Ishte 9 janari i vitit 2019 kur Albin Kurti do ta postonte në Facebook një prej shkrimeve të tij më popullore që titullohej “Shko Hashim”. Shkrimi në një mënyrë shpjegonte arsyet prapa veprimeve të pakuptimta të Hashim Thaçit në atë kohë. Ishte Haga. Ishte brenga për fatin e tij personal. Prandaj, ishin edhe ato veprime si djalë joproblematik.
Por, duhet të ketë një brengë personale edhe në veprimet e Albin Kurtit në muajt dhe javët e fundit. Sepse edhe këto janë veprime të pakuptimta.
Në natën e 9 shkurtit, e shpalli fitoren dhe i quajti “hajvanë” liderët e opozitës. S’tha siç ishte zakoni se do të ishte kryeministër i të gjithë qytetarëve, edhe atyre që s’e votuan. S’bëri një hap të vetëm unifikues para. Në vend të kësaj e shpalli një luftë të re, në të cilën i trajton opozitarët si të ishin jomeritorë qoftë edhe për respektin më elementar njerëzor.
Në këtë pikë, po i themi Kurtit “Shko Albin“. Jo që të shkojë në Hagë por në takim me Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun. S’e besojmë që këta dy janë më të rëndë se prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Veprime patetike
Ndërkohë, shiheni këtë fotografi.
Albin Kurti ndodhet në Zyren e Kryeministrit duke i buzëqeshur aparatit fotografik bashkë me Adem Hodzën. Data ishte 3 prill. Ora 9:21 pasdite. Adem Hodza, deputeti goran, na u shfaq në ekranet tona nga profili i kryeministrit Kurti. Nga Zyra e Kryeministrit.
Adem Hodza ishte dhe mbeti deputet që i bindej Listës Serbe që de fakto udhëhiqej/t nga kryeterroristi Millan Radojiçiq. Adem Hodza e kishte bërë veten vartës të kryeterroristit Millan Radojiçiq. Bile, edhe pas sulmit të Banjskës. Pse u prit në këtë mënyrë nga Kryeministri Kurti? A s’mund ta shmangte takimin? Apo të paktën ta takonte tjetërkund e jo në Zyre të Kryeministrit? Apo edhe më të paktën të mos publikonte fotografi me të për t’i dhënë legjitimitet si politikan?
Jo, Kurti e takoi, buzëqeshi, e fotografoi.
Dhe as tri ditë më pas, Kurti kishte thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Komunikata e ndarë nga Qeveria ishte tepër e pakuptimtë.
Ndaheshin me opinionin lajme të cilat veçse ishin dhënë nga institucione relevante dhe portale e mediume të ndryshme kosovare. Padyshim, lajme shqetësuese. Por pastaj shkonte gjuha ku dhimbte dhëmbi. Thuhej se Serbia “po ndërhynte te disa deputetë të komuniteteve joshumicë e joserbë” me qëllim sabotimin e themelimit të institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.
Se Serbia i mbante nën kontroll deputetët serbë dhe provonte t’i kontrollonte edhe ata joserbë e di secili qytetar i vendit që përcjell zhvillimet në vend. Prandaj, edhe ajo komunikatë që s’thoshte diçka të re s’u prit mirë nga qytetarët.
Kjo bëri që Kurti ta bënte një tjetër postim në Facebook për t’i dhënë të drejtë vetes. Aty thoshte se më 9 shkurt, pra para një muaji, në një konferencë me Nenad Rashiqin kishte thënë diçka të ngjashme. Pra, deklaratë e tipit “hej më besoni se edhe më herët kam folur për këtë gjë”.
Por, përveç kësaj po thoshte edhe se institucionet e sigurisë tashmë kishin informacione të konfirmuara se ishin vënë në shënjestër të Radojiçiqit disa deputetë të pakicave joserbe. Ok?! T’i ofrohet diçka edhe publikut, ndoshta?
Ndërkohë, mbrëmë u raportua se Kurti u takua me Fatmir Limajn e Nismës. Por, s’ka as ndonjë shenjë të vetme për takim me ndonjë nga partitë tjera opozitare si LDK e PDK.
Mos është edhe egoja e tij sabotuese e themelimit të institucioneve të Kosovës?! Kështu po duket. Prandaj, shko Albin.