Jeta universitare në Amerikë shpesh paraqitet si një përvojë e mbushur me alkool e me seks pa fund. Në serialin”Jeta seksuale të vajzave të kolegjit”, i krijuar nga komedianja Mindy Kaling, shohim se aventurat seksuale janë po aq të zakonshme sa pirja e birrës. Megjithatë, në realitet, jeta seksuale e studentëve të universiteteve amerikane është befasisht më e përmbajtur. Në gazetën studentore Crimson në vitin 2024, thuhet se çdo i pesti prej studentëve të vitit të fundit në Harvard s’kishin bërë seks kurrë.
Kjo nuk është diçka e rrallë. Aktiviteti seksual te amerikanët e moshës universitare është përgjysmuar gjatë 20 viteve të fundit, si pjesë e rënies të përgjithshme të aktivitetit seksual, që disa gazetarë po e quajnë “recesioni i seksit” (shih grafikun).

Një analizë e ‘The Economist’ tregon se ulja e aktivitetit seksual po ndikon jo vetëm studentët, por edhe të diplomuarit. Kjo po krijon një “ndarje sipas nivelit arsimor” në dhomën e gjumit.
Mes viteve 2002-2023, personat 25-35 vjeç me diplomë të baçelorit bënin 11% më pak seks sesa dikush që s’kishte diplomë; ata me diplomë të nivelit të avancuar bënin 13% më pak (shih grafikun lart).
Një analizë retrospektive e të dhënave nga Anketa Kombëtare e Rritjes së Familjes – një studim me gati 10,000 amerikanë, i kryer nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – na thotë se, edhe pasi u shqyrtuan faktorët si mosha, konsumimi i alkoolit, punësimi, shëndeti dhe statusi martesor, diploma universitare ishte ajo që lidhej me 7-8% më pak seks mesatarisht.
Ky efekt është më i madh tek çiftet e martuara. Por edhe në mesin e beqarëve, të diplomuarit kishin gjashtë përqind më pak gjasa të thonin se kishin bërë seks vitin e kaluar. Kjo prirje është gjithashtu në Britani, por jo në Irlandë, një vend me ‘aventura seksuale’ më të forta mes të arsimuarve.
Ka pak studime për t’iu përgjigjur përfundimisht pyetjes pse amerikanët e arsimuar po argëtoheshin më rrallë në dhomën e gjumit. Teoritë më të përhapura që përgjigjen pse njerëzit bëjnë më pak seks – nga shpërqendrimet teknologjike deri tek të rinjtë që vonë largohen nga shtëpia e prindërve të tyre – nuk arrijnë me shpjegu në mënyrë specifike pasivitetin e të diplomuarve. Të rinjtë po martohen më vonë e më rrallë, dhe nuk ka dyshim se kjo çon në më pak seks (çiftet e martuara bëjnë dy herë më shpesh se sa beqarët). Por ata me diploma martohen më shpesh sesa ata që nuk kanë diplomë; dhe martesat e tyre zgjasin më shumë.
Koha para ekraneve (të smartfonëve, llaptopëve etj) lidhet me shkallë më të ulët të seksit. Por të diplomuarit nuk transmetojnë ose luajnë videolojëra më shpesh se pjesa tjetër e popullsisë; në fakt e bëjnë këtë gjë më rrallë. Amerikanët mund të raportojnë nivele më të larta të depresionit dhe ankthit sesa në dekadat e mëparshme – të cilat mund të çojnë në ulje të dëshirës seksuale – por arsimi i lartë ndërlidhet me një shëndet më të mirë mendor.
Atëherë, çka po ndodhë? Ndoshta teoria më e thjeshtë thotë se njerëzit e arsimuar mirë punojnë mesatarisht më shumë dhe për këtë arsye kanë më pak kohë të lirë. “Sigurisht që një përqindje e njerëzve me diploma universiteti thjesht janë më të zënë me aktivitete profesionale,” thotë Nicholas Wolfinger, një sociolog në Universitetin e Utah. Ky grup i të diplomuarve shpenzon gjithashtu më shumë kohë duke u kujdesur për fëmijët. Shto këtu edhe platformat e transmetimit – “sa më shumë Netflix, aq më pak lezet“, siç thotë Lyman Stone, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studime Familjare – dhe profesionistët e arsimuar kanë shumë më pak kohë për romancë.
Një teori tjetër thotë se gratë me arsimim më të lartë zgjedhin shumë më shumë, që e bën të zorshme gjetjen e një partneri seksuale të pranueshëm. “Ne kemi këtë situatë ku gratë performojnë më mirë në arsim dhe në disa mjedise, ato kanë punë më të mira, më shumë para, gjë që çon në mungesën e burrave të pranueshëm, duke e bërë më të vështirë përputhjen e njerëzve,” thotë Peter Ueda nga Instituti Karolinska, një universitet mjekësor në Suedi. Magdalene Taylor, një shkrimtare për seksin dhe kulturën, argumenton se të diplomuarit që martohen më vonë, mund të jenë gjithashtu më të mirë në shtyerjen e kënaqësisë, gjë që mund të ndikojë në sjelljen e tyre seksuale.
Ndërkohë, ekspertë të tjerë parashtrojnë se disa tipare që kontribuojnë në performancën e shkëlqyer akademike në klasë mund të çojnë në performancë më të keqe në dhomën e gjumit (më falni, lexues librash). “Sigurisht nuk ka dyshim se të rinjtë që janë më të fokusuar në arsimim, karrierë dhe suksesin e tyre afatgjatë, janë më të kujdesshëm ndaj rreziqeve dhe kjo tregon pse ata bëjnë më pak seks”, thotë Brad Wilcox, një sociolog në Universitetin e Virxhinias.
*Shkrimi është botuar së pari në The Economist më 11 shkurt 2025. Përkthyer nga Tjetër*.