? Për një njeri që nuk më dha asgjë, veç një pickim në vetëbesim.

Kështu që: a vlen? A ka vlerë me dal për me u përballë me këso gjanash?

A po e shijojmë vërtet?

A kena vërtet qef ma shumë se një ndejë në gjashtë?
A kena qejf seksin – apo jemi thjesht të varur prej tij?
A kena nevojë për muhabet – apo veç nuk dimë me qenë të qetë me veten?

Nëse e largon idenë që tjerët po na mbushin, atëherë çka po mbetet?

Po mbetet liria. Liria prej pritjeve, prej zhgënjimeve, prej vetëvlerësimeve që varen nga sytë e tjerëve. E bashkë me të vjen vetëbesimi, guximi, qetësia.

Tortura e qefit

E kam një shok që e ka zakon me organizu ndeja të tipit “të ndryshme”. Si me thonë: netë me lojëra, me improvizime, me skrabëll, me Pictionary, krejt. Edhe e quan “Room 101” – si dhoma ku të torturojnë.

Çdo herë që dikush po kënaqet shumë, ai e ndal lojën edhe ua thotë: “Ndërroni grupet!” Po shihet që kjo nuk është për qef. Kjo është për diçka tjetër. Si me të testu: a din me qenë i/e mirë si person?

Sepse qysh e prezanton: “Me qenë i mirë në charades, duhet me qenë i mirë në komunikim, në imagjinatë, në ndjeshmëri…” Pra, nëse je i keq në këtë lojë, s’je i keq në lojë – je i keq si person.

Kjo është torturë me qef.
Kjo është arsyeja pse dalim shpesh: jo për qef, por për me pa sa larg jemi prej asaj që duam me qenë.

Pse me dalë? A s’ishte më mirë me nejtë në shpi?

Nëse vërtet don vetëbesim, qetësi, guxim – ndoshta duhej me qëndru në shpi. Si një gjysmë-Buda, me Netflix, me masturbim, me ushqim të mirë, me bindje që je njeri i mrekullueshëm – sepse askush s’të provon që s’je.

E megjithatë… unë prapë dal. Edhe e di që çdo herë që dal, përplasem me të vërtetën se nuk jam ai njeri që e kam ndërtu në kokë. Jam ma pak i sjellshëm, ma pak i dashur, ma pak interesant se ç’kam besu.

Po ndoshta për këtë dalim. Për me e humbë pak atë vetëbesimin e rrejshëm që e kemi kur jemi vetëm. Për me mësu me qenë më mirë me tjerët. Jo domosdoshmërisht me qenë më mirë si individë, por me qenë njerëz.

Pra, a vlen me pagu, me u zhgënjy, me u lëndu – veç për me qenë mes njerëzve?

Po. Ndoshta po. Se ndoshta, thellë në vete, secili prej nesh s’po don me qenë vetëm Buda. Po don me qenë njeri.

Sheila Heti, përzgjedhur dhe përkthyer nga Gazmend Demolli

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

Si të flihet?!

Qe çka i bën trupit tënd sheqeri