E shtunë, 19 Korrik, 2025

Qe çka i bën trupit tënd sheqeri

MendjeQe çka i bën trupit tënd sheqeri

Gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë përfituar nga sheqernat natyrale që gjenden në fruta, perime dhe bimë të tjera – burime të vlefshme energjie për funksionet bazë të trupit. Por sot, jemi të rrethuar nga sheqerna të përpunuara dhe të shtuara në një sërë ushqimesh e pijesh: nga pijet e gazuara dhe drithërat për mëngjes te salcat, buka dhe ëmbëlsirat. Trupi ynë thjesht nuk është ndërtuar për të përballuar sasi kaq të mëdha sheqeri. Me kalimin e kohës, ky tepricë mund të ndikojë negativisht në pjesë të ndryshme të trupit. Ja si:

Goja

Problemet fillojnë që aty. Baktere të caktuara në gojë ushqehen me sheqer dhe prodhojnë acide që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve. Pështyma ndihmon për t’i neutralizuar këto acide, por nëse ke zakon të hash apo të pish gjëra me sheqer gjatë gjithë ditës, pështyma nuk ia del. Kjo shton rrezikun për prishje dhëmbësh. Madje, edhe pijet me sheqer – qofshin lëngje frutash apo pije të gazuara – mund të prishin ekuilibrin e baktereve në gojë, duke favorizuar ato që prodhojnë acid dhe duke dobësuar ato të mirat.

Zorrët

Kur konsumon ushqime të ëmbla, sheqernat shpërbëhen në zorrën e hollë, kryesisht në glukozë dhe fruktozë. Glukoza përthithet lehtë, por fruktoza jo gjithmonë. Në disa raste, sidomos te fëmijët apo te njerëzit me ndjeshmëri të lartë, fruktoza mund të qëndrojë në zorrë dhe të fermentohet nga bakteret, duke shkaktuar fryrje, gazra dhe dhimbje barku. Kjo lidhet shpesh edhe me sindromën e zorrës së irrituar.

Pankreasi

Sa herë rritet niveli i sheqerit në gjak, pankreasi prodhon insulinë për ta balancuar. Por kur ke shpesh rritje të mëdha të sheqerit – nga ëmbëlsirat, pijet, snack-et – qelizat fillojnë të reagojnë më pak ndaj insulinës. Ky proces quhet rezistencë ndaj insulinës. Pankreasi mundohet të kompensojë duke prodhuar më shumë insulinë, por me kohë lodhet. Dhe kështu nis rruga drejt diabetit të tipit 2.

Truri

Truri përdor glukozën si karburant. Por kur sheqeri në gjak rritet shpejt dhe pastaj bie po aq shpejt për shkak të insulinës, ndihesh i lodhur, i uritur dhe shpeshherë me nevojë për më shumë sheqer – një cikël që vazhdon. Ushqimet e ëmbla nxisin çlirimin e dopaminës në tru – një sinjal që të thotë “vazhdo”. Ky mekanizëm evolutiv është kthyer sot në një kurth që e bën gjithnjë e më të vështirë të ulësh konsumin.

Mëlçia

Fruktoza e tepërt shndërrohet në yndyrë nga mëlçia. Kur kjo ndodh shpesh, yndyra fillon të grumbullohet në këtë organ. Kjo gjendje, dikur e njohur si “sëmundje joalkoolike e mëlçisë yndyrore”, tani quhet sëmundje metabolike e mëlçisë yndyrore (MASLD). Shpesh kalon pa simptoma, por mund të përparojë në forma të rënda që kërkojnë transplant. Në SHBA, është një nga shkaqet kryesore për transplantet e mëlçisë.

Yndyra dhe pesha

Kur sheqeri shndërrohet në yndyrë, ai grumbullohet kryesisht rreth organeve në bark – e ashtuquajtura yndyrë viscerale. Kjo është më e rrezikshme se yndyra nën lëkurë, sepse lidhet me inflamacion, rezistencë ndaj insulinës dhe rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare. Dhe më e keqja? Kaloritë “e lëngshme” – si ato nga pijet me sheqer – nuk të ngopin si ushqimet e ngurta, ndaj është shumë e lehtë të hash më shumë seç duhet.

Zemra

Sheqeri i tepërt ndikon në rritjen e tensionit të gjakut dhe në përkeqësimin e profilit të yndyrnave në gjak – duke rritur trigliceridet dhe kolesterolin “e keq” (LDL). Të gjitha këto janë faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës. Nuk është vetëm yndyra që i dëmton enët e gjakut – është edhe sheqeri.

Nyjet

Fruktoza mund të rrisë prodhimin e acidit urik në trup, i cili kur grumbullohet, mund të shkaktojë përdhes – një formë e dhimbshme e artritit, sidomos në gishta dhe kyçe. Edhe këtu, sheqeri ka ndikimin e vet të fshehtë.

Sa është shumë?

Një ëmbëlsirë herë pas here nuk është problem. Trupi di si të përballojë raste të izoluara. Por kur sheqeri i shtuar bëhet pjesë e përditshme e dietës – sidomos në formë të përpunuar – rreziku shtohet ndjeshëm.
Rekomandimi i përgjithshëm është që jo më shumë se 10% e kalorive ditore të vijnë nga sheqerna të shtuara. Për një dietë me 2000 kalori, kjo është 50 gram në ditë. Një shishe Coca-Cola 0.5 ml ka 50 gram sheqer.

Çfarë të bësh?

Kontrollo etiketat. Kërko “sheqerna të shtuara”. Edhe aty ku nuk e pret, mund të gjenden. Vendimet e vogla – më pak lëngje frutash, më shumë ujë, më pak produkte të paketuara – bëjnë diferencën. Trupi yt nuk ka nevojë për më shumë sheqer. Ka nevojë për më shumë kujdes.

Alice Callahan për The New York Times | Përktheu për TJETËR, Gazmend Demolli  

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

Si të flihet?!