Gazetari me nam të madh në YouTube, Johnny Harris, e ka publikuar të enjten (27 mars) një video me titull “Mënyra e Re qysh shtetet po e luftojnë njëra-tjetrën (dhe pse kjo ka rëndësi)”.
Ashtu qysh ndodh me gati secilën video të tij, edhe kjo u bë virale. Çka thotë aty Harrisi?
Që në nisje, na i prezanton nja dy tri grafe mjaft domethënëse.
Te grafi i parë i keni luftërat mes shteteve.
Te grafi i dytë i keni luftërat mes shteteve dhe luftërat civile.
Dhe tërërëm. Ose BOOM. Te grafi i treti i keni luftërat proksi. Shiheni çfarë rritje e jashtëzakonshme e tyre prej vitit 2010 e deri tash.
Drithëruese, apo jo?!
Qysh mundeni me ditë plot prej jush, pas Luftës së Dytë Botërore superfuqitë u bënë me armë bërthamore. Dhe kjo i ndaloi ato që të luftornin direkt me njëra-tjetrën. Sepse, po të luftonin direkt atëherë do të bëhej e zezë dita. E do të bëhej vera dimër (jo si me shtëpizat palidhje në shesh por si dimri nuklear). Bukfalisht kështu. Sepse, do të shkatërrohej bota siç e njohim.
Për me evitu luftën direkte, ato e bënë fushëbetejë krejt dynjanë.
Johnny Harrisi e merr shembull historinë e Koresë. Luftën proksi mes Amerikës dhe Bashkimit Sovietik në atë gadishull, që çoi në ndarjen e dhimbshme në dy shtete. Kore të Jugut dhe të Veriut respektivisht.
“Dhe këtu shohim diçka të çmendur që do ta shohim goxha shumë në këto luftëra proksi. Edhe kur Korea e Veriut donte ta ndalte luftën, Moska s’e lejonte.” – na rikujton Harrisi.
“Le të digjet një komb i tërë, veç që ta turpërosh kundërshtarin tënd.” – është filozofi udhëheqëse.
Harrisi flet me Jeremy Shapiron, një ekspert të marrëdhënieve ndërkombëtare, për me zbërthy më mirë këtë farë teme. Më specifikisht, pse po rritet numri i luftërave proksi?!
“Çështja (pse janë rritë luftërat proksi) është se ka shumë më shumë lojtarë.” – tha Shapiro.
Ana e dhimbshme e gjithë kësaj është se lufta proksi shpesh është edhe më e dhimbshme se lufta direkte. Pse? Sepse mund të jetë më e gjatë dhe më vdekjeprurëse shkaku i armatimeve që s’ndalen prej superfuqive për grupet lokale.
Çka është puna e Ukrainës?! Pse është luftë kaq e rrezikshme. Lexojini këto fjalë.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
“Ukraina është luftë gjysëm-proksi. Prandaj, është e rrezikshme. Sepse, njëra fuqi nukleare është tepër e përfshirë, dhe beson fuqishëm se rezultati i luftës ka rëndësi ekzistenciale për ta. Por, qëndrimi i Rusisë – … – nënkupton se mundësia që të kemi eskalim përtej kontekstit të luftës proksi është tepër e madhe.” – rrëfen eksperti në fjalë.
Sipas Harrisit, e vetmja superfuqi që nuk përzihet në luftën proksi është Kina. Hmmm, e çuditshme.
Nejse, ajo çka mundet me i interesu dikujt prej Kosove në këtë pikë është: a ishte edhe lufta e Kosovës proksi?
Deri më 24 mars 1999, ndoshta po. Por, pastaj jo. Deri në ditën kur intervenoi NATO kishim luftën mes UÇK-së dhe ushtrisë së Jugosllavisë. Pra, ishte luftë civile. Në një anë ishte Amerika me shtetet tjera anëtare të NATO-s. Në tjetrën Serbia, Rusia dhe do shtete të ngjashme. Por, më pas NATO intervenoi direkt ushtarakisht për me ndërru krejtësisht natyrën e konfliktit. Dhe u bë, gjysëm-proksi siç e quan Shapiro konfliktin në Ukrainë.
Ndoshta për atë arsye Putini është i fiksuar me Kosovën?!
Video e plotë:
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).