Ndoshta ju ndodh t’i kafshoni thonjtë apo t’i ndukni floktë. Apo pini më shumë se sa e keni planifiku apo nuk e lëshoni telefonin prej dore. Krejt kemi disa zakone që nganjëherë na pushtojnë jetën. Edhe pse mundohemi me i ndalë, shpesh është më e lehtë me vazhdu jetën tonë me to.
Zakonisht zakonet e këqija fillojnë si zgjidhje ndaj ndonjë shqetësimi emocional – shpesh ankthit a stresit. Pse ndodh? Sepse ato zgjidhje funksionojnë – kur e shikon telefonin apo vendos me pi një gotë, trupi e ndjen një moment qetësie. E kjo ndjesi e mirë bën që veprimi të përsëritet. Sa ma shpesh që e bën, aq ma shumë truri e automatizon. Pas një kohe e bën pa mendu fare.
Por, ka shpresë. Zakonet mundesh me i hjekë – truri mundet me u rindërtu.
Edhe pse s’mundesh me i fikë krejt “rrugët e vjetra” në tru, mundesh me kriju rrugë të reja. Ja gjashtë këshilla që munden me të ndihmu me e marrë hovin e parë në këtë drejtim:
-
Njih shkaktarët e zakonit
Ulesh me e këqyr një film dhe veç kur e vëren që po i kafshon thonjët; apo birra ta bën me sy sa e çelë derën e frigoriferit. Njësoj edhe telefonin.
Zakonet nisin nga shkaktarët – gjërat që i nxisin ato. Me i njoftë këta shkaktarë është hapi i parë me thy qarkun që truri e ka ndërtu: kështu ju keni një mundësi për të bërë diçka ndryshe. Kur e dallon çka po ta nis sjelljen, ajo nuk ka më aq shumë fuqi mbi ty. E në atë moment kur e njeh shkaktarin, ke një mundësi – me zgjedh diçka ndryshe.
-
Planifiko ma herët një sjellje zëvendësuese
Me vepru ndryshe është çelësi. Me hjek dorë prej një zakoni të keq s’do të thotë me i shtrëngu dhëmbët e me duru, por me pasë një zëvendësim të menduar paraprakisht: ulu mbi duar kur je duke e pa filmin; luaj me një top gome në vend se me i ndukë flokët; fshihe telefonin në xhep t’palltos etj.
Por mos prit me shpikë diçka në atë moment. Kur nis filmi, kur hapet dera, kur ta zë syri telefonin – puna ka mbaru, truri kalon në ‘automatik’. Duhet me ditë përpara qysh ke me këqyrë filmin. Nëse pret, shtytjet do të jenë shumë të forta për me i rezistu.
-
Mate ‘temperaturën’ emocionale
Nxitësit që vijnë prej jashtë janë veç gjysma e problemit; gjysma tjetër janë emocionet. Sepse zakonet e këqija shpesh na ndihmojnë me e zbutë ankthin. Ne priremi me u kapë pas tyre kur jemi emocionalisht të dobët – kur jemi të stresuar për provime a për vlerësime në punë, a pas ndonjë sherri me partnerin a me shefin. Zgjidhja është me i kontrollu emocionet. Çohu në mëngjes e pyete veten: Qysh jam sot? Çka po ndjej? Nëse je i stresuar për provime a diçka tjetër, është momenti me qenë i vëmendshëm për me i shmangë sjelljet që të dëmtojnë.
Kontrolloje çdo orë me një shkallë prej 1 deri në 10:
1 – je mirë, 10 – je gati me shpërthy.
Duhet me vepru sa je në 3 ose 4, përpara se emocionet me ta marrë ‘timonin’.
-
Merru me problemin që e shkakton zakonin
Zakonet e këqija zakonisht fillojnë si “zgjidhje” e shpejtë për probleme ma të thella. Ndoshta ke ankth që të bën me pasë frikë prej situatave sociale, me qenë shumë vetëkritik, ose me u kap pas alkoolit apo drogës. Ose ndoshta puna është gjithmonë stresuese, ndihesh i kritikuar, ose lidhja jote është duke u shkatërru e askush s’po flet për të. Është koha me vepru e me kërku mënyra më të mira për me i përballu. A ka me u zhdukë zakoni menjëherë? Jo, por kur zbutet burimi e nxitësit, zakoni fillon me u fashitë vetë.
-
Prit me pas ‘dështime’
Dy hapa përpara, një hap mbrapa. Kështu shkon puna. Pritni. Kur ditën e ke të keqe, frigoriferi a telefoni janë atraktivë; je emocionalisht i dobët. Kjo është normale; kthehu prapë në binarë.
-
Kërko mbështetje gjatë rrugëtimit
Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë dhe mbështetjen – me dikë që mundesh me u lidhë kur po kalon një vështirësi. Çelësi është me qenë i qartë për ndihmën që ke nevojë, që të mos ndihesh i mbikëqyrur dhe me urrejtje.
Humbja e zakoneve të këqija nuk ka të bëjë me personalitetin a fuqinë e vullnetit, por me rigjenerimin e trurit, duke i zëvendësu zakonet e këqija me mundësi më të shëndetshme.
Grahi trunit – mos e le me të grahë ai ty!
Artikull i përgatitur nga Psychology Today. Përkthyer nga Tjetër*