E shtunë, 19 Prill, 2025

Rezidenca “Shtatëmbëdhjetë”: Nga shtëpia e harruar në një qendër bashkëkohore për artin dhe komunitetin

KulturëRezidenca “Shtatëmbëdhjetë”: Nga shtëpia e harruar në një qendër bashkëkohore për artin dhe komunitetin

Jo larg qendrës së Prishtinës, aty ku dikur qëndronte një shtëpi e lënë pas dore që dikur kishte shërbyer për Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës pas luftës, sot gjallon një qendër e gjallë kulturore me mision bashkëkohor. Kjo hapësirë, e cila për vite me radhë ishte zvetënuar për shkak të mungesës së përkujdesjes, ka pësuar një transformim rrënjësor falë bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe institucioneve komunale. Si rezultat, është krijuar një rezidencë që jo vetëm ruan kujtesën e saj historike, por edhe shndërrohet në një pikëtakim të ideve të reja dhe energjive krijuese: rezidenca “Shtatëmbëdhjetë”.

Sot, kjo rezidencë është shumë më tepër se një shtëpi e rinovuar – ajo është një laborator i gjallë i artit, teknologjisë dhe ndërveprimit qytetar. Brenda saj janë vendosur ambiente të ndryshme funksionale, secila e konceptuar për të mbështetur krijimtarinë në format më të ndryshme. Dhomat e saj nuk janë thjesht mure, por hapësira që frymojnë me projekte, diskutime dhe ide të reja. Qytetarët ,qoftë individë të apasionuar pas artit apo grupe të organizuara, gjejnë aty një vend për të zhvilluar dhe realizuar vizionet e tyre.

Gjatë këtyre shtatë viteve që nga themelimi i saj, rezidenca “Shtatëmbëdhjetë” është shndërruar në një urë lidhëse mes artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Ajo ka krijuar mundësi për shumë krijues të udhëtojnë jashtë vendit, ndërkohë që ka mirëpritur artistë nga e gjithë bota në Prishtinë, duke ndërtuar kështu një rrjet të gjerë bashkëpunimi ndërkulturor.

Me rastin e përvjetorit të saj të shtatë – apo siç mund të quhet ndryshe, ditëlindjes së saj të shtatë – kjo hapësirë jo vetëm që feston një kapitull të suksesshëm të ekzistencës së saj, por edhe rikujton rëndësinë e përkushtimit për artin, komunitetin dhe kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore. Ajo vazhdon të dëshmojë se përmes vullnetit, bashkëpunimit dhe vizionit të qartë, një shtëpi e harruar mund të shndërrohet në një simbol të gjallë të jetës kulturore dhe qytetare.

Sihana Klisurica menaxhere për komunikimi në rezidencën “Shtatëmbëdhjetë” ka thënë se kur është themeluar “Shtatëmbëdhjetë”, tash e shtatë vite, ose kur është bërë strategjia e saj gjithmonë ka qenë në plan, që të ketë një hapësirë ku i ngërthen të gjitha në vete, të ketë hapësirë të përbashkët të punës, të ketë një galeri, të ketë një rezidencë, duke qenë e pamundur që në një hapësirë të vetme t’i kesh të gjitha, gradualisht është rritur “Shtatëmbëdhjetë” si organizatë në hapësira të veta. Kemi  filluar me “Project Space 17” që ka qenë hapësirë e përbashkët e punës, pastaj edhe me “Galerinë 17” dhe “Infrared”.

“Duke qenë se kemi pasur projektin “Metamorfoza” i cili fokusohet në hapësirat e braktisura, një prej propozimeve të Komunës së Prishtinës ka qenë që ne të marrim në menaxhim këtë hapësirë e cila përndryshe është edhe shtëpia e shkrimtarit të njohur, Hivzi Sulejmanit, ka shtuar më tutje Klusurica për magazinën TJETËR.

Tjetër*

Ajo ka theksuar se programi i rezidencave ka ekzistuar duke u krijuar kontakte dhe bashkëpunime me organizata të tjera jashtë vendit për rezidenca shkëmbimore, që nënkupton të dërgohen artistë vendorë jashtë Kosovës dhe në të njëjtën kohë të vijnë artistë ndërkombëtarë në rezidencat këtu.

Klisurica më tutje ka thënë se “Shtatëmbëdhjetë” i menaxhon dy hapësira, galerinë dhe rezidencën, dhe që nga fillimi është menduar që secila nga hapësirat, secila prej dhomave brenda kësaj shtëpie të ketë një rol të caktuar ose të akomodojë nevojat për individë të ndryshëm, dhe secila të ketë pajisje por edhe të jetë e qasshme për grupe të ndryshme.

“Kemi dy dhoma të bashkëpunimit, dhomat e bashkëpunimit janë të konceptuara në atë formë që të mirëpresin individë apo grupe, apo edhe kolektive të cilat vijnë dhe shfrytëzojnë hapësirën për projektet e tyre personale apo për të mbajtur takime. Kemi punëtori të ndryshme të cilat i organizojmë gjatë vitit të cilat janë me tematika të ndryshme, po ashtu edhe programi ynë publik i aktiviteteve siç janë bisedat me artistë, apo prezantime, promovime të ndryshme të librave apo edhe projekte të tjera të caktuara”, ka thënë ajo.

Sihana Klusurica ka shtuar më tutje se janë tri studio të punës, njëra prej tyre është dhoma ndërdisiplinore e cila është e fokusuar që të akomodojë nevojat e artistëve të cilët merren me pikturë, skulpturë apo me media light projekte, është dhoma e audios dhe videos, dhoma e printimit e cila është e pajisur me printer 3D, me printer me ngjyra, skaner, printer të thjeshtë që mund të shfrytëzohen për projekte të ndryshme, dhe dhoma e leximit e cila është e pajisur me mbi një mijë tituj librash të fushave të ndryshme.

Tjetër*

Klusurica ka thëne se çdo dhomë e punës dhe çdo pajisje mund të shfrytëzohet pa pagesë, është një formë e regjistrimit e cila ndahet nëpër rrjetet sociale, nuk është formë e aplikimit, por formë e regjistrimit, ku individë ose grupe të caktuara që kanë nevojë për hapësirë pune, qoftë edhe për të përfunduar edhe një shkrim gazetaresk apo një hulumtim të caktuar dhe u duhet një hapësirë, atëherë mund të regjistrohen dhe do të kenë në dispozicion hapësirën dhe kohën e nevojshme.

“Këtë vit do të prezantojmë një program të ri brenda aktiviteteve që i organizojmë në kopsht me performanca dhe ekspozita do të jetë një risi brenda programit tonë. Pastaj kemi edhe programin e rezidencave, tani për tani e kemi një artiste e cila vjen nga Austria dhe në fund të vitit edhe një artiste nga Kosova do të shkojë atje. Dhe në të njëjtën kohë është mbyllur thirrja për rezidencën “Infrared” e cila është e fokusuar në çështje të ambientit. Janë tre persona që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj rezidence dhe do të bëjë tri hulumtime, projekte të ndryshme brenda kësaj rezidence, të cilat janë në kuadër të këtij programi”, ka thënë Sihana Klusurica për magazinën TJETËR.

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: