E diel, 7 Shtator, 2025

Qytetar-katunar: Historia e gërditshme e ndasisë mes kosovarëve

PolitikëQytetar-katunar: Historia e gërditshme e ndasisë mes kosovarëve

Ndasia “qytetar-katunar” vazhdon me u shfaqë në Kosovë pak a shumë çdo tre-katër muaj. Megjithëse zakonisht bëhet përmes cinizmit e ironisë, kjo ndasi është shumë serioze dhe e përfsheh një histori të gjatë por shumë të shëmtuar të abuzimit me pushtet.

Hajde e shohim me kujdes.

SHIKO SI VIDEO:

Ndasia qytetar-katunar fillon të shprehet në Kosovë kur merr hov industrializimi. Pra, prej vitit 1950 e tutje.

Kosova prej një vendi krejtësisht agraro-rural nisi të bëhej gradualisht vend industrial. U hap administrata, u hapën fabrika e ndërmarrje shtetërore që krijuan një numër të konsiderueshëm vendesh të reja pune. Një numër i madh shqiptarësh zbathën opingat, paluan shatin e kacinë dhe i thanë lamtumirë përfundimisht lopës.

Sidoqoftë, industrializimi i Kosovës s’ishte transformim i shpejtë e vijëdrejtë. Punëtori kosovar i Ramiz Sadikut në qytet vazhdonte t’i ruante lidhjet e tij me kulturën fshatare. E bile, edhe midis qytetit – për shembull midis Prishtine – vazhdonte të lulëzonte bujqësia e blegtoria. Vetë prishtinalitë e vazhduan ruajtjen e kulturës fshatare me fanatizëm përkundër presionit të madh nga pushteti. Dhe plot prej tyre ia dolën mbanë.

Ndasia qytetar-katunar qysh në ato fazat fillestare të saj e kishte në thelb profesionin e jo vendbanimin. Kjo sepse qytetarët – për të cilët do të flasim më pas – ishin gati të gjithë nga fshati. Ndërsa ata pasanikë që ishin nga qyteti e s’merreshin me bujqësi u shpronësuan e poshtëruan në emër të luftës kundër borgjezisë.

Reforma agrare e vitit 1945 për kolektivizimin e bujqësisë në Jugosllavi dështoi keq. Duke parë se sa të vendosur ishin shqiptarët në rezistencë kundër kësaj reforme në një anë dhe në tjetrën pasojat shkatërrimtare në prodhim në Bashkimin Sovietik, Josip Broz Tito më 1948 jozyrtarisht vendosi me ndjekë rrugë tjetër. Mirëpo, kjo rrugë që iu la fshatarëve arat e tyre s’u bë me zemër e prandaj tensioni mes pushtetit e fshtarësisë veç sa u rrit.

Në të njëjtën kohë, po ndodhte edhe një tjetër transformim shoqëror. Pati një ardhje të madhe njerëzish nga fshatrat përreth Prishtinës në Prishtinë. Por, ndasia qytetar-katunar s’arriti dot që ta fuste në qendër tamam vendbanimin. Ta zëmë, ata që erdhën nga fshatrat në Prishtinë erdhën sepse braktisën punët e fshatit shkaku i presionit shtetëror. Dhe meqë një pjesë e madhe e prishtinalive patriotë vazhduan të merreshin me punë fshati midis Prishtinës, kjo e nxiti paragjykimin se këta prishtinali ishin prapanikë e katunarë. Jo katunarët e sapoardhur në kryeqytet. Kështu ndodhi edhe nëpër krejt qytetet tjera të Kosovës.

Mendojeni edhe njëherë pra sa paradoksale tingëllon kjo për kohën tonë. Në Prishtinë s’merreshin me bujqësi ata që erdhën prej fshatrave. Ata kishin ardhë për punët e reja jofshatare që ishin hapë – një pjesë e madhe madje edhe për t’u bërë pjesë e pushtetit. Në Prishtinë – për qytet po flasim – merreshin me bujqësi veç prishtinalitë e vjetër.

Është pak të thuhet se komunizmi jugosllav marrëdhëniet me fshatarësinë i kishte mjaft komplekse. Por, këto marrëdhënie s’kishin veç paragjykime banale në brendi. Ta zëmë, vetë Josip Brozi ishte një fshatar me vetëm katër vjet shkollë. E prejardhje nga fshatarësia kishte edhe pjesa dërmuese e udhëheqësisë jugosllave. Mbi 70% e saj sipas studiuesit Allen H. Barton. Kjo për shkak se klasa borgjeze – siç e thamë – ishte rrëzu. Mirëpo, fshatarësia u bë problematike për fshatarët e qytetarizuar udhëheqës në Jugosllavi kur u krijua ajo që disidenti më i njohur jugosllav Millovan Gjillasi e quan “KLASA E RE”.

Siç e dimë, komunizmi pretendonte ndërtimin e një shoqërie pa klasa. Ku të gjithë njerëzit do të ishin të barabartë. Ku s’kishte marrëdhënie pronësie.

Por, ajo që ndodhi – siç na tregon vetë Gjillasi që ishte Zëvendës President në Qeverinë e Titos – ishte krijimi i një klase të re që përbëhej nga burokratë të cilët morën pronësinë e krejt asaj që në letra thuhej se iu takonte të gjithëve.

 “Dalja në pah e klasës së re është fshehur nën frazeologjinë socialiste, dhe më e rëndësishmja, nën format e reja kolektive të pronësisë. E ashtuquajtura pronësi socialiste është maskim i pronësisë së vërtetë nga burokracia politike.”  – shkruante Gjillasi.

Lakmia e kësaj klase të re ishte e pangopshme. Dhe pasi fshatarësia nuk i dorëzoi pronat që kishte kjo krijoi një tension të madh në klasën e re. Fshatarësia përçmohej e fyhej madje edhe në mbledhje të partisë komuniste.

Qe çka shkruan Millovan Gjillasi që e njihte këtë problem nga brenda:

“Klasa e re u ndje e pasigurt për aq sa kishte edhe pronarë tjerë përveç atyre. S’donte të ndjente rrezikun e sabotazhit në furnizimin ushqimor apo në lëndën e parë agrikulturore. Kjo ishte arsyeja direkte për sulmin ndaj fshatarësisë. Sidoqoftë, kishte edhe një arsye të dytë, një arsye klasore: fshatarësia mund të përbënte rrezik ndaj klasës së re në situata jostabile…. Si rrjedhojë, burokracia u shumua edhe nëpër fshatra po ashtu.” 

Klasa e re ishte aq e korruptuar e aq parazite sa për ta mbuluar veten provoi që këto karakteristika t’i fuste te krejt shoqëria qytetare përmes klientelizmit. Mos harroni, po flasim për një ekonomi të mbyllur e të kontrolluar që e bëri pushtetin e atyre njerëzve në majë të asaj klase pushtet përnjëmend monstruoz.

 “Besohej që dallimet mes qyteteve dhe fshatrave, punës intelektuale dhe fizike, dalëngadalë do të zhdukeshin; por ato veç sa u rritën,”

U rritën pra. Dhe do të rriteshin deri në përmasat që ndasia qytetar-katunar të na futej edhe në ditët e sotme. Dhe na u fut në ditët e sotme sepse… klasa e re rrënjosi edhe frikë e përçmim besëtyt për fshatarët. Duke folur për harxhimet marramendëse e të paarsyeshme që i bënte Jugosllavia, qe çka shkruan Millovan Gjillasi:

“Sa shumë i kushton një shteti agrikultura stagnuese shkaku i frikës supersticioze të komunistëve ndaj fshatarit dhe shkaku i investimeve të paarsyeshme në industri të rëndë?”

Nisur nga ky averzion i pabesueshëm shkaku i marrëdhënieve të pronësisë, përmbledhtazi mund të themi edhe se çështja e ndasisë qytetar-katunar u bë çështje e pozitës së filanit në strukturën e prodhimit. Fetishizimi i profesioneve – për të cilin besojmë se keni dëgju – ishte maskim i fetishizimit të përzgjedhjes që bëhej nën kushte klienteliste nga anëtarët shqiptarë të klasës së re jugosllave. Ky është djali i profesorit. Ajo është çika e gazetarit. Ky është qeni i ambasadorit. Ai është kerri i inxhinierit. Unë jam djali i mjekut. Kjo është mbesa e agronomit. E kështu me radhë. Çka shprehin këto? Thjesht afërsinë që këta njerëz e kishin me të ashtuquajturën klasë e re.

Pak a shumë, të gjithë këta njerëz të përzgjedhur me familjet e tyre – pavarësisht se ku kishin lindur – u bënë qytetarë sepse i shërbenin në një mënyrë a tjetrën grupit të parazitëve në pushtet. Të gjithë ata njerëz që mbetën jashtë përzgjedhjes – pra në jetë fshati – u quajtën fshatarë, prapanikë, selakë. Por, paragjykimet ishin edhe më të thella se kaq. Katunari shihej edhe si i pamoralshëm shkaku i një etike të çoroditur që e shihte me automatizëm anëtarin e partisë komuniste si primordialisht të moralshm meqë s’kishte devijuar politikisht.

Më së rëndi nga kjo ndasi e pësoi rajoni i Drenicës. Besoj, e keni vërejt që edhe sot drenicakët shihen si katunarët më të mëdhenj nga ata njerëz që operojnë me kësi paragjykime. Kjo për shkak se pikërisht në Drenicë rezistenca ndaj reformës agrare (1945-48) kishte qenë më e madhja. Ashtu siç kishte qenë edhe rezistenca ndaj aksionit makabër të konfiskimit të armëve (1954-56).

Natyrisht, kjo klasë e re kishte edhe interes të krijonte ndasi të thella mes njerëzve. Por, siç e shpjegon Gjillasi ajo formoi një ndërgjegjje të fortë klasore, e që nënkupton se paragjykimi i katunarit i vinte edhe natyrshëm. Mos të harrojmë që po flasim për një pushtet që ia kishte përcaktuar vetes edhe detyrën e formimit të marrëdhënieve shoqërore – e që e çoi drejt preokupimit pervers me jetën private të njerëzve. Kjo klasë perverse s’e përcaktonte veç kush ishte qytetar e kush katunar. E përcaktonte edhe se ku do të jetonin njerëzit, në cilat banesa e shtëpi. Kë do ta kishin komshi. Me kë duhej të rrinin e me kë jo. E me raste, edhe me kë do të martoheshin e me kë jo. Me kalimin e viteve, regjimi e bëri të pamundur që një zyrtar shteti dhe një tregtar të ishin komshi të njëri-tjetrit. Meqë ra fjala, besoj e keni vërejt se çfarë përçmimi ende ekziston për tregtarët – që shpesh quhen pazarxhi e tyxharë?! Eh, edhe ai përçmim vjen prej asaj klase të sëmurë pas idesë se i takonte të kishte nën pronësi gjithçka.

“Ai që kap pushtet kap privilegjet dhe indirekt kap pronat shoqërore. Për rrjedhojë, në komunizëm, pushteti apo politika si profesion është ideali i atyre që kanë dëshirën apo shpresën e të jetuarit si parazitë nën kurrizin e të tjerëve.” (58)

Këta parazitë shqiptarë që jetuan në kurrizin e të gjithë shqiptarëve tjerë në Kosovën e asaj kohe me kalimin e viteve i përbrendësuan edhe paragjykimet e më të fortëve për veten. Pra, edhe paragjykimet etnike. Edhe pse ishin qytetarizuar e i kishin lënë opingat menjanë – atyre iu dukej ende vetja katunarë sepse si të tillë shiheshin nga serbët. Dhe prandaj, për ta bërë një hop tjetër të madh kulturor shumë prej tyre e realizuan edhe ëndrrën më kulmore: të martoheshin me gra serbe. Këto martesa të tyre ndëretnike po ndodhnin derisa midis Prishtine – në korzon e saj – serbët s’pranonin as të shëtiteshin në një rrugë me shqiptarët.  Ata ecnin në një anë, shqiptarët në tjetrën. Për qytete tjera as që po flasim.

Por, ky realitet që e shprehte midis qyteti këtë ndasi s’i interesonte burokratëve shqiptarë që kishin krijuar marrëdhënie klienteliste me shqiptarët tjerë. Ishin ndjenjësisht të shkëputur. Ata shpërndanin thashetheme e përçmime e besëtytni dhe shijonin privilegjet që u jepeshin.

“Një mendje e shtypur njerëzore detyrohet t’i nënshtrohet korrupsionit. Sistemi komunist i persekuton, i dyshon dhe i shtyn drejt vetëkritikës njerëzit e saj kreativë. Servilëve iu ofron “kushte pune “ shumë atraktive, honorare luksoze, shërblime, villa, qendra pushimi, zbritje, vetura, mandate si ambasadorë…” 

Ky fragment nga Gjillasi ndodhet në librin “Klasa e re” për të cilin ai do të burgosej menjëherë pas botimit për t’u bërë më pas një prej disidentëve më të njohur jugosllavë në botë.

Pra, po e shihni që s’është veç punë qyteti a katuni këtu. Është goxha më e thellë dhe goxha më e ligë. Kemi një klasë shqiptarësh që kontrollonte gjithçka, e cila në një anë kishte tension të pronësisë me fshatarësinë e nga tjetra edhe e përbrendësoi shikimin racist serb për ta. Prandaj, kur e përdorim në pezhorativ termin katunar ne përbartim në këtë kohë ngarkesat e forta ideologjike të një klase parazitësh të korruptuar.

Siç e dimë, skema e prodhimit u përmbys në vitet ’90 kur nacionalizmi serb u bë haptazi armik i shqiptarëve. Dëbimet masive dhe largimet vullnetare të shqiptarëve nga puna na bënë të gjithëve katunarë. Të vetmit qytetarë në atë skemë të pështirë mbetën serbët. Por kjo vetëm sa e rriti solidaritetin mes nesh. Një solidaritet që u prish sapo erdhi një formë e re e marrëdhënieve të bazuara haptas në pronësinë: kapitalizmi.

Sot, ndasia qytetar-katunar ndryn në brendi thuajse të njëjtat besëtytni e paragjykime që i nxitën parazitët e asaj kohe në pushtet. Ajo që mendohet për katunarin sot është po ajo që mendohej për të në vitet ’50 e ’60. Ai është një prapanik i neveritshëm me disa mangësi primordiale që e dallojnë nga qytetari. Natyrisht, prapaniku i neveritshëm në këtë mes është vetë ai që e shpreh apo nënkupton këtë dallim. Selaku në këtë mes është vetë ai që e ushqen supremacinë.

Natyrisht, ekzistojnë dallime të shumta kulturore, edukative e vlerore mes nesh. Por, këto dallime janë individuale – ose më së shumti familjare – e jo grupore. Paramendojeni një prishtinali me edukim të lartë dhe formim të gjerë kulturor dhe një prishtinali analfabet që shahet nëpër komente të Facebook-ut, që pështyn në rrugë e që gërryen hundën para syve të tjetrit. Çka kanë të përbashkët?  Ose dy drenicakë. Dy gjakovarë. Dy katunarë.

Për fat të keq, pas luftës më 1999 askush nga funksionarët e lartë shqiptarë në Jugosllavi nuk u gjykua për abuzimin me pushtet dhe korrupsionin endemik. Kishte një lloj amnistie të heshtur përkundër gjithë atij zarari horrorial që e bënë në gati pesë dekada. Për më keq, pati amnistim të heshtur edhe për torturat e persekutimet çnjerëzore të kryera gjatë asaj periudhe të gjatë. Por, është koha që ato të zbardhen e të shqyrtohen. Është koha që e vërteta të dalë në dritë! Parazitët përbindësha të asaj kohe duhet ta marrin dënimin e merituar, edhe nëse plot prej tyre tashmë kanë vdekë!

Kjo video/tekst nuk pretendon të ofrojë shpjegimin e plotë për këtë debeat. Synon që të nxis diskutim serioz në lidhje me këtë ndasi, por edhe në lidhje me mospërballjen me drejtësinë dhe mungesën e çfarëdo hetimi institucional ndaj zyrtarëve të lartë shqiptarë në regjimin komunist. 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: