Zyrtare: Ramush Haradinajt i janë lodhë mashqit. Dhe i është lodhë edhe truri
Ishte seanca e të enjtes kur do të zbulohej se deputeti goran Adem Hodža ishte ulur shumë afër Ramush Haradinajt në Kuvend. Më pas, mes tyre do të kapej edhe një përshëndetje e përzemërt me grusht. Dhe në fund, Ramushi do ta konfirmonte të vërtetën para gazetarëve:
“Po, duket po… Kemi fillu një marrëdhënie të përbashkët…”
Optika aq absurde dhe e shëmtuar e gjithë kësaj e përjashton hapësirën për shpjegime logjike. Por, le të provojmë.
Me ikjen e tre deputetëve të Nismës në drejtim të një koalicioni me Kurtin, AAK-ja e familjes Haradinaj mbeti me vetëm pesë deputetë. E Grupet Parlamentare duhet t’i kenë gjashtë. Adem Hodža efektivisht e bën Haradinajn me Grup Parlamentar. Kjo është arsyeja?
Në shikim të parë, kështu duket. Por, s’është bash kështu si duket.
Pse?
Sepse Adem Hodža s’është bash deputet. Ai ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, një formacion politik e paramilitar i drejtuar nga ‘njeriu familjar’ sipas Sllavko Simiqit, dhe kryeterroristi i Banjskës sipas shtetit tonë, Millan Radojiçiqi.
Pra, s’është bash siç duket. Është shumë më keq.
Optika
Deputeti i komunitetit goran ka ndërruar grup edhe më herët. Ishte nëntori i vitit 2020 kur ai ia nguli keq Grupit Parlamentar të pakicave joserbe 6+ duke u bashkuar me Listën Serbe. Ia nguli keq sepse largimi i tij nënkuptoi që ai Grup Parlamentar do të shuhej.
Kurrë s’e mori vesh populli i Kosovës, e as komuniteti goran, pse ndodhi ajo ngulje. E po aq katran i zi nga transparenca është edhe kalimi i tij i radhës. Po të ishte një ngulje ndaj Listës Serbe, do të thuhej anembanë “urra” por s’është. Lista Serbe s’rrezikon momentalisht që të mos formojë Grup Parlamentar. I ka nëntë deputetë.
E kjo optikë e shëmtuar shëmtohet edhe më shumë kur kujtojmë se si kryeministër e kishte takuar Millan Radojiçiqin në Zyren e Kryeministrit.
Shëmtohet edhe kur kujtojmë se Adem Hodža mbeti deputet i Listës Serbe pasi ndodhi agresioni në Banjskë në shtator 2024 dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Agresion i nisur nga kryetari de fakto i Listës Serbe, Millan Radojiçiq.
Në këtë pikë pyetja e parë legjitime në drejtim të Ramush Haradinajt nga ndonjë gazetar do të ishte: “A do ta lironit Adem Hodžën të shkojë në stërvitje me grupin e Radojiçiqit nëse këtë gjë e kërkon ky i fundit?”
Prandaj, edhe ky titull sarkastik.
A e shpëton diçka Ramushin?
Ramush Haradinaj mund të shpëtojë vetëm nga zhvillime dramatike në Kuvendin e Kosovës. Ta zëmë, sikur papritmas edhe katër deputetë tjerë t’i largoheshin Listës Serbe nga Grupi Parlamentar për t’iu bashkuar partive tjera. Kjo do të nënkuptonte pamundësinë e formimit të Grupit Parlamentar nga ana e Listës Serbe për herë të parë në historinë e tyre.
Sidoqoftë, kështu si qëndrojnë gjërat puna është shumë keq për Ramush Haradinajn. Dhe për gjithë kauzën opozitare që akuzohet për mungesë patriotizmi nga pushteti.