E diel, 7 Shtator, 2025

Qysh e prishi një kapadai ‘aksidentalisht’ demokracinë e Kosovës në vitin 2014

PolitikëQysh e prishi një kapadai 'aksidentalisht' demokracinë e Kosovës në vitin 2014

Ishte 8 qershori i vitit 2014. Atë ditë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme që ishin vlerësu si më të lirat dhe më demokratiket deri në atë kohë. Në mbrëmje dolën rezultatet preliminare. PDK-ja doli e para dhe e nisi festën. Mirëpo, s’do ta përfundonte. Pasnesër në mëngjes, më 10 qershor, LDK-ja që doli e dyta njoftoi se kishte bërë koalicion me AAK-në dhe Nismën. Menjëherë më pas, këtyre tri partive iu bashkua edhe Vetëvendosja. PDK-ja do të mbetej në opozitë.

Shiko si video: 

Mendojeni edhe një herë: veç dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve u krijua koalicioni qeveritar.

U integruan programet, u ndanë pozitat. Isa Mustafa pranoi të bëhej kryetar i Kuvendit (priste të bëhej president). Ramush Haradinaj do të bëhej kryeministër. Albin Kurti do të bëhej ministër i punëve të jashtme (do ta udhëhiqte edhe dialogun me Serbinë). Fatmir Limaj, ministër i infrastrukturës.

Këto parti së bashku i kishin afër 55%. Partia e vetme që do të mbeste në opozitë, PDK-ja, i kishte 30.

Gjithçka ishte në përputhje të plotë me demokracinë tonë përfaqësuese dhe frymën tonë kushtetuese. Përgjegjësia për formimin e institucioneve të reja ishte e të gjitha partive e koalicioneve në Kuvend, e jo e vetëm njërës prej tyre. Faji dhe meritat ishin të të gjithëve, dhe jo vetëm e njërës. Kishim një demokraci që synonte përfaqësimin e të gjitha shtresave shoqërore, e të cilat mund të ishin të ndryshme dhe antagoniste me njëra-tjetrën. Ky ishte modeli ynë demokratik që po jetësohej tamam qysh duhej.

Por, ja që në krye të Gjykatës Kushtetuese qëlloi një kapadai i cili prishi gjithçka.

Përmbysja e madhe

Me anë të Aktgjykimit të gushtit 2014 nga Gjykata Kushtetuese me kryetar Enver Hasanin, u vendos që partia e parë vlente më shumë se të gjitha partitë tjera parlamentare të bëra bashkë. Isa Mustafa u shpall kryekuvendar antikushtetues. Dhe VLAN-i u shpërbë.

Rrjedhojat fillestare të këtij “vendimi të mbrapshtë” – siç e quan nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese Kadri Kryeziu – ishte ofrimi i një karte tepër të madhe për PDK-në si partia e parë. Asaj i takonte gati gjithçka siç i takonte një partie që i merrte 50%. Mirëpo, rrjedhojat e mëpastajme ishin shumë më të rënda për demokracinë tonë. Bile edhe për PDK-në.

Ky aktgjykim (që duket se paragjykonte që PDK-ja do të dilte gjithmonë e para me shumicë relative) i dha partisë që dilte e para me shumicë relative një avantazh aq të madh sa e paralizoi plotësisht vullnetin e partive tjera parlamentare që të përfshiheshin në formim të institucioneve. E gjithë gara u bë garë për vendin e parë. Nëse s’del i pari, i vetmi hap serioz është me blloku gjithçka.

Shumica absolute (që ishte mbi gjysma e vendeve në Kuvend) u relativizua ndërsa shumica relative (më shumë vende se partitë/koalicionet e tjera politike) u absolutizua.

Polarizimi

Ky përçudnim logjikshëm na e solli një frymë thellësisht anti-demokratike në garat e mëpastajme zgjedhore. Meqë shumica relative u bë praktikisht absolute atëherë asaj i takonte praktikisht edhe përgjegjësia absolute për me i formu institucionet.

Shkaku i kësaj përgjegjësie absolute, PDK-ja edhe pse doli e para në vitin 2014 (dhe, edhe pse garoi me kandidat për kryeministër) u detyru të hiqte dorë nga pozita më e rëndësishme në vend, ajo e kryeministrit.

Në vitin 2017 formoi koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe Nismën. Pra kryeministrin e dorëzoi qysh para zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e vitit 2019, dolën të parat dy partitë që kishin qenë në opozitë (VV dhe LDK) dhe kishin pasë bashkëpunim mjaft të shëndoshë me njëra-tjetrën. Por, pas daljes së rezultateve ku Vetëvendosje doli e para me vetëm 1.2 për qind më shumë se LDK-ja që doli e dyta, raporti mes tyre u përkeqësu. Partia që doli e para (edhe pse me vetëm 26 për qind) nisi të sillej me absolutizmin që kërkohej nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2014. Ajo e kishte fitu garën automobilistike. Asaj i takonte gjithçka qysh në nisje. Dhe prandaj, koalicioni me LDK-në – shumica absolute që krijuan në Kuvend – nuk zgjati as dy muaj.

Kësisoji, meqë shumica absolute në Kuvend ishte relativizu së tepërmi nga fuqia që kishte marrë shumica relative (partia e parë) u kriju detyrimi logjik që të mos kishim fare shumicë absolute nga bashkëpunimi mes partive. Të kishim shumicë absolute prej vetëm një partie. Dhe mundësisht, prej vetëm një individi.

Vetëvendosje e kuptoi se autoritarizmi ishte destinacioni ku çonin rregullat e reja të Kushtetueses. Dhe nisi të sillej në formë autoritare.

Por, Vetëvendosja s’ka qenë gjithmonë e këtillë. Para atij aktgjykimi famëkeq, Albin Kurti pranonte ta kishte shef në qeveri Ramush Haradinajn edhe pse i kishte marrë 4% më shumë në zgjedhje. Partia e tij e kishte në statut një pikë që thoshte se nëse kryetari i partisë bëhej kryeministër, atëherë ai duhej të jepte dorëheqje nga detyra e kryetarit në mënyrë që të kishte një mekanizëm shtesë të llogaridhënies.

Sot, ai veprim i Kurtit e ai nen i Vetëvendosjes duken të paimagjinueshme. Dhe dorën në zemër, kjo përkeqje autoritare po vërehet edhe te LDK-ja e Abdixhikut. Ai e refuzoi me përbuzje ftesën për koalicion që i bëri Kurti ndërkohë që e refuzon kategorikisht edhe PDK-në. Sillet sikur t’i kishte 50% derisa i ka marrë vetëm 18. Edhe Abdixhiku e ka kuptu se këto janë rregullat e reja të lojës. Nëse nuk sillesh në formë autoritare, e pëson.

Qartazi, ky nuk ishte qëllimi i Enver Hasanit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ata donin thjesht që t’i jepnin avantazh të madh partisë së parë kur i negocionte koalicionet qeverisëse me partitë tjera. Por, bashkë me atë avantazh ia dhanë edhe përgjegjësinë absolute për ta bërë një gjë të tillë.

Para asaj përgjegjësie absolute, partia e parë me shumicë relative s’ka zgjidhje tjetër: ose të bëhet autoritare duke i kërku 50% ose të poshtërohet nëpër negociata me parti që i kanë tre deputetë dhe e kërkojnë pozitën e kryekuvendarit. Ngërçi aktual veç sa ka nis. Pati ngërç për verifikimin e mandateve. Pati ngërç për kryetarin e kuvendit. Për mënyrën e votimit. Do të ketë ngërç pastaj për nënkryetarët e Kuvendit. E pastaj edhe për Qeverinë, përbërjen e saj, presidenten që i del mandati në prill. Ngërçe deri në pafundësi deri t’i gërditet shoqërisë demokracia.

Kjo është ajo që ndodhë kur institucionet s’janë përnjëmend të pavarura.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: