Një natë vonë, Dikson Çibanda, psikiatër në kryeqytetin e Zimbabvesë, Harare, u telefonua nga një mjek që ndodhej në emergjencë. Një vajzë 26-vjeçare me emrin Erika – të cilën Çibanda e kishte trajtuar muaj më parë – kishte provuar ta vriste veten. Doktori i tha se kishte nevojë për ndihmën e tij që të sigurohej se Erika s’do ta provonte vetëvrasjen përsëri.
Por, spitali ku ndodhej Erika ishte më shumë se 100km larg andaj u desh që Çibanda me nënën e saj ta bënin një plan përmes telefonit. Sapo Erika doli nga spitali, do të shkonin te Çibanda për ta rishqyrtuar një plan tjetër trajtimi.
Kaloi një javë, dhe më pas dy të tjera, e Çibanda s’dëgjoi gjë për Erikën. Më në fund, ai pranoi u telefonua nga nëna e saj. Erika, i tha ajo, kishte vrarë veten tri ditë më parë.
“Pse nuk erdhe në Harare?” – pyeti Çibanda. “Ne kishim rënë dakord që sapo ajo të lirohej, ju të vinit tek unë!”
“S’i kishim 15 dollarë për me pagu biletën e autobusit për me ardhë në Harare,” u përgjigj nëna e saj.
Kjo përgjigje e la pa fjalë. Në muajt që pasuan, Çibanda s’po lihej rehat nga ky rast. Ai e dinte se pamundësia e Erikës për të marrë kujdesin e nevojshëm shkaku i largësisë e çmimit të biletës s’ishte përjashtimi por rregulli.

Në nivel global, më shumë se 300 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Depresioni është shkaku kryesor në botë i paaftësive të njerëzve dhe kontribuon deri në 800,000 vetëvrasje në vit, shumica e të cilave ndodhin në vendet në zhvillim.
‘Askush nuk e di se sa zimbabveanë vuajnë nga kufungisisa, fjalë vendase për depresionin’
Askush nuk e di se sa njerëz në Zimbabve vuajnë nga kufungisisa, fjala lokale për depresionin (fjalëpërfjalëshëm, “me mendu tepër” në gjuhën Shona). Por Çibanda është i sigurt se numri është i lartë. “Në Zimbabve, na pëlqen të themi se kemi katër breza të traumave psikologjike,” thotë ai, duke përmendur Luftën Civile në Rodezi, masakrën e Matabeleland dhe mizoritë tjera.
E megjithatë, ata që vuajnë nga depresioni kanë pak zgjedhje, shkaku i mungesës së profesionistëve të shëndetit mendor. Çibanda, i cili është drejtor i Iniciativës Afrikane Për Kërkime të Shëndetit Mendor dhe një profesor i asociuar i psikiatrisë në Universitetin e Zimbabvesë, është një prej 12 psikiatërve që punojnë në Zimbabve – një vend me mbi 16 milionë banorë. Të tilla statistika të zymta janë tipike në Afrikën Sub-Sahariane, ku është një psikiatër a psikolog për 1.5 milion banorë. “Disa vende nuk kanë as një psikiatër hiç,” thotë Çibanda.

Duke mendu poshtë-e-përpjetë se qysh me trajtu këtë problem, ai arriti në një zgjidhje të çuditshme: gjyshet. Që nga viti 2006, Çibanda dhe ekipi i tij kanë trajnuar mbi 400 ‘gjyshe’ sipas terapisë së bisedës (talk therapy) bazuar në evidencë, të cilën ata e ofrojnë falas në më shumë se 70 komunitete në Zimbabve. Veç në vitin 2017, Stoli i Miqësisë (Friendship Bench), siç quhet programi, ka ndihmuar mbi 30,000 njerëz. Metoda është verifikuar në mënyrë empirike dhe është zgjeruar edhe në vende tjera, përfshirë ShBA-në.
Programi, beson Çibanda, mund të shërbejë si një shembull për çdo komunitet, qytet apo vend të interesuar për të sjellë shërbime të përballueshme, të qasshme dhe shumë efektive të shëndetit mendor për banorët e tij. Siç thotë Çibanda: “Imagjinoni sikur të mund të krijonim një rrjet global ‘gjyshesh’ në çdo qytet të madh në botë.”

Çibanda e dinte gjithmonë se donte të bëhej mjek, ama dermatologjia dhe pediatria ishin interesat e tij fillestare. Ajo çka e shtyu drejt psikiatrisë ishte tragjedia. Derisa ishte në shkollë të mjekësisë në Çeki, një shok klase e kishte vra veten. “Ishte një djalë shumë i hareshëm – askush s’e priste që ky mund ta lëndonte veten e t’i jepte fund jetës,” – thotë ai. “Ama, mesa duket ai ishte në depresion, dhe askush s’e vuri re.”
Çibanda u bë psikiatër. Por s’e kuptoi deri kur ndodhi Operacioni famëkeq Murambatsvina (“ta heqim fëlliqësinë”) – një fushatë e qeverisë në vitin 2005 për me i pastru me forcë lagjet e varfëra, e që i la 700,000 njerëz të pastrehë – se çfarë përmasash kishte problemi në Zimbabve. Kur ai u fut nëpër këto komunitete pasi operacioni i pastrimit u krye zbuloi nivele “jashtëzakonisht të larta” të çrregullimit të stresit post-traumatik dhe çështjeve të tjera të shëndetit mendor.
Në mes të gjithë kësaj, Erika vrau veten, duke sjellë urgjencë shtesë në kërkimet e Çibandës për gjetjen e një zgjidhjeje për zimbabveasit e zakonshëm.
Çibanda ishte i vetmi psikiatër në vend që punonte në hapësirën e shëndetit publik, edhe pse mbikëqyrësit e tij i thanë se nuk kishte burime që mund t’i jepnin. Të gjithë infermieret ishin shumë të zënë me çështjet e lidhura me HIV-in dhe kujdesin shëndetësor të nënës dhe fëmijës, dhe të gjitha dhomat në klinikën lokale ishin plot. Megjithatë, ata mund t’i jepnin atij 14 ‘gjyshe’ dhe t’ia jepnin një hapësirë jashtë klinikës.
Në vend që t’i çonte duart nga kjo punë, Çibanda erdhi me idenë për stolin e miqësisë. “Shumë njerëz mendojnë se unë jam një gjeni që më erdhi ndërmend diçka e tillë ama s’është e vërtetë,” – tha ai. “Thjesht më duhej të punoja me atë që e gjeta.”
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se Çibanda prej fillimit besonte se kjo mund të funksiononte. ‘Gjyshet’, të cilat ishin vullnetare të komunitetit, nuk kishin përvojë në këshillimin për shëndetin mendor dhe shumica kishin arsim minimal. “Isha skeptik për përdorimin e grave të moshuara,” pranon ai. As ai nuk ishte i vetmi me këto dyshime. “Shumë njerëz menduan se ishte një ide qesharake,” thotë ai. “Kolegët e mi më thanë: “Kjo është e pakuptimtë”.
‘‘Gjyshet’, të cilat ‘ishin vullnetare të komunitetit, nuk kishin përvojë në këshillimin për shëndetin mendor’
Megjithatë, duke mos pasë ndonjë mundësi tjetër, Çibanda filloi t’i trajnonte ‘gjyshet’ aq sa mundi. Në fillim, ai u përpoq t’i përmbahej terminologjisë mjekësore të zhvilluar në Perëndim, duke përdorur fjalë si “depresioni” dhe “idetë vetëvrasëse”. Por ‘gjyshet’ i thanë se kjo nuk do të funksiononte. Në mënyrë që të lidheshin tamam me njerëzit, ato këmbëngulën që atyre u duhej të komunikonin përmes koncepteve të rrënjosura kulturalisht, e me të cilat njerëzit mund të identifikoheshin. Me fjalë tjera, ato kishin nevojë të flisnin gjuhën e pacientëve të tyre. Pra, përveç trajnimit formal që morën, ata punuan së bashku për të përfshirë konceptet e Shona-s për hapjen e mendjes dhe ngritjen dhe forcimin e shpirtërores.
“Krejt trajnimi në vetëvete është i rrënjosur në terapinë e bazuar në evidencë, por është gjithashtu e rrënjosur në konceptet indigjene,” thotë Çibanda. “Unë mendoj se kjo është një nga arsyet kryesore që ka qenë i suksesshëm, sepse është arritur me të vërtetë të bashkojë këto pjesë të ndryshme duke përdorur njohuritë dhe burimet lokale.”

Efektive dhe e replikueshme
Sa dola nga makina, Rudo Chinhoyi, një grua e vockël me një buzëqeshje të lehtë e me flokë të bardha, doli me nguti prej shtëpie për me më taku. “Përshëndetje!” tha ajo, e m’i hodhi krahët me më përqafë. “Si po kaloni? Mirë se vini!”
‘Gjyshja’ Chinhoyi, siç njihet këtu, ka qenë që nga fillimi i programit ‘Stoli i Miqësisë’. “Unë iu bashkova këtij programi sepse doja me i ndihmu njerëzit në komunitet,” thotë ajo. “U bë tepër – njerëzit me depresion. Kishte tepër shumë dhe doja të zvogëloja shifrat.”
“Unë gjithë kam qenë kështu, duke dashtë me i ndihmu të tjerët,” shton ajo me një buzëqeshje dhe duke ngritur supet. “Unë i vlerësoj shumë qeniet njerëzore.”
Chinhoyi, e cila është 72 vjeçare, ka humbur fillin e numërimit të njerëzve që ajo i ka trajtu. Pothuajse përditë për 10 vjet. Ajo takohet rregullisht me individë HIV pozitiv, të varur nga droga, njerëz që vuajnë nga varfëria e uria, çifte të martuar e të pakënaqur, të moshuar të vetmuar dhe gra të reja shtatzëna, të pamartuara. Pavarësisht prejardhjes apo rrethanave të tyre, ajo i fillon seancat e saj në të njëjtën mënyrë: “Unë e prezantoj veten e iu them, ‘Çfarë halli ke? Më kallëzo gjithçka e më lejo me të ndihmu me fjalët e mia.””
Pasi dëgjon historinë e individit, Chinhoyi drejton pacientin e saj derisa ai ose ajo të arrijë vetë në një zgjidhje. Pastaj, derisa çështja e tyre të zgjidhet plotësisht, ajo e përcjell personin se a po i përmbahet planit.
Një herë, për shembull, Chinhoyi u takua me një burrë, gruaja e të cilit sapo kishte ikë me qiradhënësin e shtëpisë së tyre. “Burri donte ta merrte një sëpatë për me sulmu çiftin, por unë e binda që të mos e bënte këtë”, thotë Chinhoyi. “I thashë djalit: ‘Nëse shkon në burg, fëmijët e tu do të mbeten vetëm, nuk ia vlen.” Në vend që të përdorë dhunën, burri u divorcua nga gruaja e tij, thotë ajo, dhe tani është rimartuar.

Duke qenë se kanë ardhur nga të njëjtat komunitete sikur pacientët e tyre, Chinhoyi dhe ‘gjyshet’ e tjera shpesh kanë përjetuar të njëjtat trauma sociale. Megjithatë, Çibanda dhe kolegët e tij janë tronditur kur zbuluan se vetë ‘gjyshet’ paraqesin nivele çuditërisht të ulëta të çrregullimit të stresit post-traumatik dhe sëmundjeve të tjera të zakonshme të shëndetit mendor. “Ajo që ne shohim tek ato është kjo reziliencë e mahnitshme përballë vështirësive,” thotë ai.
As ‘gjyshet’ nuk duket se rraskapiten (burnt out) pavarësisht se këshillojnë njerëzit në prag të krizës për çdo ditë të lume. “Ne jemi duke eksploru pse po ndodh kjo, por ajo që duket se po shfaqet është koncepti i altruizmit, në të cilin gjyshet me të vërtetë mendojnë se marrin diçka duke bërë një ndryshim në jetën e të tjerëve,” thotë Çibanda. “Kjo u jep atyre gjithashtu shumë përfitime të mëdha.”
Deri në vitin 2009, Çibanda ishte tashmë i sigurt se programi po funksiononte, si për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës për pjesëmarrësit, ashtu edhe për uljen e vetëvrasjeve. Departamenti shëndetësor i qytetit Harare, i cili paguan për programin, ishte plotësisht dakord dhe pacientët referoheshin rregullisht nga klinikat, shkollat, policia dhe tjera. Por se a do të njihej ‘Stoli i Miqësisë’ dhe a do të replikohej në mbarë botën varej në atë se a do t’ia dilte Çibanda ta dëshmonte shkencërisht se po funksiononte.
Në vitin 2016, Çibanda – duke bashkëpunuar me kolegë nga Zimbabvea dhe Mbretëria e Bashkuar – publikoi rezultatet e një prove kontrolli të rastësishëm të efikasitetit të programit në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane. Studiuesit ndanë 600 njerëz me simptoma të depresionit në dy grupe. Ata zbuluan se pas gjashtë muajsh, grupi që ishin takuar nga ‘gjyshet’ kishte simptoma dukshëm më të ulëta të depresionit në krahasim me grupin që iu nënshtrua trajtimit konvencional.
“Ne ishim të entuziazmuar me rezultatet, të cilat treguan se ndërhyrja po ka një efekt të madh në jetën e përditshme të njerëzve dhe aftësinë për me funksionu,” thotë Viktoria Sims, një epidemiologe në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër dhe bashkautore e studimit. “Kjo domethënë t’u japësh njerëzve mjetet që u vyjnë për t’i zgjidhur problemet e tyre,”
Dy prova të tjera shkencore tani janë duke u zhvilluar, shton ajo, duke përfshirë një që shqyrton një program të ri të grupit të ‘Stolit të Miqësisë’ në Harare dhe një tjetër të krijuar posaçërisht për të rinjtë që janë HIV pozitiv.

Programi është zgjeru gjithashtu në disa vende tjera, dhe përmes një gjëje të tillë, Çibanda me kolegë zbuluan jo vetëm se ai përkthehej mirë nëpër kultura tjera, por edhe se ‘gjyshet’ nuk ishin të vetmet me aftësi për dhënien e këshillave efektive. Në Malavi, ‘Stoli i Miqësisë’ ka këshillues të moshuar të të dy gjinive, ndërsa Zanzibari ka burra dhe gra më të rinj. Këshilluesit e qytetit të Nju Jorkut janë nga më të larmishmit, duke përfshirë individë të të gjitha moshave dhe racave, disa prej të cilëve vijnë nga komuniteti LGBTQ. “Ne mbulojmë të gjitha aspektet,” thotë Takesha White, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës së Planifikimit Strategjik dhe Komunikimeve në Qendrën e Departamentit të Shëndetit të Nju Jork për Barazinë Shëndetësore. “Popullsia e qytetit të Nju Jorkut është shumë e larmishme.”
Shumë nga këshilluesit e Nju Jorkut i kanë kapërcy me sukses vetë varësitë dhe sfidat tjera të jetës. “Ne jemi të përkushtuar që të kemi njerëz me përvojë, të cilët mund të flasin gjuhën e mëkëmbjes dhe trajtimit të varësive,” thotë White. “Sa çel e mëshel sytë, ju nuk jeni në një stol – ju jeni brenda një bisede të ngrohtë me dikë që i bën për ty e të kupton.”
Stolat e qytetit të Nju Jorkut – të cilat janë ngjyrë portokalli të ndezura – u pilotuan në vitin 2016 dhe u lansuan në mesin e 2017, duke tërhequr rreth 30,000 vizitorë gjatë vitit të parë. Qyteti deri më tani ka tre stola të përhershëm në Bronx, Broklyn dhe Harlem, dhe programi pret pop-ups në festivale, kisha, parqe e tjera. Këshilluesit e ‘Stolit të Miqësisë’ gjithashtu vihen në dispozicion menjëherë pas tragjedive komunitare, duke përfshirë një vetëvrasje të fundit të kryer në publik në Harlemin Lindor.
“Kur vizitova Nju Jorkun, u befasova për mirë që pashë se hallet me të cilat përballeshin njujorkerët ishin shumë të ngjashme me hallet në Zimbabve,” – thotë Çibanda. “Janë çështje që lidhen me vetminë, me qasjen në kujdes shëndetësor, dhe thjesht mundësinë për me ditë se ajo që po përjeton është e trajtueshme.”
Përderisa shumë e më shumë psikiatër po punojnë në New Jork sesa në Zimbabve, raporti i mjekëve ndaj banorëve – rreth një për çdo 6,000 njerëz në New Jork – mbetet ende problematik për ofrimin e qasjes në kujdes, veçanërisht për ata që janë në nevojë. E njëjta gjë ndodh edhe në shumë vende tjera nëpër botë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e cila tani po shqyrton mundësinë e lansimit të një programi të ‘Stoleve të Miqësisë’ në Londër.
“Kjo nuk është vetëm një zgjidhje për vendet me të ardhura të ulëta,” thotë Sims. “Kjo mund të jetë një zgjidhje nga e cila mund të përfitojë çdo vend në botë.”
Artikull i botuar më 27 maj 2020 në BBC. Përkthyer nga Tjetër*.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).