Mbrëmë na rastisi ta dëgjonim intervistën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, dhënë për Kallxo.com. Po e ndajmë me ju përshtypjen mbi segmentin më të përshtypshëm: heqja e fletarrestit të Radojiçiqit në kohën kur ai ishte i kapur nga Kosova. Është aq ABSURD sa duheta ta mbani veten goxha fort.
Dorën në zemër, Isufaj na la një përshtypje pak më të mirë se që e prisnim. Edhe pse pritjet tona mund të kenë qenë rrafsh me tokë.
Ai e përçonte një farë kthjelltësie e vendosmërie, ashtu qysh edhe i takon një personi në rolin e tij. S’ka arsyetime para politikanëve që e fyejnë. S’ka kompromise. S’ka asgjë.
Shumë bukur! Ashtu edhe duhet të jetë nëse besojmë në ndarje të pushteteve e në demokraci.
Sidoqoftë, janë nja pesë minuta kur kjo kthjelltësi e vendosmëri pauzon. Dhe në vend të saj kemi huti, pështjellime, pavendosmëri.
Në minutën 12:35, Isufaj e nis elaborimin e përgjigjes së tij. E përfundon në minutën 20 e diçka. Por, thelbi s’është më i gjatë se 20 sekonda. Pra, konciziteti që s’i mungon në të tjera raste ashiqare i mungoi këtu.
Pse u hoq fletarresti?
Në një konferencë për medie para shumë kohësh, Blerim Isufaj kishte deklaruar se kishte detaje për heqjen e fletarrestit të Radojiçiqit më 2019 që s’mund t’i ndante me publikun. Pra, i bie se ishin informacione sekrete. Të klasifikuara në një mënyrë. Informacione me shumëëëëëëë rëndësi.
Kësaj here vendosi që ato ‘sekrete’ që s’kishte mundur t’i ndante për aq shumë kohë, t’i ndante tash.
Dhe siç mund ta merrni me mend: s’ishte kushedi çfarë sekreti; s’ishin informacione për hajmedet.
Isufaj deklaroi – në pika të trasha – se prokurori Burim Qerkini kishte propozuar që t’i hiqet fletarresti Radojiçiqit. Pse?
“Në këtë rast, Prokurori i çështjes (Burim Qerkini) ka ardhë te unë dhe m’ka njoftu për një takim që e kish pasë me avokatin e Radojiçiqit. Dhe, qysh ma interpretoi prokurori mua, ishte kështu situata: avokati i Radojiçiqit kish thanë se Radojiçiqit po jep sinjale bashkëpunimi. Dhe nëse pranoni me ia hjekë urdhërarrestin ai do t’jep informacione që janë shumë kredibile, për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit,”
Kjo pra ishte arsyeja.
Isufaj pretendoi se i kishte thënë JO prokurorit Burim Qerkini për ofertën e Radojiçiqit. Por, por, por, por… prokurori prapë kishte insistuar dhe JO-ja u bë PO.
“Unë i besova sinqeritit të prokurorit,” – mbrohet Isufaj për vendimin e tij.
Natyrisht, Radojiçiqi i mashtroi Prokurorët dhe nuk erdhi hiç e nuk dha dëshmi relevante për vrasjen e Ivanoviqit (Merreni me mend: ai akuzohej vetë si bashkëkryes i atij krimi).
“Nuk e di pse s’ka ardhë. Synimi i Prokurorit ka qenë që ai me ardhë. E vërteta është që ai s’ka ardhë!” – u shpreh Isufaj.
Allahile?
S’di asgjë unë, fryhet Blerim Isufaj
Isufaj thotë se në atë kohë – viti 2019 – nuk kishte pasur s’e dinte bash mirë kush ishte Radojiçiqi. U shpreh se e dinte për akuzën që ai e kishte në rastin e Oliver Ivanoviqit, por “nuk ka ditë ma shumë”.
Pra, asgjë më shumë se për Ivanoviqin?! Një prej prokurorëve kryesorë në Kosovë s’e dinte për lidhjet e Radojiçiqit me elementet kriminale serbe e me trafikantët e drogës?!
Më vonë gjatë intervistës, Isufaj deklaron se nuk e dinte – në rastin e fletarrestit – as kush ishte avokati i Radojiçiqit. Paramendojeni, Blerim Isufaj thotë se i besoi fjalës së një njeriu të cilin as nuk e njihte.
“T’jeni të sigurt që s’e di kush ka qenë avokati që e ka negociu (heqjen e fletarrestit) me Prokurorin Burim,” – e pranon ai, sikur të ishte për t’u fryrë një gjë e tillë.
Dëgjojeni me veshtë tuaj: KËTU.